Kini kujdes nga adresat anonime në rrjetet sociale

March 26, 2025

KUJDES! MOSPRANIMI I HADITHEVE ËSHTË KUFR (MOHIM)!

Do doja t’i këshilloja të gjithë vëllezërit e mi të kenë kujdes nga disa faqe dhe adresa në fb që menaxhohen nga persona anonim që nuk e di kush se cilët janë, a janë persona që janë falur ndonjëherë apo persona që janë vetëm pas tastierës!
Prej këtyre adresave është ajo që quhet “Islami dhe Kurani” që menaxhohet nga dikush i cili as emrin e tij nuk e tregon, dhe kushdo qoftë ky person një gjë është e sigurt në rastin e tij: Ky person s’ka lidhje as me Islamin e as me Kuranin, paçka se pretendon ndjekjen e Kuranit.
Personi në fjalë mundohet të argumentojë që në fenë Islame mjafton vetëm Kurani dhe nuk kemi nevojë fare për hadithet e Profetit ﷺ, dhe i përgënjeshtron të gjitha hadithet!

Doja të sqaroja një çështje për muslimanët që ndoshta kanë lexuar diçka nga dyshimet që personi në fjalë i hedh, duke pretenduar se argumentohet me ajetet e Kuranit.

Janë të shumta ajetet e Kuranit në të cilat urdhërohet ndjekja e Profetit ﷺ dhe bindja ndaj tij, çka do të thotë ndjekja e asaj që na vjen në hadithe prej fjalëve të Profetit ﷺ, pasiqë fjala e Allahut është Kurani ndërsa hadithet janë fjala e Profetit ﷺ.
Allahu i Lartësuar thotë:
مَنْ يُطِعِ الرَّسُولَ فَقَدْ أَطَاعَ اللَّهَ
“Kush i bindet të dërguarit i është bindur Allahut”. | En Nisa: 80.
فَلَا وَرَبِّكَ لَا يُؤْمِنُونَ حَتَّى يُحَكِّمُوكَ فِيمَا شَجَرَ بَيْنَهُمْ ثُمَّ لَا يَجِدُوا فِي أَنْفُسِهِمْ حَرَجًا مِمَّا قَضَيْتَ وَيُسَلِّمُوا تَسْلِيمًا
“Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre; e pastaj të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden plotësisht.” | En Nisa: 65.

فَلْيَحْذَرِ الَّذِينَ يُخَالِفُونَ عَنْ أَمْرِهِ أَنْ تُصِيبَهُمْ فِتْنَةٌ أَوْ يُصِيبَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ
“Le të frikësohen ata që kundërshtojnë urdhërin e tij, që të mos i arrijë ndonjë sprovë ose të mos i godasë ndonjë dënim i dhembshëm.” | En Nur: 63.
يَاأَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَطِيعُوا اللَّهَ وَأَطِيعُوا الرَّسُولَ وَلَا تُبْطِلُوا أَعْمَالَكُمْ
“O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit, dhe mos i çoni dëm veprat tuaja!” | Muhammed: 33.

قُلْ إِنْ كُنْتُمْ تُحِبُّونَ اللَّهَ فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمُ اللَّهُ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ وَاللَّهُ غَفُورٌ رَحِيمٌ (31) قُلْ أَطِيعُوا اللَّهَ وَالرَّسُولَ فَإِنْ تَوَلَّوْا فَإِنَّ اللَّهَ لَا يُحِبُّ الْكَافِرِينَ
“Thuaju (o Muhamed): Nëse e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua që Allahu do t’ju dojë dhe t’ju falë gjynahet! Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë.”
“Thuaju: Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit! Në qoftë se kthejnë shpinën, (dijeni se) Allahu me të vërtetë nuk i do jobesimtarët.” | Ali Imran: 30 – 31.
وَمَا كَانَ لِمُؤْمِنٍ وَلَا مُؤْمِنَةٍ إِذَا قَضَى اللَّهُ وَرَسُولُهُ أَمْرًا أَنْ يَكُونَ لَهُمُ الْخِيَرَةُ مِنْ أَمْرِهِمْ وَمَنْ يَعْصِ اللَّهَ وَرَسُولَهُ فَقَدْ ضَلَّ ضَلَالًا مُبِينًا
“Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur.” | El Ahzab: 36.

وَمَا آتَاكُمُ الرَّسُولُ فَخُذُوهُ وَمَا نَهَاكُمْ عَنْهُ فَانْتَهُوا وَاتَّقُوا اللَّهَ إِنَّ اللَّهَ شَدِيدُ الْعِقَابِ
“Çfarëdo që t’ju jap i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë hiqni dorë prej saj. Frikësojuni Allahut, sepse Allahu dënon vërtet ashpër.” | El Hashr: 7.

Ka dhe shumë ajete të tjera në të cilat shoqërohet bindja ndaj Allahut me bindjen ndaj Profetit ﷺ në të cilat tregohet qartë që mosndjekja, mospranimi, kundërshtimi i profetit ﷺ është kufr (mosbesim) dhe refuzimi i hadithit është refuzim i Kuranit.
Gjithashtu, hadithet e Profetit ﷺ në këtë kuptim janë të shumta.
Transmeton Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kush më bindet mua i është bindur Allahut, e kush më kundërshton mua ka kundërshtuar Allahun.” (Buhariu dhe Muslimi)
Transmeton Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Gjithë umeti (populli) im do të hyjë në Xhenet përveç atij që refuzon (që nuk do).
I thanë sahabët: E cili është ai që refuzon o i Dërguar i Allahut?
Tha Profeti ﷺ: Kush më bindet mua do të hyjë në Xhenet, e kush më kundërshton ka refuzuar.”
(Buhariu)
Transmeton Ebu Rafia se Profeti ﷺ ka thënë: “Mos të gjej dikë prej jush të mbështetur në një karrige, dhe kur i vjen diçka që kam urdhëruar apo kam ndaluar thotë: Nuk e di, çfarë gjejmë në Librin e Allahut e ndjekim.” (Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Hakimi)
Bindja e Profetit ﷺ në argumentet e mësipërme do të thotë ndjekja e asaj që na vjen në hadithe prej fjalëve të Profetit ﷺ, pasiqë fjala e Allahut është Kurani ndërsa hadithet janë fjala e Profetit ﷺ. Nëse do të ishte siç aludon personi në fjalë që na mjafton Kurani, atëherë bindja dhe ndjekja e Profetit ﷺ nuk do të kishte kuptim, dhe kuptimi i ajeteve kuranore sipas tij do të ishte: Bindjuni vetëm Allahut, dhe nuk keni nevojë t’i bindeni Profetit ﷺ.
Për rëndësinë e kësaj çështjeje (pozitës së haditheve në Islam) dijetarët e hadithit si Buhariu, Muslimi, Ebu Daudi, Tirmidhiu etj. kanë veçuar kapituj brenda librave të tyre rreth kësaj teme, e dijetarë të tjerë –të hershëm apo të mëvonshëm- kanë shkruar për këtë temë libra të vëçantë.
Ajo me çka dua ta mbyll këtë temë ështe që kuptimi i Kuranit duke lënë hadithet mënjanë është i pamundur, edhe nëse kjo nuk u pëlqen jobesimtarëve!
Po marr si shembull faljen e namazit, dhe si namazi janë edhe agjërimi, zekati, haxhi dhe dispozitat e tjera fetare; Numri i namazeve, mënyra e faljes së tyre, numri i rekateve, kushtet, shtyllat, vaxhibet dhe sunetet e namazit, dhikri i cili bëhet në çdo lëvizje të namazit, kur fillon e kur mbaron koha e secilit prej namazeve etj. të gjitha këto kanë ardhur vetëm në hadithet e Profetit ﷺ. Ai i cili pretendon se nuk ka nevojë për hadithet e Profetit ﷺ dhe se i mjafton Kurani, nuk mund të falë dot asnjë rekat namaz.
Çka është përmendur më sipër nuk është çështje që dijetarët muslimanë kanë mosmarrveshje në të, përkundrazi, të gjithë dijetarët islam janë në unanimitet që muslimani duhet të ndjek Kuranin dhe hadithet e Profetit ﷺ, e askush prej tyre nuk thotë që mjafton vetëm Kurani.
Mosmarrveshja në këtë çështje është mes muslimanëve dhe jobesimtarëve edhe nëse pretendojnë se ndjekin Kuranin dhe Islamin!
E meqë përmenda jobesimtarët, më pëlqeu që personi në fjalë në një postim i quante kundërshtarët e tij mushrikë!

Shkroi: Dr. Fatmir Strumi

Dosje: ,

Loading...