Kjo botë është vendi i sprovave dhe mundimeve

Kjo botë është vendi i sprovave dhe mundimeve!

Falënderimi i takon Allahut!

Kjo botë është vendi i përpjekjes, ndërsa ahireti është vendi i shpërblimit ose dënimit ku besimtarët do të shpërblehen me Xhenet dhe jobesimtarët do të ndëshkohen me xhehenem.

Përderisa toka e Xhenetit është e mirë, atëherë aty nuk do të hyjë askush përveç atyre që ishin të mirë. Allahu është i mirë dhe nuk pranon asgjë përveç asaj që është e mirë. Pra, ligji i Allahut me robërit e Tij është që t’i sprovojë ata me fatkeqësi dhe mundime, në mënyrë që besimtari të njihet nga mohuesi dhe të dallohet i sinqerti nga gënjeshtari, siç thotë Allahu i Lartësuar:

“Vërtet mendojnë njerëzit se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?! Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që Allahu të dallojë ata që thonë të vërtetën dhe ata që gënjejnë”. El-Ankebut: 2-3.

Fitorja dhe suksesi nuk mund të arrihen vetëm se pas sprovave të cilat bëjnë dallimin mes të mirës dhe të keqes dhe dallojnë besimtarin nga jobesimtari, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Allahu nuk i lë besimtarët në gjendjen që ndodheni ju, por do ta ndajë të keqin prej të mirit. Allahu nuk do t’ua zbulojë të fshehtën (që vetëm Ai e di).” Al Imran: 179.

Prej sprovave me të cilat Allahu i sprovon robërit e Tij për të dalluar besimtarët nga jobesimtarët, është ajo që përmendet në këtë ajet: “Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi! Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre, ata janë në rrugën e drejtë.” El-Bekare: 155-157.

Pra, Allahu i sprovon robërit e Tij, i do durimtarët nga mesi i tyre dhe i përgëzon ata me Xhenet.

Gjithashtu, Allahu i sprovon robërit e Tij me luftë, siç thotë në Kuranin famëlartë: “A mendoni se do të hyni në Xhenet pa i provuar Allahu ata që kanë luftuar prej jush dhe pa i provuar ata që kanë duruar?” Al Imran: 142.

Pasuria dhe fëmijët janë një sprovë me të cilën Allahu i sprovon robërit e Tij, për të ditur se kush do ta falënderojë Atë dhe kush do të shpërqëndrohet dhe do të harrojë Allahun:

Dijeni se pasuria dhe fëmijët tuaj janë vetëm një sprovë, dhe se padyshim që tek Allahu ka një shpërblim të madh.” El-Enfal: 28.

Kështu pra, Allahu na sprovon herë me fatkeqësi e herë me mirësi, për të dalë në shesh se kush do të falënderojë e kush do të jetë mosmirënjohës, kush do të bindet e kush do të kundërshtojë, pastaj do t’i shpërblejë ose do t’i ndëshkojë në Ditën e Kiametit:

“Ne do t’ju sprovojmë me të keqen dhe me të mirën, dhe tek Ne do të ktheheni.” El-Enbija: 35.

Sprovat vijnë në varësi të besimit ku më të sprovuarit mes njerëzve janë profetët, pastaj më të mirët (pas Profetëve) dhe kështu me radhë. Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Unë sëmurem dhe dhimbja ime është e barabartë me dhimbjen e dy burrave prej jush.” (Transmeton Buhariu: 5648)

Allahu i sprovon robërit e Tij me lloje të ndryshme sprovash. Ndonjëherë, Ai i sprovon me fatkeqësi dhe sprova për të dalluar besimtarin nga jobesimtari, të bindurin nga i pabinduri, mirënjohësin nga mosmirënjohësi. Ndonjëherë Allahu i sprovon robërit e Tij me fatkeqësi kur ata bien në gjynahe, kështu Ai i edukon përmes fatkeqësive që të kthehen tek Ai, siç thotë Allahu i Lartësuar:

“Dhe çfarëdo fatkeqësie që ju godet ajo është për shkak të asaj që keni fituar me duart tuaja. Dhe Ai fal shumë.” Esh-Shura: 30.

“Dhe me të vërtetë Ne i dënuam ata, por ata nuk iu përulën Zotit të tyre dhe as nuk iu lutën (Allahut) me nënshtrim ndaj Tij.” El-Mu’minun: 76.

E megjithatë Allahu është i mëshirshëm me robërit e Tij; Ai dërgon fatkeqësi të përsëritura mbi ta që të kthehen dhe të pendohen tek Ai, të heqin dorë nga ajo që Allahu ka ndaluar dhe kështu t’i falë ata. Allahu thotë: “Vallë, a nuk e shohin ata se çdo vit vihen në provë një ose dy herë, e prapëseprapë nuk pendohen e as nuk e mbledhin mendjen?!” Et-Teube: 126.

Prej mëshirës së Allahut është se dënimi për mëkatet ndodh në këtë botë, në mënyrë që shpirtrat e tyre të pastrohen dhe të kthehen tek Allahu para se të vdesin: “Dhe Ne do të bëjmë që të shijojnë një dënim më të lehtë në këtë jetë para dënimit më të madh në jetën e përtejme, me qëllim që të kthehen në rrugën e drejtë.” Suretu es-Sexhde: 21.

Ndonjëherë, Allahu i sprovon robërit e Tij me fatkeqësi për t’i ngritur në pozitë dhe për t’ua shlyer mëkatet, siç ka thënë Pejgamberi (salAllahu alejhi ve sel-lem): Çdo gjë që e godet muslimanin, dëm apo shqetësim – madje edhe gjembi që e shpon – me këtë Allahu do t’ia shlyejë atij mëkatet.” Buhariu me nr. 5641.

 

Shkëputje nga libri “Bazat e fesë Islame”.

Autor: Shejh Muhamed bin Ibrahim et Tuejxhiri

Përktheu: Fatjon Isufi