Komisioni i dijetarëve të mëdhenj prononcohet për rregullat në lidhje me pandeminë

March 12, 2020

Komisioni i dijetarëve të mëdhenj prononcohet për disa rregulla në lidhje me pandeminë e shkaktuar nga Korona virusi (Covid-19).

Vendim nr. 246 më datë 16/07/1441 hixhri, që përkon me datën 11/03/2020.

Komisioni i dijetarëve të mëdhenj shpalli vendimin në lidhje me epideminë që është përhapur ditët e fundit nëpër botë:

“Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve! Paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi Profetin Muhamed, familjen dhe gjithë shokët e tij!

Pas shqyrtimit të shumë pyetjeve që kanë mbërritur ditët e fundit në lidhje me masat lehtësuese për mosprezantimin në namazin e xhumasë me xhemat, në rastin e përhapjes së epidemive apo kur ekziston frika nga përhapja e tyre. U studiuan në mënyrë të gjithanshme argumentet fetare dhe ligjore, bashkë me rregullat, qëllimet dhe largpamësinë e  tyre, si dhe fjalët e dijetarëve lidhur me këtë çështje.

Bazuar në çka përmendëm, komisioni i dijetarëve të mëdhenj shpjegon si më poshtë:

1. Është haram (e ndaluar kategorikisht) për atë që është i infektuar të prezantojë namazin e xhumasë apo namazet ditore me xhemat. Sipas fjalës së Profetit (Sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): ”Të mos përzihet i sëmuri me të shëndetshmin.” (Buhariu dhe Muslimi). Bazuar gjithashtu në fjalën e tij: ”Nëse dëgjoni se murtaja ka rënë në ndonjë vend mos shkoni në atë vend. E nëse ju jeni aty, atëherë mos dilni prej atij vendi.” (Mutefekun alejhi)

2.Nëse institucionet kompetente kanë vendosur për dikë që duhet të izolohet prej të tjerëve (të karantinohet), atëherë është obligim për të zbatimi i këtij vendimi. Ai duhet të lërë prezantimin në xhuma me xhemat, dhe të falet në shtëpinë e tij apo në vendin ku është izoluar. Transmetohet se Shurejd bin Suvejd Eth-Thekafij (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: ”Në delegacionin e Thekifit (që po vinte në Medine për t’iu besatuar Profetit për hyrjen në islam) ishte një burrë me lebrozë. Atij i dërgoi Profeti (Sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) fjalë që t’i thuhej; Ty t’a kemi pranuar besën tënde, prandaj kthehu!” (Muslimi)

3.Kushdo që dyshon se mund të dëmtohet për vete apo të dëmtojë të tjerët i lehtësohet dispozita, dhe i lejohet të mos prezantojë në namazin e xhumasë apo në namazet me xhemat. Mbështetur kjo në hadithin: ”Nuk lejohet dëmtimi i vetes dhe as dëmtimi i të tjerëve.” (Ibnu Maxheh.)

Në të gjitha rastet e përmendura, nëse nuk prezanton në xhuma duhet të falë në vend të saj drekën katër rekate.

Komisioni i dijetarëve të mëdhenj i porosit të gjithë për korrektësi, përmbajtje dhe zbatim me përpikmëri të orientimeve, porosive dhe rregullave që burojnë nga institucionet kompetente.

Ashtu siç i porosit të gjithë për devotshmëri ndaj Allahut të Madhëruar, për kthimin me përgjërim dhe lutje tek i Lartësuari që t’a largojë prej nesh këtë sprovë.

Allahu i Madhëruar thotë: ”Nëse All-llahu të godet me ndonjë të keqe s’ka kush që t’a largojë atë veç Tij, e nëse të dhuron ndonjë të mirë duhet ditur se Ai është i Gjithëfuqishëm për çdo gjë.” El En’am; 17.

Gjithashtu i Madhëruari thotë: ”Zoti juaj ka thënë: Lutmuni Mua që t’iu përgjigjem!”

Paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi Profetin Muhamed, familjen dhe gjithë shokët e tij!

 

Përktheu: Mirandi Shehaj

 

Loading...