Koncepti i sprovimit në sunetin e pastër

October 11, 2023

KONCEPTI I SPROVIMIT NË SUNETIN E PASTËR

Ashtu siç e ka trajtuar Kurani Fisnik çështjen e sprovimit, po ashtu e ka trajtuar dhe suneti i pastër. Profeti, paqja qoftë mbi të, në lidhje me njeriun më të sprovuar ka thënë: Më të sprovuarit janë profetët mandej ata që i ngjajnë më tepër atyre e kështu me radhë. Njeriu sprovohet sipas fesë së tij; Nëse feja e tij është e fortë atëherë sprovimi i tij është i fortë. E nëse feja e tij është e dobët atëherë sprovimi i tij është në varësi të fesë së tij. Njeriu sprovohet vazhdimisht derisa të ecë mbi tokë duke mos i ngelur asnjë mëkat.’’(Tirmidhiu)

Ebu Hurejreh, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka transmetuar se Profeti paqja qoftë mbi të ka thënë: Besimtari dhe besimtarja sprovohen vazhdimisht në veten e tyre dhe pasurinë e tyre derisa të takohet me Allahun duke mos i ngelur asnjë mëkat.” (Ahmedi dhe Tirmidhiu)

Abdurrahman ibën Aufi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “U sprovuam kur ishim me Profetin,paqja qoftë mbi të, me vështirësi dhe duruam mandej u sprovuam pas tij me mirëqenie dhe nuk duruam.’’(Tirmidhiu)

Profeti, paqja qoftë mbi të, kërkonte mbrojtje nga sprovat dhe thoshte: “O Allah, me dijen që Ti posedon mbi të fshehtën dhe me fuqinë që Ti posedon mbi krijesat, më lër të jetoj për aq kohë sa Ti e di që jeta është më e mirë për mua dhe ma merr shpirtin kur Ti e di që vdekja është më e mirë për mua. O Allah, kërkoj që të më pajisësh me drojë ndaj Teje në fshehtësi dhe në publik. Të themë fjalën e vërtetë kur jam i kënaqur dhe kur jam i zemëruar. Të jem i mesëm në varfëri dhe në pasuri. Më fal mirësi që nuk shteron dhe lumturi që nuk ndërpritet. Bëj që të jem i kënaqur me caktimin Tënd. Më fal jetë të paqshme pas vdekjes. Ma mundëso që të shikoj fytyrën Tënde dhe të kem mall për takimin me Ty pa u përballur me ndonjë sprovë që më dëmton në fenë time. Na zbukuro me bukurinë e besimit dhe na bëj udhërrëfyes të drejtë për të tjerët!’’(Nesaiu)

“Orientimi i Muslimanëve” Xhemil Zejno

Përktheu: Rexhep Milaqi

 

Dosje: ,

Loading...