Krenaria gjendet në praktikimin e Islamit

Krenaria gjendet në praktikimin e Islamit

Prijësi i besimtarëve Umer bin el-Hatabi (radijAllahu anhu)[1] ka thënë: “Ne jemi një popull që Allahu na krenoi me Islam. Prandaj, nëse e kërkojmë krenarinë diku tjetër (e jo me Islam)  Allahu ka për të na poshtëruar.”[2]

Dobitë që përfitohen:

E para: Islami është feja e pranuar tek Allahu. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë feja e pranuar tek Allahut është vetëm Islami.[3]

E dyta: Islam do të thotë dorëzimi ndaj Allahut me teuhid, nënshtrimi ndaj Tij me bindje, dhe distancimi nga shirku e ithtarët e tij.[4]

E treta: Islami është feja e të gjithë profetëve, prej Nuhut (alejhi selam) deri tek vula e tyre Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

-Nuhu (alejhi selam): Allahu i Madhëruar thotë: “Tregoju atyre historinë e Nuhut kur i tha popullit të vet: “O populli im, nëse për ju është e rëndë prania ime midis jush dhe që t’ju përkujtoj shenjat e Allahut, (dijeni se) unë jam mbështetur vetëm tek Allahu. Prandaj, bashkë me idhujt tuaj vendosni si do të veproni dhe vendimi juaj le të mos fshihet, zbatojeni kundër meje e mos më jepni kohë! Por, nëse ktheni shpinën (dijeni se) unë prej jush nuk kërkoj kurrfarë shpërblimi. Shpërblimi im është vetëm tek Allahu. Mua më është urdhëruar të jem prej atyre që (i) nështrohen (Atij).”[5]

-Ibrahimi (alejhi selam): Allahu i Madhëruar thotë: “Ibrahimi ua dha këtë porosi fëmijëve të tij, po ashtu edhe Jakubi: O bijtë e mi! Pa dyshim, Allahu ka zgjedhur për ju fenë e vërtetë, prandaj mos vdisni ndryshe veçse duke qenë muslimanë të nënshtruar ndaj Atij!”[6]

Dhe thotë: “Ibrahimi nuk ka qenë as çifut dhe as i krishterë, por ka qenë besimtar i vërtetë (monoteist) i përulur ndaj Allahut dhe nuk ka qenë nga politeistët.”[7]

-Musai (alejhi selam): Allahu i Lartësuar thotë: “Musai tha: O populli im! Nëse besoni Allahun, mbështetuni tek Ai nëse jeni muslimanë.[8]

-Isai i biri i Merjemes (alejhi selam): Allahu i Madhëruar thotë: “Kur Isai vuri re mosbesimin e tyre, tha: Kush janë ndihmuesit e mi në rrugën e Allahut? Nxënësit (e tij) u përgjigjën: Ne jemi ndihmuesit e (fesë së) Allahut. Ne e besojmë Allahun e ti (Isa) dëshmo se ne (i) jemi nënshtruar (Atij).”[9]

-Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: Unë jam urdhëruar që t’a adhuroj Allahun me përkushtim të sinqertë. Unë jam urdhëruar të jem i pari nga ata që i nënshtrohen Atij.”[10]

E katërta: Islami është fe e plotësuar. Allahu i Lartësuar thotë: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time dhe zgjodha për ju Islamin fe.”[11] Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Islami është plotësuar me vdekjen e të Dërguarit të Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Për adhurimet me të cilat muslimani synon të afrohet tek Allahu i Lartësuar, çështja e tyre është vulosur dhe ka përfunduar (është caktuar) numri i tyre. Prandaj, ai s’mund të shtojë diçka mbi to qoftë edhe një shkronjë të vetme.”[12]

E pesta: Islami është begatia më e madhe e Allahut ndaj robëve të tij. Shejh Ibën Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: Prej mirësive më të mëdha që Allahu i Lartësuar na ka begatuar është mirësia e Islamit, fe me të cilën Allahu i Lartësuar dërgoi Muhamedin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) vulën e të dërguarve. Fe nga e cila Allahu i Lartësuar humbi shumë prej krijesave të Tij dhe neve na udhëzoi në të, e për Allahun janë falënderimet dhe lavdërimet. Nisur nga kjo është detyrë për ne që t’a falënderojmë Allahun për këtë mirësi, t’a njohim atë me zemrat tona, t’a shprehim me gjuhët tona dhe t’a falënderojmë Allahun për këtë me gjymtyrët tona.[13]

E gjashta: Me Islamin dhe Kuranin le të gëzohen muslimanët. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij, vetëm me këto le të gëzohen.[14]  Shejh Salih el-Feuzani (Allahu e ruajtë!) thotë: Dhuntia (begatia) e Allahut është Islami, ndërsa mëshira e Tij është Kurani. Prandaj, le të gëzohen me Islamin dhe Kuranin.[15]

E shtata: Krenaria e vërtetë është në kapjen fort në Islam, në pasimin e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), në bindjen ndaj Allahut dhe ndaj të Dërguarit të Tij, dhe në moskundërshtimin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij.[16]

E teta: Islami është feja jonë dhe ai tek ne ka shumë të drejta. Prej tyre:

-T’a kuptojmë atë (Islamin) me një kuptim të saktë duke e mësuar atë.

-T’a marrim atë (Islamin) nga Kurani dhe Suneti autentik ashtu siç e kanë kuptuar të parët e mirë të këtij umeti.

-T’a praktikojmë në përditshmërinë tonë dhe jetën tonë t’a ndërtojmë sipas mësimeve të tij.

-T’a përcjellim atë tek të tjerët.

-Të krenohemi me të, sepse; “krenaria është e Allahut, e të Dërguarit të Tij dhe e besimtarëve, por hipokritët nuk e dinë.[17]

 

Shkëputur nga: “Perla dhe margaritarë nga dijetarët tanë”

Përgatiti: Unejs Sheme

—————————————

[1] Ai është Ebu Hafsa Umer bin el-Hatabi. E ka pranuar Islamin në vitin e pestë (thuhet dhe në vitin e gjashtë) të dërgimit të Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) si profet dhe i dërguar i Allahut. Islami i tij ka qenë krenari ku me të Allahu e bëri triumfues Islamin, siç ka thënë Abdullah bin Mesudi (radijAllahu anhu): “Krenaria jonë vazhdonte të shtohej që kur Umeri pranoi Islamin.” Shënon Buhariu në “Sahihun” e tij (3684 dhe 3863).

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) vëllazëroi mes tij dhe Ebu Bekër es-Sidikut (radijAllahu anhuma). I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Këta të dy (Ebu Bekri dhe Umeri) janë dëgjimi dhe shikimi (im).” Ai ra dëshmor (shehid) në kohën e namazit të sabahut në xhaminë e Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) nga fundi i muajit Dhul Hixhe të vitit 23 hixhri. Shih. “Mu’xhemus-Sahabeh” (4/308) i Begaviut, “Eth-Thikat” 2/190) i Ibën Hiban, “Tarihu Dimeshk” (44/3), “Esedul-Gabeh” (4/137) dhe “Tarihul-Islam” (2/138). I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e ka përgëzuar Umerin (radijAllahu anhu) me xhenet. Hilafeti i tij zgjati dhjetë vite, e gjashtë muaj e disa ditë.

[2] Shih “Ez-Zuhd” të Ibën el-Mubarekut, “El-Musanef” Ibën Ebi Shejbeh, “El-Mustedrak” El-Hakimi, “El-Hiljeh”, “Fetaua el-Lexhneh ed-Daimeh” (24/46) etj.

[3] Ali Imran: 19.

[4] Shejh Ibën Bazi (Allahu e mëshiroftë!) në “Mexhmu fetaua ue mekalat” (2/203).

[5] Junus: 71-72.

[6] El-Bekare: 132.

[7] Ali Imran: 67.

[8] Junus: 84.

[9] Ali Imran: 52.

[10] Ez-Zumer: 11-12.

[11] El-Maideh: 3.

[12] “El-Huda uen-Nur” (78).

[13] “Durusun ue fetaua minel-Haramejn esh-Sherifejn”, vëll. 10.

[14] Junus: 58.

[15] Shkëputur nga shpjegimi i librit “Sherh es-Sunneh” të Imam El-Berbeharit (Allahu e mëshiroftë!).

[16] “Fetaua el-Lexhneh ed-Daimeh”, vëll. 24.

[17] El-Munafikun: 8.