Kulmi i begatisë së Ramazanit gjendet në dhjetë netët e fundit të tij

Kulmi i begatisë së Ramazanit gjendet në dhjetë netët e fundit të tij! Midis atyre netëve gjendet Nata e Kadrit e cila është e dalluar për shumë veçori, ndër të cilat përmendim:

1 – Zbritja e Kuranit në këtë natë. Argument për këtë është fjala e Allahut të Madhëruar: “Ne e kemi zbritur atë (Kuranin) në Natën e Kadrit.” (El Kadr; 1)

2 – Punët e mira në këtë natë shumëfishohen. Kjo veçori është ndër shkaqet kryesore që e bëjnë atë natë më
të vlefshme se një mijë muaj, siç thotë Allahu në Kuran: “Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj.” (El Kadr; 3)

3 – Këtë natë zbresin engjëjt dhe veçanërisht engjëlli Xhibril, siç thotë Allahu në Kuran: “Në të zbresin engjëjt dhe
Shpirti (Xhibrili) me caktimin e çdo gjëje.” (El Kadr; 4)

4 – Kush e kalon këtë natë duke u falur dhe duke adhuruar Zotin i falen të gjitha gjynahet e kaluara, siç ka thënë Profeti (paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të): “Kush e përjeton natën e Kadrit me adhurim ndaj Zotit, me besim të sinqertë dhe duke shpresuar shpërblimin, do t`i falen mëkatet që i ka bërë më herët.”
(Transmeton Buhariu dhe Muslimi)

Për të arritur begatinë e kësaj nate, Profeti (paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) i kalonte dhjetë ditët e fundit të Ramazanit i ngujuar në xhami (bënte itikaf), siç tregon Aishja (radijAllahu anha): “Profeti (paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi të) ka bërë itikaf në dhjetë-ditëshin e fundit të çdo Ramazani, derisa ndërroi jetë.”
(Transmeton Buhariu dhe Muslimi)