Kuptimi i dëshmisë: La ilahe il-la Allahu
(Nuk e meriton adhurimin me të drejtë askush tjetër përveç Allahut)
Kjo dëshmi përmban në veten e saj mohimin dhe refuzimin e adhurimit ndaj dikujt tjetër përveç Allahut dhe pohimin se adhurimi i takon vetëm Atij (Allahut).
- Allahu i lartësuar ka thënë: “Dije se nuk e meriton adhurimin askush përveç Allahut”. Surja: Muhamed: 19.
Dituria për domethënien dhe kuptimin e kësaj fjale është më parësore se sa të gjitha shtyllat e Islamit.
- Pejgamberi (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: ‘Ai i cili thotë se nuk e meriton adhurimin askush përveç Allahut duke qenë i sinqertë, ai do të hyjë në xhenet.’ Hadithi është i saktë e transmeton imam Ahmedi.
I sinqertë në thënien e kësaj fjale do të thotë që ai e kupton këtë fjalë, punon me të dhe i fton të tjerët në këtë fjalë para gjërave të tjera. Sepse në këtë fjalë është teuhidi (njëshmëria e Allahut) për të cilin Allahu e ka krijuar mbarë gjithësinë.
- I dërguari i Allahut (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) i tha xhaxhait të tij Ebu Talibit në momentin kur ai po jepte shpirt: ‘O xhaxhai im! Thuaj: la ilahe il-la Allah (nuk e meriton adhurimin me të drejtë askush përveç Allahut), fjalë të cilën do ta kem si argument përpara Allahut. Por ai refuzoi që ta thoshte këtë fjalë.’ Hadithin e transmeton imam Buhariu dhe imam Muslimi.
- I dërguari i Allahut (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) qëndroi në Meke trembëdhjetë vite duke i ftuar arabët e duke u thënë atyre: Thoni: Nuk e meriton adhurimin me të drejtë askush përveç Allahut! Ata thanë: Një i adhuruar i vetëm?! Këtë se kemi dëgjuar më parë! Kjo tregon se arabët e kuptuan këtë fjalë dhe se ai i cili e thotë këtë fjalë nuk i lutet dikujt tjetër përveç Allahut, ndaj ata nuk pranuan që ta thoshin dhe e refezuan atë fjalë. Allahu i lartësuar ka thënë për ta: “Atyre kur u thuhej: nuk e meriton adhurimin me të drejtë askush tjetër përveç Allahut, ata tregoheshin mendjemëdhenj dhe thoshin: A vallë ne të heqim dorë prej të adhuruarve që kemi për shkak të një poeti të çmendur?! Përkundrazi ai u erdhi atyre me të vërtetën dhe ka pohuar atë që thonin të dërguarit e mëparshëm.” surja: es-Safat: 35-37.
Pejgamberi (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: ‘Ai i cili dëshmon se nuk e meriton adhurimin me të drejtë askush tjetër përveç Allahut, si dhe refuzon adhurimet e tjera përveç Allahut atëherë ai e ka të mbrojtur pasurinë e tij dhe gjakun e tij. Hadithin e transmeton imam Muslimi.
Kuptimi i këtij hadithit do të thotë se: Ai i cili e shqipton këtë dëshmi (la ilahe il-la Allahu) duhet me doemos që të mohojë dhe refuzojë adhurimet e tjera që u dedikohen të tjerëve përveç Allahut, si lutjet që u drejtohen të vdekurve etj.
Ajo që është e habitshme është fakti se disa prej muslimanëve e thonë këtë fjalë me gjuhët e tyre, por e kundështojnë kuptimin e kësaj fjale me veprat e tyre duke iu lutur të tjerëve në vend të Allahut!!
- Fjala ‘la ilahe il-la Allahu’ (nuk e meriton adhurimin me të drejtë askush përveç Allahut) është baza e teuhidit (njëshmërisë së Allahut) dhe baza e Islamit. Kjo fjalë është metodë e plotë e jetës e cila arrihet duke i përkushtuar që të gjitha adhurimet vetëm Allahut. Kjo ndodh atëherë kur muslimani i nështrohet Allahut, e lut vetëm Atë, si dhe gjykohet me ligjin e tij dhe jo me ligje të tjera.
- Dijetari i madh Ibn Rexheb el-Hanbeli (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: ‘I adhuruar është Ai ndaj të cilit bindesh dhe nuk e thyen urdhërin e tij nga nderimi dhe madhërimi që ke ndaj Tij, si dhe nga dashuria frika dhe respekti që ke për Të, mbështetjes që ke tek ai, dhe lutjes që i drejton Atij. Të gjitha këto nuk i meriton askush tjetër përveç Allahut të lartësuar. Ai i cili ia dedikon ndonjë krijeseje diçka nga këto që përmendëm më lart, gjëra të cilat janë të posaçme vetëm për të adhuruarin, atëherë ai ka cënuar sinqeritetin e tij ndaj fjalës që ka thënë: ‘la ilahe il-la Allahu’ (nuk e meriton adhurimin me të drejtë askush tjetër përveç Allahut) dhe kështu që ai kthehet në robin e krijesës në varësi të asaj që ai bën kundrejt krijesës.’
- Fjala ‘la ilahe il-la Allahu’ i bën dobi atij që e thotë këtë fjalë, nëse ai nuk e cënon këtë fjalë me idhujtari. Njëjtë si abdesi që është i vleshëm deri sa nuk cënohet me prishjen e tij.
I dërguari i Allahut (paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: ‘Ai i cili e ka fjalën e tij të fundit: ‘la ilahe il-la Allahu’ (nuk e meriton adhurimin me të drejtë askush tjetër përveç Allahut) ai do të hyjë në xhenet.’ Hadithi është hasen (i mirë), e transmeton imam el-Hakim.
“Rruga e grupit të shpëtuar”
Xhemil Zejno
Përktheu: Ylli Rama
Dosje: Besimi
Të Ngjashme
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Kur pasionet bëhen idhull dhe Zot Ibën Rexheb el Hanbeli
- A mund të ndikojë mësyshi edhe në këtë rast? Emin Bilali
- Si ka mundësi që Allahu ua jep dynjanë jobesimtarëve?! Emin Bilali
- Cilat ishin fjalët e fundit që tha Profeti para se të largohej nga kjo botë? Udha e Besimtarëve