Ebu Davudi përcjell në Sunenin e tij me nr. 198 nga Xhabir ibn Abdullahu, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili ka thënë:
“Dolëm me të Dërguarin e Allahut ﷺ në betejën e Dhaturr-Rika, dhe një burrë prej muslimanëve vrau gruan e një idhujtari. Burri i saj u betua duke thënë: Nuk do të ndalem derisa të derdh gjak mes shokëve të Muhamedit! – e pastaj doli të ndjekë gjurmët e Profetit ﷺ.
Kur i Dërguari i Allahut ﷺ u ndal në një vend për pushim, tha:
Kush do të qëndrojë roje për ne?
Një burrë prej muhaxhirëve dhe një prej ensarëve u ofruan, dhe Profeti ﷺ u tha: Qëndroni në hyrje të kësaj gryke.
Kur arritën në hyrje të grykës, muhaxhiri u shtri të flejë ndërsa ensari u ngrit në namaz. Idhujtari erdhi, dhe kur pa siluetën e tij e kuptoi se ishte roje për ushtrinë, dhe kështu e qëlloi me një shigjetë që i hyri në trup. Ensari e nxori shigjetën dhe vazhdoi namazin. Ai e qëlloi për së dyti, e pastaj për së treti.
Atëherë ai u përkul në ruku e pastaj ra në sexhde. Më pas shoku i tij (muhaxhiri) u përmend, dhe kur pa gjakun në trupin e ensarit, tha:
SubhanAllah! Përse nuk më zgjove që në shigjetën e parë?
Ai tha: Po lexoja një sure dhe nuk desha ta ndërprisja.”
Këtë hadith e ka vlerësuar me zinxhir të mirë (hasen) shejh Albani në “Sahih Sunen Ebi Davud” me nr. 193.
🔹 Komentimi dhe mësimet nga hadithi:
Jeta e Profetit ﷺ dhe e shokëve të tij mbetet burim i pashtershëm frymëzimi. Jeta e tyre ishte shembull i besimit të fortë dhe dashurisë së sinqertë për Allahun dhe të Dërguarin e Tij.
– Në këtë hadith, Xhabir ibn Abdullahu rrëfen duke thënë: “Dolëm bashkë me të Dërguarin e Allahut ﷺ (duke nënkuptuar betejën e Dhaturr-Rika).”
Ndërsa dijetarët kanë pasur mendime të ndryshme në përcaktimin e kohës së saktë të kësaj beteje:
– disa kanë thënë se ajo ndodhi në vitin e katërt hixhri,
– të tjerë kanë thënë në vitin e pestë,
– dhe një grup tjetër që është më i saktë sipas shumë studiuesve të njohur ka thënë se ajo ndodhi pas betejës së Hajberit, dhe këtë mendim e kanë përkrahur shumica e kërkuesve (studiuesve verifikues).
– Profeti ﷺ doli drejt krahinës së Nexhdit për tu përballur me fiset Benu Muharib dhe Benu Thalebeh bin Sead bin Gatafan. Kjo betejë u quajt Dhaturr Rrika, sepse muslimanët u përballën me lodhje dhe vështirësi të shumta aq sa këmbët e tyre u çanë nga ecja dhe i lidhën me copa pëlhure, prandaj edhe beteja mori këtë emër.
– Ai (Xhabiri) tha: “Një burrë (nga myslimanët) e qëlloi një grua të një burri prej idhujtarëve”, që do të thotë se e vrau atë.
Atëherë burri i asaj gruaje idhujtare u betua dhe vendosi me ngulm, duke thënë: “Nuk do të ndalem – pra nuk do të kthehem pas, derisa të derdh gjak prej shokëve të Muhamedit ﷺ”, – d.m.th. derisa të vras dhe të marrë hak ndaj myslimanëve për vdekjen e gruas së tij që të hakmerret për të.
Pastaj ai doli duke ndjekur gjurmët e të Dërguarit të Allahut ﷺ, që do të thotë se ndiqte shenjat e hapave të Profetit dhe të ushtrisë së tij.
“Atëherë i Dërguari i Allahut ﷺ u ndal në një vend për të pushuar e për të kaluar natën. Pastaj ai tha:
“Kush është ai që do të na ruajë sonte?” – d.m.th. kush do të qëndrojë roje ndërsa ne flemë?
U ofruan menjëherë një burrë nga muhaxhirët dhe një burrë nga ensarët, pra dy burra iu përgjigjën thirrjes së Profetit ﷺ dhe dëshironin të merrnin përsipër ruajtjen.
Profeti ﷺ u tha atyre: “Qëndroni në hyrjen e shtegut (të grykës)”, d.m.th. në vendin e hyrjes së tij. Fjala shib nënkupton rrugën që kalon midis dy maleve.
Xhabiri rrëfen: Kur ata të dy dolën te hyrja e grykës, muhaxhiriu u shtri për të fjetur ndërsa ensariu u ngrit për të falur namaz, duke ruajtur në të njëjtën kohë njerëzit.
Pastaj ai erdhi (mushriku idhujtar), dhe kur pa siluetën e ensarit e kuptoi menjëherë se ishte një rojtar që ruante ushtrinë.
Atëherë mushriku e qëlloi me një shigjetë e cila e goditi ensarin dhe u ngul në trupin e tij. Ai e nxori shigjetën dhe vazhdoi të qëndronte në këmbë duke u falur.
Mushriku e qëlloi për herë të dytë dhe të tretë, por ai prapë nuk e ndërpreu faljen. Vetëm pasi e goditi me tre shigjeta, ensari u përkul për në ruku e më pas ra në sexhde.
Në atë çast shoku i tij muhaxhiri u zgjua dhe pa gjakun që rridhte nga trupi i ensarit. Kur mushriku e kuptoi se ata e kishin vënë re dhe e kishin zbuluar, u largua me vrap.
Muhaxhiri i tha: “SubhanAllah! Pse nuk më zgjove që në goditjen e parë?
Ensari iu përgjigj: Unë isha duke lexuar një sure dhe nuk më pëlqeu ta ndërprisja!”
Ai zgjodhi të përfundonte leximin e Kuranit përkundër dhimbjes dhe gjakut që rridhte, sesa të ndalonte adhurimin për të shpëtuar nga rreziku. Kjo është një dëshmi e thellësisë së përkushtimit, përulësisë dhe dashurisë së tij për namazin.
Marrë nga libri: “Ed Durar es Senije”
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: Histori
Të Ngjashme
- U nis me trup të lodhur por me zemër të gjallë Udha e Besimtarëve
- Ambicia nuk njeh moshë Udha e Besimtarëve
- Si nisi Orientalizmi; gjurmët e fshehta të misionit të Raymond Lull Udha e Besimtarëve
- Mësime nga Hendeku: Sinqeriteti dhe qëndrueshmëria e besimtarëve përballë hipokrizisë Udha e Besimtarëve
- Ofensiva e mongolëve në territoret muslimane Udha e Besimtarëve