Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur ndonjë prej jush i afrohet bashkëshortes së tij, le të thotë: Bismil-lah, Allahumme xhennibna esh-shejtan ue xhennibish-shejtane më razektena.[1] Nëse nga ajo marrëdhënie është e caktuar që të kenë fëmijë, shejtani kurrë nuk do ta dëmtojë atë.” Buhariu dhe Muslimi
Fjala e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Kur ndonjë prej jush i afrohet bashkëshortes së tij” d.m.th. kryen marrëdhënie intime me bashkëshorten e tij.
- Autori[2] (Allahu e mëshiroftë!) e ka sjellur këtë hadith për t’u argumentuar me të se është e pëlqyeshme përmendja e Allahut[3] kur merr abdes. Derisa është e pëlqyeshme (mustehab) përmendja e Tij gjatë kryerjes së marrëdhënieve intime, atëherë në marrjen e abdesit kjo është më parësore.
Dijetarët kanë mendime të ndryshme përsa i përket gjykimit të thënies “Bismil-lah” kur merr abdes:
Fjala e parë: Ajo është vaxhib.
Kjo është fjala e dhahirijeve dhe një transmetim nga imam Ahmedi, të cilët e kanë zgjedhur dhe disa nga ndjekësit e tij. Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Kjo është më e sakta.” Bazuar në hadithin që e transmeton Ebu Hurejra radijAllahu anhu: “Nuk ka abdes ai që nuk përmend emrin e Allahut.” Pra, abdesi nuk është i saktë.
Fjala e dytë: Është sunet dhe jo vaxhib.
Kjo është fjala e shumicës së dijetarëve. Ky është mendimi i Ibën Kudames, Ibën el-Mundhiri, Ibën Kethiri dhe shejh Ibën Bazit (Allahu i mëshiroftë!). Bazuar në fjalën e Allahut të Madhëruar: “O ju që keni besuar, kur të ngriheni për të falur namazin, atëherë lani…” Allahu Madhëruar në këtë ajet nuk ka urdhëruar për përmendjen e Tij (thënien Bismil-lah).
Po ashtu hadithi që e transmeton Abdullah bin Amër radijAllahu anhu se: Një burr erdhi tek Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe i tha: O i Dërguari i Allahut, si është forma e pastrimit (abdesit)? Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kërkoi ujë dhe filloi të lante duart e tij tri herë, pastaj lau fytyrën e tij tri herë…” Transmeton Ebu Daudi.
Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i përshkroi formën e abdesit dhe nuk ia përmendi thënien “Bismil-lah”.
Gjithashtu fjala e tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem drejtuar personit (beduinit): “Merr abdes ashtu siç të ka urdhëruar Allahu…” hadithi. Në të nuk përmendet thënia “Bisml-lah”. E kjo tregon se ajo nuk është vaxhib, sepse nëse do ishte vaxhib Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem do ia mësonte personit.
Sahabët të cilët kanë përshkruar formën e marrjes së abdesit të Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ata janë Uthmani, Abdullah bin Zejd, Aliu, Abdullah bin Amer etj., askush prej tyre nuk ka përmendur se ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë “Bismil-lah” në fillim të abdesit. Nëse thënia “Bismil-lah” do ishte vaxhib, ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk do e linte atë dhe po ashtu sahabët do e kishin transmetuar.
Ndërsa hadithi “Nuk ka abdes ai që nuk përmend emrin e Allahut” d.m.th. nuk ka abdes të plotë ai që nuk përmend Allahun në të. Allahu e di më së miri!
- Hadithi është argument se është e pëlqyeshme (mustehab) që burri ta thotë këtë lutje para se të filloj kryerjen e marrëdhënieve intime me bashkëshorten e tij.
- Këtë lutje e thotë vetëm burri dhe jo gruaja.
- Nuk ka asnjë lutje specifike që gruaja duhet ta thotë para kryerjes së marrëdhënieve.
- Bereqeti dhe mirësia e përmendjes së emrit të Allahut.
- Përmendja e Allahut e largon shejtanin e mallkuar. Siç ka thënë Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Kur njeriu futet në shtëpi e tij e thotë “Bismil-lah” dhe kur ha ushqim thotë “Bismil-lah”, shejtani thotë (shejtanëve të tjerë): “Nuk ka vend dhe as ushqim për ju këtu.“Muslimi
- Armiqësia e ashpër e shejtanit ndaj njeriut. Allahu Madhëruar thotë: “mos ndiqni gjurmët e djallit, sepse ai është njëmend armiku juaj i hapur. Ai ju nxit vetëm në të këqija, në vepra të turpshme dhe të flisni për Allahun gjëra që nuk i dini”.El-Bekare, 168-169.
“Me të vërtetë, djalli është armik për ju, andaj vështrojeni si armik! Ai vetëm i josh ithtarët e vet, që të bëhen shokë të zjarrit të përflakur”. Fatir 6.
- Kërkohet nga baballarët që të tregojnë kujdes në kryerjen e shkaqeve, të cilat ndikojnë në përmisimin e fëmijëve të tyre. Disa dijetarë kanë thënë: “Kjo lutje është prej të drejtave të fëmijëve tek baballarët e tyre.”
- Duhet që njeriu në të gjitha çështjet e tij të kërkojë ndihmën e Allahut të Madhëruar dhe mos të mbështetet tek vetja e tij.
Përktheu: Unejs Sheme
[1] Me emrin e Allahut! o Allah, na e largo shejtanin prej nesh dhe prej atij që do të na furnizosh..
[2] Imam Buhariu
[3] Thënia “Bismil-lah”.
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve