Kush është sihariqi që i jepet besimtarit në jetën e kësaj bote?

Kush është sihariqi që i jepet besimtarit në jetën e kësaj bote?

Dhe kush është sihariqi që i jepet besimtarit të devotshëm në jetën e përtejme?

Allahu thotë: ”Atyre u takon sihariqi në këtë jetë dhe në jetën tjetër”

D.M.TH. Për ta janë dy sihariqe, një sihariq në këtë jetë dhe një tjetër në jetën tjetër.

Shpjegimi i sihariqit të kësaj jete është qartësuar përmes teksteve që janë përcjellur në këtë temë.

Në hadithin e saktë është cekur se Profeti ynë a.s. u pyet në lidhje më atë person i cili kryen një vepër të mirë për të cilën njerëzit e lëvdojnë d.m.th. flasin mirë për të, filani është ashtu e kështu…Profeti a.s. tha: ”Ai është sihariqi i përshpejtuar i besimtarit”(Muslimi) Kjo përfshihet në ajetin në fjalë ”Atyre u takon sihariqi në këtë jetë…”

Pra ky është sihariqi i përshpejtuar i besimtarit që të përmendet në mesin e njerëzve për mirë. Në këtë çështje merret për bazë fjala e njerëzve të mirë, që janë fetarë dhe të rregullt. Pra, të përmendet midis tyre për mirë. Të përmendin veprat e tij, të thonë: filani është për mashallah, atij nuk i shpëton tekbiri fillestar i namazit, filani është për mashallah ai tregon kujdes të madh ndaj namazit, filani është për mashaallah ai jep lëmoshë shumë. Ai nuk i ka bërë ato që ta lëvdojnë por i ka bërë për hir të Allahut. Mirëpo fjalët e mira janë pjesë e sihariqit të përshpejtuar për besimtarin. Njerëzit flasin mirë për të dhe e lëvdojnë. Poashtu përcillet në hadith të saktë se Ubadeh bin Samit r.a. e pyeti Profetin a.s. lidhur me fjalën e Allahut të Madhëruar ”Atyre u takon sihariqi në këtë jetë…” Profeti a.s. i tha: ”Ajo është ëndrra e mirë që e sheh besimtari ose e shohin për të”(Tirmidhiu)

Kjo gjithashtu bën pjesë në sihariqin e përshpejtuar që besimtari të shohë në ëndërr diçka që e lumturon, e përgëzon dhe e gëzon. Ose e takon vëllai i tij dhe i thotë që kam parë në ëndërr se ti ishe kështu e ashtu…gjëra që e gëzojnë atë. Kjo pra është gjithashtu pjesë e sihariqit të përshpejtuar të besimtarit. Gjithashtu prej sihariqit të përshpejtuar për besimtarin në këtë jetë është që njeriu të ndihet mirë kur bën mirësi dhe adhurime, gëzohet me adhurimet dhe ndihet keq nga ligësia dhe qëndron larg saj.

Kjo gjithashtu është prej sihariqit të përshpejtuar të besimtarit. Në hadith të saktë thuhet se Profeti a.s. ka thënë: ”Ai që  gëzohet nga e mira e tij dhe ndihet keq nga e keqja e tij, ai është besimtar”(Ahmedi) Fraza ” Gëzohet nga e mira e tij” d.m.th. ndihet mirë prej veprës së mirë dhe adhurimit, dhe është i zellshëm në bërjen e tyre, ndihet keq nga mëkatet, nga e keqja dhe nga shthurja. Kjo është pjesë e sihariqit të përshpejtuar të besimtarit. Gjithashtu prej sihariqit të përshpejtuar për besimtarin në këtë jetë që përfshihet në ajetin e Kuranit është përgëzimi që i jepet besimtarit kur i vijnë engjëjt për t’i marrë shpirtin. Thuaju: ” Engjëlli i vdekjes, ua merr shpirtrat…”(32:11)

Kur vjen engjëlli i vdekjes për t’i marrë shpirtin, para se t’i merret shpirti ai përgëzohet Kjo gjë përfshihet në fjalën e Allahut  ”Atyre u takon sihariqi në këtë jetë” Përcillet në hadith se kur vjen engjëlli i vdekjes, zbresin engjëjt dhe engjëjt e mëshirës të cilët qëndrojnë mbi të vdekurin në numër të shumtë, sa sheh syri, dhe kur engjëlli i vdekjes ia merr shpirtin ata nuk e lënë në dorën e tij as edhe një çast të vetëm. Ata e vendosin atë në një pëlhurë të parfumosur prej Xhenetit.

Përcillet gjithashtu se atij i thuhet: Gëzohu për një prehje dhe kënaqësi dhe për takimin me Zotin e Pa zemëruar. Ai përgëzohet me këto fjalë. Për këtë dëshmon Kurani Famëlartë në fjalën e Allahut të Madhëruar: ”Padyshim, ata të cilët thanë, Zoti ynë është Allahu dhe më pas iu përmbajtën asaj, mbi ta zbresin engjëjt dhe u thonë, mos kini frikë e as mos u pikëlloni, përgëzim për ju është Xheneti i cili u qe premtuar, Ne jemi përkrahësit tuaj në jetën e dynjasë dhe në jetën tjetër, në të ka për ju çfarë të dëshironi dhe çfarë të kërkoni, mikëpritje nga Mëkatfalësi, Mëshiruesi” (Allahut Bujar i kërkojmë nga mirësitë e Tij)  Engjëjt zbresin me këto sihariqe: mos u frikëso, mos u pikëllo, përgëzohu!.

Pjesë e zbritjes së engjëjve është edhe zbritja e tyre kur i merret shpirti besimtarit me ç’rast ata e përgëzojnë atë, e qetësojnë dhe bëjnë që ai të ndihet i gëzuar, sakaq shpirti i tij del duke qenë i lumtur dhe i gëzuar. Kjo e shpjegon atë që e vënë re dis njerëz tek ai njeri i cili dallohej për devotshmërinë e tij, ata vënë re tek ai, edhe pse ka vdekur dhe i ka dalë shpirti, se mbi fytyrën e tij është evident gëzimi,shkëlqimi,kënaqësia dhe qetësia.  Kjo ndodh sepse shpirti i tij është përgëzuar dhe është lumturuar dhe gëzuar para se të dilte nga trupi me sihariqin e madh. Allahu thotë: ” Vini re, miqtë e Allahut janë ata të cilët as do të frikësohen e as pikëllohen, ata të cilët besuan dhe u ruajtën” Këta janë ata të cilët do të marrin sihariqin. Ata që kanë: besim,devotshmëri dhe vepra të mira si u përmend më herët.

Shejh: Abdurrezak el Bedr

Përktheu: Rexhep Milaqi