Kush ishte sekti famëkeq i Karamitëve?

November 27, 2024

Sot do të flasim për një ngjarje historike unike që nuk është përsëritur as më parë dhe as më pas. Një ngjarje jashtëzakonisht e rrezikshme, ku u shfaqën njerëz që pamjen e kishin si të njerëzve por në realitet ishin përbindësha të egër, madje djaj të vërtetë. Ata ishin Karamitët të cilët kryen një nga skandalet më të mëdha në botën islame.

Cila ishte historia e tyre? Si u shfaqën dhe çfarë bënë në botën islame?

Në vitin 278 hixhri, pikërisht në Kufa, u shfaq një burrë me emrin Hamdan el Karamiti. Hamdani i cili jetonte në Kufa ishte person që meditonte dhe humbiste në mendimet e tij. Pas një kohe ai vendosi të krijonte një lëvizje të re dhe të kishte ndjekës. Për këtë qëllim ai krijoi një qendër të quajtur Daru’l hixhre (Shtëpia e emigrimit), dhe filloi të predikonte ide dhe parime që ishin në kundërshtim me Islamin por i paraqiti ato nën emrin e Islamit.

Në atë kohë ekzistonte Kalifati Abasid, dhe kalifi abasid ishte kryesisht një figurë simbolike pa autoritet të madh. Pas kësaj Hamdani mblodhi një grup të madh ndjekësish rreth tij, dhe lëvizja e tij filloi të prodhonte fryte. Një nga vendimet që mori Hamdani ishte vendosja e një takse mbi të gjithë ndjekësit e tij, ku secili duhej të paguante një shumë të caktuar qoftë mujore, ditore apo vjetore. Këto para përdoreshin për të financuar lëvizjen e tij duke joshur kështu njerëzit dhe duke rritur numrin e ndjekësve.

Kjo lëvizje vazhdoi të rritej derisa erdhi një burrë me emrin Ebu Seid el Xhenabi. Ky person ishte moralisht i korruptuar dhe nga pikëpamja etike nuk përfaqësonte aspak një njeri të ndershëm. Ai arriti ta transformonte lëvizjen tërësisht duke e çuar nga devijimi në një devijim edhe më të skajshëm.

Ebu Seid el Xhenabi vendosi të krijonte një qendër për këtë lëvizje në qytetin Hixhr në El Ahsa, në lindje të Gadishullit Arabik.

Pas themelimit të qendrës në El Ahsa në lindje të Gadishullit Arabik, thirrja e Karamitëve u përhap me shpejtësinë e zjarrit në barin e thatë dhe numri i ndjekësve të tyre u rrit ndjeshëm. Doktrinat e tyre përfshinin heqjen e detyrimeve themelore fetare si; agjërimi, falja dhe ritet e tjera. Ata besonin se nuk kishte ringjallje në ditën e gjykimit dhe se parajsa ishte thjesht kënaqësia e jetës në këtë botë. Ndërsa për ta vuajtja ishte përkushtimi ndaj rregullave fetare si; agjërimi, falja dhe pelegrinazhi.

Nga këndvështrimi i tyre fetar agjërimi përkufizohej si ruajtja e fshehtësisë, udhëzimi drejt sektit të tyre quhej ringjallje, ndërsa profeti konsiderohej një njeri i zakonshëm që ishte ndriçuar nga drita e shenjtërisë dhe kështu ishte bërë profet. Sa i përket Kuranit ata e shihnin si përkufizimin e dijes që kishte arritur tek Profeti.

Karamitët besonin në ekzistencën e dy perëndive ku njëri ishte shkaku i ekzistencës së tjetrit. Sipas tyre, perëndia i parë e kishte krijuar botën përmes perëndisë së dytë dhe jo drejtpërdrejt. Ata përpiqeshin t’i përhapnin këto ide devijuese nën emrin e dashurisë për familjen e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem (Ehlul bejt).

Për këtë arsye dijetarët islamë, veçanërisht ata të Ehli Sunetit, e përshkruan këtë sekt si një nga më heretikët duke e konsideruar atë një grup ateist me plot meritë. Përhapja e doktrinave të tyre arriti deri te kalifi abasid i asaj kohe, El Mutadid, i cili vendosi të dërgonte një ushtri të madhe për ta shkatërruar këtë sekt.

Ebu Seid el Xhenabi dëgjoi për nisjen e ushtrisë abaside dhe mblodhi forcat e Karamitëve për tu përballur me ta. Të dy ushtritë u përleshën në një betejë të ashpër e cila përfundoi me fitoren e Karamitëve dhe disfatën e ushtrisë abaside. Komandanti i ushtrisë abaside Ibn Omeri, dhe shumë ushtarë të tjerë u kapën rob.

Ebu Seid el Xhenabi urdhëroi që të gjithë robërit të cilët ishin në numër të madh të digjeshin të gjallë. Ky urdhër u zbatua dhe të gjithë robërit u dogjën.

Një ditë, ndërsa Ebu Seid el Xhenabi ishte në shtëpinë e tij dhe po hynte në banjë, thirri shërbëtorin e tij që ta ndiqte. Shërbëtori, i dyshimtë ndaj thirrjes së tij të pazakontë, vendosi të merrte iniciativën dhe ta vriste Ebu Seid el Xhenabin në banjë. Ai e vrau atë por britmat e grave të shtëpisë bënë që njerëzit të mblidheshin dhe ta vrisnin shërbëtorin.

Pas vdekjes së tij udhëheqësia e Karamitëve i kaloi një burri edhe më të keq, Ebu Tahir el-Karamiti, i cili mori vendimin për ta bërë qytetin Hixhr në El Ahsa, kryeqytetin e shtetit të tij. Më pas, Ebu Tahiri filloi të organizonte sulme ndaj Hixhazit, Irakut dhe Kufes.

Sipas Ibn Haldunit, në vitin 311 sipas hixhrit Ebu Tahir el Karamiti sulmoi qytetin Basra. Ai arriti atje natën dhe kaloi muret e qytetit duke përdorur litarë, dhe sapo hyri brenda filloi një masakër masive që zgjati 17 ditë gjatë së cilës forcat e tij vranë shumicën e banorëve të qytetit. Kur u kthye në kryeqytetin e tij El Hixhr mori me vete pasuritë, gratë dhe fëmijët nga Basra.

Në vitin 312 hixhri ai nisi të sulmonte karvanet e pelegrinëve që ktheheshin nga haxhi në Gadishullin Arabik, duke vrarë burrat dhe duke marrë gratë, fëmijët dhe pasuritë. Pas kësaj ai sulmoi sërish Kufën, vrau të gjithë banorët dhe mori pasuritë për tu kthyer në El Hixhr.

Në vitin 317 hixhri Ebu Tahiri planifikoi një sulm në Meke gjatë sezonit të haxhit. Ai priti me qëllim ardhjen e pelegrinëve, dhe kur sezoni filloi ai hyri në qytet me forcat e tij duke vrarë haxhinjtë dhe duke shkatërruar burimin e ujit të Zemzemit. Ai rrëzoi portën e Qabes së shenjtë dhe nxorri nga vendi Gurin e Zi. Gjatë këtij akti blasfemues ai sfidoi hapur besimin islam, duke thënë: “Ku janë zogjtë e Ebabilit? Ku janë gurët nga argjila e ngurtësuar?” Pas kësaj, ai e mori Gurin e Zi dhe portën e Qabes për t’i çuar në El Hixhr, ku Guri i Zi qëndroi për 22 vite deri në vitin 339 hixhri.

Ebu Tahiri vdiq në vitin 332 hixhri dhe pas tij pushtetin e morën tre vëllezërit e tij: Ebu el Abasi, Ebu el Kasimi dhe Ebu Jakubi. Nën drejtimin e tyre Karamitët u bënë më të dhunshëm duke sulmuar fshatra dhe qytete islame, duke vrarë burra, duke djegur banorët dhe duke grabitur pasuritë. Njerëzit jetonin në ankth dhe në terror të vazhdueshëm nga frika e sulmeve të tyre.

Në vitin 469 hixhri komandanti selxhuk Artek Bej udhëhoqi një ushtri të madhe drejt El Hixhrit, qendra e shtetit të Karamitëve. Kur Karamitët mësuan për afrimin e tij i dërguan një mesazh ku i ofronin një shpërblim prej 10.000 dinarësh, dhe premtuan që emri i Kalifit Abasid dhe sulltanit selxhuk do të përmendej në predikimet e tyre, për të fituar kohë dhe për t’u riorganizuar. Artek Bej e pranoi ofertën e tyre dhe u tërhoq përkohësisht.

Ndërkohë, Karamitët filluan të mbledhin ushqime dhe armë dhe të rigrupojnë forcat e tyre. Kur Artek Bej mësoi për mashtrimin e tyre u kthye përsëri, pushtoi qytetin e tyre, mori plaçkat e luftës dhe kapi shumë prej liderëve të tyre. Ai dërgoi një mesazh Kalifit për të njoftuar fitoren dhe fundin e shtetit të Karamitëve që kishte zgjatur 182 vite, dhe konsiderohej si një nga regjimet më të këqija në historinë islame.

Pavarësisht se disa regjime të tjera kanë pretenduar se vepronin në emër të Islamit, asnjë prej tyre nuk e ka arritur nivelin e shthurjes dhe blasfemisë që karakterizonte Karamitët. Ata janë konsideruar një shembull ekstrem i heretikëve dhe ateistëve që operuan nën petkun e Islamit. Edhe sot degë të doktrinave të tyre ekzistojnë dhe janë të njohura për qëndrimet dhe veprimet e tyre.

Shkroi: Auad ez Zajid

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...