Pasuesit e Ehli Sunetit dhe xhematit janë ata që punojnë sipas librit të Allahut dhe sunetit të të Dërguarit të Tij ﷺ, kapen pas tyre dhe thërrasin në to.
Pasuesit e Sunetit janë sahabët (shokët e Profetit ﷺ), tabiinët (brezi pas sahabëve), pasuesit e tabiinëve dhe kushdo që i ndjek ata në besim, vepra e fjalë.
Çdokush që respekton Kuranin dhe Sunetin, argumentohet dhe bazohet në to është pasues i Sunetit.
Ai që beson në teuhidin (njësimin) e Allahut dhe se vetëm Atij i takon adhurimi, beson në emrat dhe cilësitë e Tij dhe e përshkruan Atë me cilësi të larta dhe emrat e bukur, pa shtrembërim e pa përngjasim sikurse thotë Allahu i Lartësuar:
ﵟلَيۡسَ كَمِثۡلِهِۦ شَيۡءٞۖ وَهُوَ ٱلسَّمِيعُ ٱلۡبَصِيرُ ﵞ
“Askush nuk është si Ai, dhe Ai është Dëgjuesi, Shikuesi!” | Esh-Shura: 11.
Pasuesit e Ehli Sunetit kundërshtojnë të gjitha grupet e humbura, siç janë; Kaderijet, Xhehmijet, Mu’tezilet, Murxhiet, Havarixhët, Shiat, si dhe këdo që nuk ndjek rrugën e Profetit ﷺ, sahabëve, tabiinëve dhe ndjekësve të rrugës së tyre.
Disa cilësi që dallojnë ehli sunetin nga pasuesit e bidatit:
1- Pasuesit e Sunetit i lënë dhe i braktisin mendimet dhe thëniet e njerëzve kur bien ndesh me Kuranin dhe Sunetin, kurse pasuesit e bidatit braktisin Kuranin dhe Sunetin në shumë raste për shkak se bien në kundërshtim me thëniet e njerëzve.
2- Ehli Suneti i peshojnë thëniet e njerëzve me Kuran dhe Sunet, kështu që çfarëdo që pajtohet me to e pranojnë, e çfarëdo që i kundërshton e refuzojnë.
Ndërsa pasuesit e bidatit i peshojnë argumentet me thëniet e njerëzve, çfarëdo që pajtohet me mendimet e tyre e pranojnë, dhe çdo argument që i kundërshton e braktisin dhe e interpretojnë duke i nxjerrë nga konteksti i tyre.
3- Ehli Suneti kur ka mosmarrëveshje thërrasin t’i drejtohemi argumentave të Kuranit dhe Sunetit e jo në mendimet e njerëzve, ndërsa pasuesit e bidatit thërrasin që t’u drejtohemi mendimeve dhe logjikes së njerëzve.
4- Ehli Suneti nëse u vërtetohet dhe u saktesohet argumenti nga i Dërguari i Allahut ﷺ, ata nuk ngurojnë ta besojnë dhe të punojnë me të, ndryshe nga pasuesit e bidatit.
5- Ehli Suneti nuk përkatësohen tek një person i caktuar përveç të Dërguarit ﷺ, ata nuk kanë asnjë emertim me të cilin njihen përveç emërtimit në Sunet, ndryshe nga pasuesit e bidatit të cilët u atribohen llagapeve dhe emërtimeve të ndryshme, si: Kaderijet, Xhehmijet, Mu’tezilet, Murxhiet, Havarixhët, Shiat etj.
6- Ehli Suneti mbështeten në hadithet e sakta dhe transmetimet e selefëve, ndërsa pasuesit e bidatit mbështeten në mendimet dhe doktrinat e tyre.
7- Ehli Suneti e njohin të vërtetën dhe i mëshirojnë njerëzit. Ata kanë bashkuar mes diturisë dhe mëshirës, ndërsa pasuesit e bidatit e përgënjeshtrojnë të vërtetën dhe i shpallin njerëzit jobesimtarë.
8- Pasuesit e bidatit marrin nga Suneti atë që pajtohet me tekat e tyre, qoftë e saktë apo e pasaktë, njëkohësisht i braktisin hadithet e sakta që nuk pajtohen me tekat e tyre. Nëse nuk janë në gjendje t’i refuzojnë, atëherë mundohen t’i interpretojnë në mënyrë të shtrembër që i nxjerr nga konteksti i tyre.
Ehli Suneti nuk i japin askujt pozitë më të lartë se ajo që i takon, dhe ata nuk i ngrejnë njërëzit sipër pozitës së tyre dhe as e konsiderojnë të pagabueshëm askënd veç Profetit ﷺ, ndryshe nga pasuesit e bidatit të cilët i konsiderojnë imamët e tyre si të pagabueshëm dhe ndjekin fjalët e tyre pa marrë parasysh nëse janë konfort apo bien ndesh me argumentet fetare.
Shkurtimisht, kush i përmbahet pikave të lartpërmendura është prej Ehli Sunetit, qoftë prej dijetarëve apo jo, e kush i kundërshton ato është prej pasuesve të bidatit.
Shiko: “Mexhmu el fetaua Ibn Tejmije” 1/129, 24/241, “Muhtesar es-sauaik el murseleh” 1/1603, “Fetaua nur ala derb” i Ibn Baz 3/129.
Përgatiti: Dr. Behar Hyseni
Redaktoi: Dr. Fatmir Strumi
Dosje: Dijetarët, Ehli Suneti