“La ilahe il-lAllah” dhe “El-hamdu-lilah”

“La ilahe il-lAllah” dhe “El-hamdu-lilah”

(Nxënësi) Autori ka thënë: Transmetohet nga Xhabiri (radijAllahu anhu) nga Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) se ka thënë: “Dhikri më i mirë është (fjala) ‘La ilahe il-lAllah’, ndërsa lutja më e mirë është ‘El-hamdu-lilah.”

Dhikri më i mirë.

Nëse pyetesh ose pyet: Kush është dhikri më i mirë?

Ai është thënia ‘La ilahe il-lAllah’ – Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut.

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Gjëja më e mirë që kam thënë unë dhe profetët para meje është (fjala) ‘La ilahe il-lAllahu uahdehu la sherike lehu.”

Prandaj kërkohet nga muslimani, madje është detyrë për të që t’a lidhë/preokupojë gjuhën e tij me këtë fjalë. Gjithmonë t’a përmendë këtë fjalë ditën dhe natën, në vete dhe me zë, në vetmi dhe në çdo gjendje, para se të vijë një ditë e të bëhet pengesë vdekja mes tij dhe kësaj fjale.

Kush e thotë vazhdimisht këtë fjalë dhe e lidh/preokupon gjuhën e tij me këtë dhikër, kjo i bën dobi atij përgjatë jetës dhe në momentet e fundit të saj në momentet e vdekjes.

Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër.” Ibrahim: 27.

Dijetarët thonë: Në momentet e fundit të jetës.

Në momentet e fundit të jetës shqiptimi i kësaj fjale i lehtësohet atij. Ndërsa ai që gjatë jetës s’e ka thënë këtë fjalë dhe gjuha e tij është “e thatë” nga kjo fjalë, i rëndohet (vështirësohet) çështja në momentet e fundit të jetës duke mos e shprehur dot këtë fjalë.

Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë: “Kush ka si fjalë të fundit fjalën ‘La ilahe il-lAllah’ do të hyjë në Xhenet.

Kurse lutja më e mirë është ‘El-hamdu-lilah (falënderimi i takon Allahut).”

Lutja më e mirë është të thuash ‘El-hamdu-lilah’.

Allahu i Lartësuar e ka filluar me të suren më madhështore në Kuran. I Lartësuari thotë: “Falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të botëve.” El-Fatiha.

Po ashtu ka filluar me të (El-hamdu-lilah) shumë prej sureve të Kuranit: “Falënderimet i përkasin Allahut, i Cili i shpalli robit të Vet (Muhamedit) Librin (Kuranin).”

Falënderimet i përkasin vetëm Allahut që i ka zbritur Dalluesin robit të Vet.

 

Shejh Aziz bin Ferhan El-Anezij (Allahu e ruajtë!)

Përktheu: Unejs Sheme