Të veprojmë mirë në këto ditë që na kanë mbetur

Le të veprojmë mirë në këto ditë që na kanë mbetur që të rregullojmë ato që kanë kaluar. “Punët llogariten sipas përfundimit” – siç ka thënë Profeti (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të).
Shpërblimi vjen sipas punëve më të mira që kemi bërë, siç thotë Allahu i Lartësuar: “…që t’i shpërblejë ata Allahu sipas veprave më të mira që kanë bërë dhe t’u shtojë nga mirësia e Tij. Allahu furnizon kë të dojë pa masë.” (Nur: 38)

Allahu shikon veprat e muslimanit në Ditën e Gjykimit dhe në to ka; të këqija, të dobëta, mesatare, të mira, dhe shumë të mira. Sipas këtyre të fundit Ai e shpërblen.

Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – na ka mësuar se: “Kur Allahu i Lartmadhëruar ja do të mirën një robi e ëmbëlson atë. (‘asseleh’, nga fjala: ‘asel’: mjaltë) I thanë: E çdo të thotë kjo? Tha: I jep sukses për një vepër të mirë përpara vdekjes së tij, pastaj ja merr shpirtin në atë gjendje.”
(Transmeton Ahmedi me nr. 17438, dhe e saktësoi shejh Albani në “Sahihul xhamiu”.)

Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet ‘istameleh – e përdor atë’. I thanë: Si e përdor? Tha: I jep sukses për vepra të mira përpara vdekjes së tij.”
(Zinxhiri i tij është i lidhur, transmetuesit të besueshëm sipas kushteve të “Dy të saktëve”.)
Në një transmetim tjetër tek Ahmedi të cilin e ka saktësuar shejh Albani thuhet: “I hap atij një punë të mirë përpara vdekjes derisa të kënaqen ata që janë përreth tij.”

Në një transmetim tjetër: “Kur Allahu i’a do të mirën një robi e ëmbëlson atë në mesin e njerëzve.” Pra e bën të dashur për njerëzit, e lavdërojnë atë dhe e duan siç e pëlqejnë shijen e mjaltit.

Ashtu si mjalti kur përzihet me një ushqim e ëmbëlson atë, ashtu edhe shoqërimi me të është i këndshëm.
Prandaj, t’i lutemi Allahut të na japë sukses që t’a mbyllim më së miri këtë muaj me ato vepra që Ai i do prej nesh dhe kënaqet! Të na falë mangësitë dhe tejkalimet në këtë muaj, dhe mbi të gjitha të na japë një mbyllje të mirë të jetës!