Letër nga babai për djalin e tij si nxitje për namazin
Autor: AbdurRezak ibn AbdulMuhsin El Bedr
Djali im i dashur dhe fisnik, Allahu të ruajtë dhe të mundësoftë kënaqësinë e Tij. Allahu të lumturoftë në dynja dhe në ahiret. Amin!
Paqja dhe begatia e Allahut qofshin mbi ty.
E më pas:
Këtë letër ta shkruaj me dashuri dhe përkujtim, me bojën e zemrës së një babai të përmalluar dhe prindit të dhembshur për dritën e syrit të tij, duke shpresuar kënaqësinë dhe suksesin vetem nga Allahu, dhe vetëm Atij i lutem që të ndihmojë drejt suksesit, të të ruajë me kujdesin e Tij dhe të të udhëzojë.
Dije, biri im i dashur, se gjëja më e rëndësishme për njeriun është namazi. Kush kujdeset dhe e ruan atë, ka ruajtur fenë e tij; e kush e neglizhon, do të ketë rrëshqitje edhe në veprat e tjera, madje në humbje edhe më të madhe. Namazi është shtylla e Islamit, dhe pranimi i të gjitha veprave të tjera varet nga pranimi i tij. Nëse ai refuzohet, refuzohen edhe të gjitha veprat e tjera.
Namazi është obligimi i parë në Islam dhe gjëja e fundit që do të humbasë nga feja. Është fillimi dhe fundi i Islamit. Pa namaz, feja e muslimanit nuk është e qëndrueshme, veprat nuk përmirësohen dhe sjelljet nuk ndreqen, as në çështjet e fesë, e as në dynja, për sa kohë që njeriu nuk e fal atë në formën e ligjëruar.
Biri im i dashur, dije se ti gjendesh ndërmjet dy stacioneve, të cilat janë ndërmjet dy duarve të Allahut:
– Stacioni i parë është jeta në këtë botë.
– Stacioni i dytë është takimi me Allahun e Lartësuar në Ditën e Gjykimit.
Suksesi në stacionin e parë sjell shpëtim dhe gëzim në të dytin. Por nëse dështon në të parin, do të dështosh edhe në të dytin.
Namazi është obliguar të falet pesë herë në ditë, ditën dhe natën. Kush e ruan këtë namaz, e fal në kohën e tij, i përmbush shtyllat, kushtet dhe obligimet, do të shpëtojë në Ditën e Gjykimit. Ndërsa ai që e neglizhon, nuk e fal me rregull dhe nuk i plotëson shtyllat dhe detyrimet e tij, do të përballet me vështirësi të mëdha në atë Ditë.
Transmetojnë Tirmidhiu dhe Nesaiu nga Hurejth bin Kabisa Allahu e mëshiroftë i cili ka thënë:
“Kur erdha në Medine, iu luta Allahut të Lartësuar që të më mundësonte një shok të mirë. U ula me Ebu Hurejrën Allahu qoftë i kënaqur me të dhe i thashë:
‘O Ebu Hurejra! I jam lutur Allahut që të më dhurojë një shok të mirë. Më mëso një hadith që e ke dëgjuar nga Pejgamberi paqja dhe begatia e Allahut qofshin mbi të. Ndoshta, nëse do Allahu, do të më sjellë dobi.’ Ebu Hurejra Allahu qoftë i kënaqur me të tha:
‘Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut paqja dhe begatia e Allahut qofshin mbi të duke thënë:
“Vepra e parë për të cilën do të japë llogari njeriu në Ditën e Gjykimit është namazi. Nëse ai ka qenë i rregullt në namaz, do të shpëtojë dhe do të fitojë. Por nëse nuk ka qenë i rregullt, do të dështojë dhe do të shkatërrohet.” Hadithi është i saktë.”
Andaj medito, biri im – Allahu të ruajtë – se shpëtimi në stacionin e dytë varet nga rregullimi në stacionin e parë. Kije frikë Allahun për këtë namaz! Ruaje atë, madhëroje atë që të madhërohet pozita jote te Allahu.
O djali im i mbarë, nëse Allahu i Lartësuar të nderon me një baba që kujdeset për namazin dhe të nxit, të inkurajon e të udhëzon për ta falur atë, mjerë për ty – po, mjerë për ty – nëse ndihesh i bezdisur prej tij apo nëse të shqetëson prania e tij. Pasha Allahun, ai vetëm po përpiqet të të shpëtojë nga zemërimi i Allahut dhe të të udhëheqë drejt kënaqësisë së Tij.
Vërtet, Allahu i Lartësuar nuk kënaqet me ty, përveçse nëse je prej atyre që e falin namazin, e ruajnë dhe e kryejnë atë në mënyrën më të mirë.
Djali im i dashur! Me të vërtetë, pjesë e madhërimit të namazit është të ngrihesh menjëherë sapo thirresh për ta falur atë, me gëzim, me dëshirë të fortë dhe duke u larguar nga plogështia dhe përtacia.
Një nga shtyllat e Sunetit, Ebul Kasim El-Asbahani, ka transmetuar në librin e tij Et-Tergib ue Et-Terhib nga Abdullah ibn Abasi Allahu qoftë i kënaqur me të dy, se ai ka thënë:
“Është e urryer që njeriu të ngrihet për të falur namazin me përtaci. Përkundrazi, ai duhet të ngrihet me fytyrë të buzëqeshur, me dëshirë dhe me gëzim të madh, sepse ai i drejtohet Allahut të Lartësuar. Ai është përballë Tij, i Cili e fal dhe i pranon lutjen kur Ai i drejtohet.”
Më pas ai lexoi këtë ajet: {Kur ata ngrihen për namaz, ngrihen me përtesë} [Surja En-Nisa: 142]
Nëse tek njeriu shfaqen ligështia, lodhja dhe përtacia, atëherë kjo është vetëm shenjë e dobësisë së zemrës dhe plogështisë së saj, si dhe e mosnjohjes së vlerës dhe rëndësisë së namazit dhe pozitës së tij.
Na ka arritur nga përkujdesja e këtij umeti për namazin me xhemat ajo që ka transmetuar Ibn Mesudi Allahu qoftë i kënaqur me të i cili ka thënë:
“Na ke parë ne – d.m.th. shokët e Pejgamberit paqja dhe begatia e Allahut qofshin mbi të – që nuk mungonte në namaz (me xhemat) askush përveç atij që ishte i njohur për nifak (dyftyrësi). Aq shumë kujdeseshim për xhematin, saqë dikush vinte i mbështetur nga dy të tjerë, derisa të qëndronte në saf.”
Nëse ndonjëri prej tyre nuk mund të ecte për shkak të sëmundjes ose moshës së thyer, të tjerët e merrnin prej krahësh dhe e ndihmonin të ecte derisa të rreshtohej në saf me muslimanët për namaz. E gjithë kjo ndodhte sepse zemrat e tyre e kuptonin thellësisht pozitën dhe vlerën e namazit. Kur zemrat e tyre e madhëruan pozitën e namazit, edhe trupat e tyre të dobët vepruan dhe u drejtuan drejt xhamive, pavarësisht dobësisë së madhe fizike.
Gjithashtu, namazi i sabahut, i cili e hap ditën dhe ka një pozitë të veçantë, është tregues i suksesit dhe begatisë në jetën e njeriut. Ai që e ruan këtë namaz, ka shenjë suksesi dhe gëzimi gjatë gjithë ditës, ndërsa ai që e humb, përjeton humbje në tërë ditën dhe largim nga bereqeti i saj.
Për të medituar rreth këtij kuptimi, mjafton të përmendim hadithin e transmetuar në dy Sahihët (Buhariu dhe Muslimi) nga Ebu Hurejra Allahu qoftë i kënaqur me të se Pejgamberi paqja dhe begatia e Allahut qofshin mbi të ka thënë:
“Shejtani i lidh pas kokës së secilit prej jush, kur fle, tri nyje. Godet çdo nyje e i thotë: ‘Ke natë të gjatë përpara, andaj fli.’ Nëse zgjohet dhe përmend Allahun, i zgjidhet një nyje; nëse merr abdes, i zgjidhet nyja tjetër; dhe nëse falet, i zgjidhet edhe nyja e fundit. Atëherë ai zgjohet i gjallëruar dhe me gjendje të mirë, përndryshe zgjohet i përgjumur dhe i plogësht.”
Kjo është gjendja e atij që lë namazin e sabahut: një njeri i lig, i cili e kalon gjithë ditën me përtaci. Ndërsa ai që e ruan namazin e sabahut, duke e falur në kohën e përcaktuar dhe me xhematin e muslimanëve, e gjithë dita e tij do të jetë e bereqetshme, plot mirësi dhe lumturi.
Gjithashtu, medito rreth asaj që është transmetuar në Sahihun e Buharit dhe Muslimit nga hadithi i Ibn Mesudit Allahu qoftë i kënaqur me të i cili ka thënë:
“I është përmendur Pejgamberit paqja dhe begatia e Allahut qofshin mbi të një person që fjeti natën derisa u zbardh, ai tha: ‘Shejtani i ka urinuar në veshët e tij.’ Ndërsa në një transmetim: ‘në veshin e tij.”
Dijetarët kanë sqaruar se shejtani urinon në veshët e atij personi me urinim real, dhe kështu është gjendja e tij: ai zgjohet në mëngjes me veshët plot dhe të përlyer nga urina e shejtanit! Kjo tregon gjendjen e atij që e lë namazin e sabahut duke qëndruar në gjumë të thellë.
Po ashtu medito në atë që Buhari ka transmetuar në Sahihun e tij nga hadithi i Semura bin Xhundub Allahu qoftë i kënaqur me të në hadithin e gjatë në të cilin ka transmetuar ëndrrën e Pejgamberit paqja dhe begatia e Allahut qofshin mbi të se ka thënë: “Kaluam pranë një burri të shtrirë ndërsa një tjetër i rrinte te koka me një shkëmb në dorë, dhe i’a hidhte shkëmbin në kokë e atij i çahej koka. Shkëmbi rrokullisej në një anë e ai shkonte pas shkëmbit dhe e merrte përsëri. Nuk kthehej tek tjetri derisa koka e tij ishte shëruar ashtu siç ishte, pastaj ai kthehej dhe bënte me të siç bëri herën e parë.” Më pas u tha në fund të kësaj: “Sa i takon atij burrit të parë që i’u afruam dhe që i çahej koka me gurë, ai ishte njeriu që i erdhi Kurani por ai e refuzoi atë dhe fjeti në kohën e namazit të obliguar.” Dënimi i tij, i shprehur me çarjen e kokës nga shkëmbi, ishte për shkak të gjumit gjatë kohës së namazit të obliguar, e vendi i gjumit është koka.
Biri im i çmuar! Merri si shembull të parët e tu të devotshëm:
Ueki bin el-Xherrah ka thënë: “El-A’meshi ka qenë rreth shtatëdhjetë vjeç dhe kurrë nuk i ka shpëtuar tekbiri fillestar. Kam shkuar te ai afërsisht shtatëdhjetë herë dhe asnjëherë nuk e kam parë të plotësojë qoftë edhe një rekat të vetëm.”
Gasani ka thënë: “Më ka treguar biri i vëllait tim, Bishr bin Mensur, se ka thënë: ‘Kurrë nuk e kam parë xhaxhain tim t’i ketë shpëtuar tekbiri fillestar.’”
Muhamed ibn Semea ka thënë: “Kam qëndruar këtu për dyzet vjet dhe kurrë nuk më ka ikur tekbiri fillestar me imamin, përveç ditës kur vdiq nëna ime, atë ditë më humbi një namaz me xhemat.”
Ebu Daudi ka thënë: “Ibrahim ibn Mejmuni, një argjendar dhe njeri i mirë, u vra nga Ebu Muslimi në vendin e quajtur Arendes. Është thënë se sa herë ngrinte çekiçin për të punuar dhe dëgjonte ezanin, e hidhte menjëherë atë përtokë.”
Biri im i dashur! Namazi është drita e besimtarit dhe ndriçimi i zemrës së tij; ai është lidhja e drejtpërdrejtë ndërmjet robit dhe Zotit të tij. Nëse namazi kryhet siç duhet, duke përmbushur të gjitha veprimet e tij të obliguara dhe të pëlqyera, e kur zemra është e pranishme – që është thelbi i namazit – atëherë robi, me të hyrë në namaz, ndien sikur ka hyrë në praninë e Zotit të tij. Ai qëndron përpara Tij si një rob i përulur, i edukuar, i vetëdijshëm për çdo fjalë e veprim që bën, i përqendruar në komunikim me Zotin e tij, duke e lutur dhe adhurar Atë. Nuk ka dyshim se kjo është ndihma më e madhe për të gjitha virtytet dhe veprat e mira, si dhe pengesa më e fortë kundër gjërave të ndaluara dhe të urryera.
Ndër gjurmët madhështore dhe frytet e ndritshme të namazit është se ai është dera e madhe e faljes, shlyerjes së gjynaheve dhe pastrimit nga gabimet. Siç transmetohet në dy Sahihët (Buhariu dhe Muslimi) nga Ebu Hurejra Allahu qoftë i kënaqur me të i cili ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut paqja dhe begatia e Allahut qofshin mbi të, të thotë:
“A e shikoni nëse pranë derës së ndonjërit prej jush do të kishte një lumë dhe ai do të lahej në të pesë herë në ditë, a do të mbetej ndonjë papastërti tek ai?” Ata thanë: “Jo, nuk do të mbetej asnjë papastërti.” Ai tha: “Kështu janë pesë kohët e namazit; Allahu i shlyen me to gjynahet.”
Lus Allahun Bujar që të të japë sukses në madhërimin e Tij dhe në ruajtjen e namazit, që ta falësh atë në formën më të mirë; që të ta hapë gjoksin, të t’i lehtësojë çështjet dhe të ta lartësojë pozitën në të dy botët.
Paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qoftë mbi Pejgamberin tonë Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij.
Paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qofshin mbi ty.
Babai yt që të do.
Përktheu:
Bledar Lika
Dosje: namazi, Porositë e Etërve
Të Ngjashme
- A i lejohet personit ta falë namazin në shtëpi dhe të mos shkojë në xhami? Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Leximi gjatë namazit pa lëvizur gjuhën dhe buzët Shejh Abdulaziz ibn Abdullah ibn Baz
- A lejohet të paraprihet imami në lëvizjet e namazit? Udha e Besimtarëve
- Falja e namazit në mjetet e transportit Lexhnetu Daime
- A mund të bëhen dy nijete në faljen e dy rekateve namaz? Meshhur Hasen