Libri “Sëmundja dhe Ilaçi” Mësimi nr 2
Kurani është shërim
Teksti: Ibn Kajim (rahimehullah) thotë: Allahu i Lartësuar ka njoftuar për Kuranin se është shërim. Allahu i Madhëruar ka thënë: “E sikur ta kishim bërë atë Kuran në gjuhë jo-arabe, ata do të kishin thënë: “Pse nuk janë shpjeguar ajetet e tij? A është (Kurani) jo-arab dhe (Profeti) arab?” Thuaj: Ai është për ata që besojnë, udhëzim dhe shërim.” Fussilet: 44.
Gjithashtu ka thënë: “Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët.” El-Isra: 82.
Parafjala (من) “min” (nga) e përdorur në ajet është për shpjegim të gjinisë, jo për pjesëzim, sepse i gjithë Kurani është shërim, siç ka thënë në ajetin e mëparshëm. Prandaj, Kurani është shërim për zemrat nga sëmundja e injorancës, e dyshimit dhe e hutimit.
Allahu i Lartësuar nuk ka zbritur nga qielli ndonjë shërim më të përgjithshëm, më të dobishëm, më të madh dhe më efektiv për largimin e sëmundjes sesa Kurani.
Komenti: Ibn Kajimi (rahimehullah) thotë: Allahu i Lartësuar ka njoftuar për Kuranin se është shërim.
Kjo është përmendur në disa ajete dhe vende të ndryshme në Librin e Allahut të Madhëruar, që tregojnë se Kurani është shërim. Këtë shërim të cilin Allahu i Madhëruar e ka vendosur në Kuran është njësoj si për zemrat nga epidemitë e tyre — d.m.th. sëmundjet e dyshimeve dhe të dëshirave — po ashtu është shërim edhe për trupat nga sëmundjet që u kanosen.
Kështu, Allahu i Lartësuar ka vendosur në këtë Kuran një begati të madhe, një shërim të madh dhe çlirim prej llojeve të ndryshme të sëmundjeve dhe epidemive.
Por e gjjthë çështja është: si bëhet shërimi me Kuranin? Si ndodh kurimi me Kuranin Fisnik?
Pikërisht këtë do ta shpjegojë Ibn Kajim (rahimehullah) me një sqarim të plotë dhe të dobishëm, ku do të përmendë dobi shumë të mëdha.
Atëherë, si shërohet njeriu me Kuran?
Kurani është shërim për çdo sëmundje: shërim për sëmundjet e zemrës, sëmundjet e trupit dhe sëmundjet e llojllojshme.
Por si ndodh ky mjekim dhe si arrihet ky shërim përmes Kuranit?
E gjjthë kjo do të trajtohet nga Ibn Kajimi (rahimehullah) me një sqarim të dobishëm.
Teksti: Ibn Kajim (rahimehullah) shkruan: Është vërtetuar në dy Sahihet (Buhariu dhe Muslimi), nga hadithi i Ebu Seidit, i cili tha:
“Një grup shokësh të Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ishin nisur për një udhëtim, derisa zbritën dhe u ndalën tek një fis nga fiset e arabëve, dhe kërkuan mikpritjen e tyre, por ata refuzuan t’i prisnin. Më pas, udhëheqësi i atij fisi u pickua (nga një gjallesë helmuese). Njerëzit e atij fisi u përpoqën ta kuronin me çdo lloj ilaçi, por asgjë nuk i bëri dobi. Disa prej tyre thanë: ‘Sikur të shkonit tek ata njerëz që erdhën dhe zbritën këtu, ndoshta ndonjëri prej tyre ka ndonjë gjë (që mund të ndihmojë).’
Ata shkuan dhe u thanë: ‘O ju grup njerëzish, udhëheqësi ynë është pickuar dhe ne u përpoqëm me çdo gjë, por asgjë nuk i bëri dobi. A ka ndonjëri prej jush diçka me të cilën mund të ndihmojë?’ Njëri prej tyre tha: ‘Pasha Allahun, unë bëj rukje, por betohem në Allahun, se ju nuk na mirëpritët, prandaj nuk do të bëj rukje derisa të më jepni një shpërblim.’
Ata u morën vesh me njërit-tjetrin për një tufë delesh.
Atëherë ai shkoi, i fryu (me rukje) atij duke i lexuar: “El-Hamdu lil-lahi Rabbil-Alemin” (suren El-Fatiha), dhe (i sëmuri) u ngrit sikur të ishte zgjidhur nga një lidhje, dhe filloi të ecte sikur nuk kishte asgjë. Pastaj ua dhanë atyre shpërblimin që kishin rënë dakord. Disa prej tyre thanë: ‘Ta ndajmë atë që morëm?’ Por, ai që kishte bërë rukjen tha: ‘Jo, derisa të shkojmë te Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe t’i tregojmë çfarë ka ndodhur, e të shohim çfarë na urdhëron.’
Kur arritën te i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), i treguan atë që kishte ndodhur. Ai tha: “Nga e dije se ajo (Fatihaja) është rukje (shërben për të kuruar)?! Pastaj tha: “Keni vepruar drejt. Ndajeni (shpërblimin) dhe më jepni edhe mua një pjesë prej tij.”
Ky ilaç (Kurani) ndikoi në atë sëmundje, dhe e largoi atë sikur të mos kishte qenë fare.
Pra, ai (Kurani) është kurimi më i lehtë dhe më i thjeshtë.
Komenti: Ibn Kajim e përmendi këtë hadith madhështor – hadithin e Ebu Seid el-Hudriut, radijallahu anhu – në ngjarjen e një grupi prej shokëve të Profetit alejhi salatu ue selam, të cilët kishin kaluar pranë një fisi dhe kishin kërkuar që t’i mikpritnin, por ata kishin refuzuar. Më pas, prijësi i atij fisi u pickua, dhe njerëzit (nga ai fis) shkuan tek ky grup i shokëve të Profetit alejhi selam dhe u treguan se prijësi i tyre ishte pickuar dhe se kishin provuar çdo gjë për ta shëruar, por asgjë nuk i kishte bërë dobi. Kështu shkuan dhe u kërkuan atyre (shokëve) zgjidhje, mbase ndonjëri prej tyre kishte diçka (për të ndihmuar). Njëri prej tyre tha: “Po, pasha Allahun unë bëj rukje, por ju nuk na mikpritët kur ne ju kërkuam strehim, kështu që nuk do të bëj rukje derisa të na caktoni një shpërblim.”
Përfundimisht, ai i bëri rukje vetëm me suren el Fatiha dhe ai (i sëmuri) u ngrit si të ishte zgjidhur nga një nyje, dhe nuk kishte asgjë, nuk ankohej më nga asgjë.
Shikoni pra shërimin e menjëhershëm nga ky ilaç, ndërkohë që helmi i disa krijesave helmuese mund të përhapet në trup deri tek zemra dhe të çojë në vdekje. Megjithatë, ai (i pickuari) u ngrit si të mos kishte ndodhur asgjë. Ai i bëri rukje vetëm me suren El Fatiha.
Profeti alejhi selam i tha: “Nga e dije se ajo (Fatihaja) është rukje (shërben për të kuruar) ?” – Nga kjo kuptojmë se rukja përmes sures el Fatiha është ndër mënyrat më madhështore të shërimit nga sëmundjet e ndryshme. Prandaj kjo sure është quajtur “esh-Shafije” ose “esh-Shifa” – shëruese – nisur nga ky hadith madhështor.
Teksti: (Ibën Kajjimi) rahimehullah thotë: “Sikur robi të dinte si të kurohej me el Fatihanë, do të shihte ndikim të mahnitshëm në shërim.
Kam qëndruar në Mekë një periudhë kohe, dhe atje më kapnin sëmundje dhe nuk gjeja as mjek e as ilaç. Kështu që shëroja veten me suren el Fatiha dhe shihja ndikim të mrekullueshëm. Këtë mënyrë (mjekimi) ua përshkruaja atyre që ankoheshin nga dhimbjet dhe shumë nga ata shëroheshin shpejt.”
Komenti: Kjo përvojë (e Ibn Kajimit) përmendet vetëm për ilustrim, jo për të nxjerrë përfundime të plota. Përndryshe hadithi dhe miratimi i Profetit alejhi selam për këtë rukje do të ishte i mjaftueshëm si provë e qartë për këtë çështje. Por është zakon i dijetarëve që përmendin edhe të tilla përvoja si dëshmi mbështetëse.
Ibën Kajjimi (Allahu e mëshiroftë) përmendi përvojën e tij: Ai qëndroi në Mekë dhe atje e kapnin sëmundje. Ai nuk gjente as mjek dhe as ilaç, por shërohej vetëm me suren el Fatiha dhe shihte ndikim të jashtëzakonshëm. Këtë rukje me el Fatihan ua sugjeroi shumë njerëzve dhe ata gjenin dobi prej saj. Madje ai përmend se shumë prej tyre shëroheshin shumë shpejt.
Këtu vlen të përmendet diçka me rëndësi: sot shumë vizitorë (Meke, Medine) kërkojnë për njerëz që bëjnë rukje, të pyesin “a e njeh ndonjë që bën rukje?”, “më trego ndonjë rukjexhi”… Ndoshta i drejtohen dikujt dhe e pyesin: “a je ti rukjexhi?”
Ndërsa metoda që ndoqi Ibën Kajjimi – rahimehullah – është metodë e begatë dhe madhështore: ai e udhëzonte të sëmurin të bënte vetë rukje për veten e tij.
Më kujtohet rasti i njërit prej selefëve – mendoj se ishte Mutarif bin Abdullah esh-Shekhir – i cili vizitoi një të sëmurë, dhe i sëmuri i tha: “Lutu për mua.” Mutarifi i tha: “Lutu vetë për veten tënde, sepse lutja jote është lutje e një të dëshpëruari (nevojtari), ndërkohë Allahu i Lartësuar thotë: ‘A nuk është Ai që përgjigjet thirrjes së të dëshpëruarit kur Ai e thërret?’ (En-Neml: 62).”
Lutja e një të sëmuri, i cili e ndjen dhimbjen e vet, nuk është si lutja e dikujt që nuk e përjeton atë. Kësisoj, lutja e të sëmurit për veten e tij është lutje e një të dëshpëruari, dhe kjo ka përparësi. Ndaj, në vend që ti thuash “po do të lutem për ty…” e kështu me radhë, thuaji atij: “Lutu për veten tënde”, dhe nxite për këtë. Ndërkohë, në vetmi (larg syve të tij), lutu për vëllain tënd, mos e lër duanë për të. Nga ana tjetër nuk duhet ta lidhim të sëmurin pas personave (të tjerë). Udhëzoje atë që të bëjë vetë rukje dhe të lutet për veten e tij.
Këta njerëz, kur e pyesnin Ibën Kajjimin – rahimehullah – ai i udhëzonte që të bënin vetë rukje me suren el Fatiha dhe kështu gjenin prej saj dobi të madhe, dhe shumë prej tyre shëroheshin shpejt.
Ai thotë: “Këtë mënyrë (mjekimi) ua përshkruaja atyre që ankoheshin nga dhimbjet” – ai nuk tha “u bëja rukje duke u lexuar el Fatihanë”, por tha “ua përshkruaja atë”. Kjo është metoda e dijetarëve.
Ndërsa sot, disa njerëz kanë hapur klinika (për rukje), dhe njerëzit grumbullohen dhe vijnë tek ata nga çdo anë. Kjo praktikë u bë derë sprove dhe sherri, duke sjellë pasoja të rënda dhe të këqija që vetëm Allahu i di. Nuk është transmetuar prej selefëve që ndonjëri të jetë ulur në një vend dhe të mos ketë tjetër punë veçse të meret me njerëzit që mblidhen nga ana e anës dhe t’u bëjë rukje. Kjo nuk është njohur ndonjëherë!
Teksti: Ibn Kajim Allahu e mëshiroftë thotë: Por këtu ka një çështje për të cilën duhet të jemi të vëmendshëm: ajo është se dhikret, ajetet dhe lutjet me të cilat kërkohet shërim dhe bëhet rukje, janë në vetvete të dobishme dhe shëruese. Por ato kërkojnë që vendi (ku përdoren) të jetë i pranueshëm, si dhe kërkojnë forcën e vendosmërisë së atij që i përdor.”
Pra, kur mungon shërimi, kjo vjen për shkak të dobësisë së ndikimit të vepruesit (atij që bën rukje), ose për shkak të mungesës së pranimit të të sëmurit (nga ana e zemrës së tij), ose për shkak të ndonjë pengese të fortë që gjendet tek ai dhe që e ndalon efektin e ilaçit – ashtu siç ndodh edhe me ilaçet materiale dhe sëmundjet fizike: mungesa e efektit të tyre mund të jetë për shkak të mungesës së pranimit të natyrës për atë ilaç, ose për shkak të një pengese që e ndalon efektin e tij. Kur natyra e trupit e pranon ilaçin me një pranim të plotë, atëherë përfitimi i trupit nga ai ilaç është sipas shkallës së pranimit. Kështu ka për të ndodhur edhe me zemrën kur ajo e merr rukjen dhe duatë me pranim të plotë, dhe kur ai që e bën rukjen ka shpirt të fortë dhe vendosmëri që do të ndikojë në largimin e sëmundjes.
Lutja e largon të keqen
Po ashtu edhe duaja: konsiderohet prej shkaqeve më të forta në largimin e së keqes dhe arritjen e asaj që kërkohet. Por mund të mungojë efekti i saj për shkak të dobësisë së vetë duasë – p.sh., nëse është du’a që Allahu nuk e do, sepse ka në të tejkalim (të kufijve) – ose për shkak të dobësisë së zemrës dhe mungesës së përqendrimit në Allahun dhe përkushtimit ndaj Tij gjatë duasë. Në këtë rast ajo (duaja) do të jetë si harku që është shumë i dobët, dhe shigjeta që del prej këtij harku është e dobët. Ose edhe për shkak të ndonjë pengese tjetër që e pamundëson përgjigjen (e lutjes), siç është ngrënia e haramit, padrejtësia, njollosja e zemrës me mëkate, dominimi i pakujdesisë, epshit dhe argëtimit mbi zemrën.
Siç ka ardhur në ‘Mustedrak’-un e Hakimit nga hadithi i Ebu Hurejrës nga Profeti – lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të – që ka thënë: ‘Luteni Allahun duke qenë të bindur në përgjigje dhe dijeni se Allahu nuk e pranon lutjen nga një zemër e pakujdesshme dhe e shpërqendruar.’
Duaja është një ilaç i dobishëm që e largon sëmundjen, por pakujdesia e zemrës ndaj Allahut ia shuan forcën, po ashtu edhe të ushqyerit me haram ia shuan fuqinë dhe e dobëson, siç ka ardhur në Sahihun e Muslimit nga hadithi i Ebu Hurejrës se Profeti – paqja qoftë mbi të – ka thënë: ‘O njerëz! Vërtet Allahu është i Mirë dhe nuk pranon veçse të mirën. Allahu i ka urdhëruar besimtarët me atë që ka urdhëruar edhe të dërguarit duke thënë: ‘O të dërguar, hani nga të mirat dhe bëni vepra të mira, unë jam i dijshëm për atë që bëni’ [El-Mu’minun: 51]. Gjithashtu ka thënë: ‘O ju që besuat, hani nga të mirat që ju kemi dhënë’ [El-Bekare: 172].”
“Pastaj përmendi një burrë që e zgjat udhëtimin, i shpupuritur dhe i pluhurosur, që ngre duart drejt qiellit duke thënë: ‘O Zot! O Zot!’ – por ushqimi i tij është haram, pija e tij është haram, veshja e tij është haram dhe është ushqyer me haram. E si mund t’i përgjigjet atij (Allahu)?!”
Abdullahu, biri i Ahmedit, përmend në librin “Zuhdi” të babait të tij: Se popullin e Beni Israilëve e goditi një fatkeqësi. Ata dolën në fushë të hapur (për të kërkuar rënien e shiut). Atëherë Allahu i shpalli profetit të tyre: Thuaju atyre: Ju po dilni në një gjendje ku trupat i keni të papastër, po ngrini drejt Meje duart me të cilat keni derdhur gjak, dhe i keni mbushur shtëpitë tuaja me haram. E tani, kur është shtuar hidhërimi Im ndaj jush (po kërkoni mëshirën Time)?! Ju vetëm do të largoheni më shumë prej Meje.”
“Ebu Dherri ka thënë: ‘Mjafton nga lutja, së bashku me mirësinë (devotshmërinë), aq sa mjafton kripa në ushqim.”1
Komenti: “Këto ishin fjalët e imam Ibn Kajimit – Allahu e mëshiroftë – dhe është një shpjegim shumë i dobishëm në këtë kapitull, kur ai përmendi shërimin me suren El-Fatiha dhe madhështinë e dobisë së saj.
Ndonjëri mund të thotë: ‘Unë kam bërë rukje me suren El-Fatiha, apo më është bërë rukje me të, apo edhe me të tjera (ajete dhe lutje), por nuk kam gjetur shërim.
Disa njerëz – për fat të keq – kur u ofrohet rukja me El-Fatiha thonë: ‘Le ta provojmë.’ E kush thotë ‘le ta provojmë’, ky nuk ka bindje (jekin). Kush thotë ‘le ta provojmë’, ky nuk ka siguri (jekin).
Shërimi ndodh kur bindja është e plotë dhe besimi është i fortë tek Allahu i Lartësuar. Profeti – paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të – ka thënë: ‘Luteni Allahun duke qenë të bindur në përgjigje.’
Për këtë arsye Ibn Kajimi – Allahu e mëshiroftë – ka tërhequr vëmendjen: Se për të përfituar nga këto kura të dobishme – që janë ajetet, dhikret dhe lutjet e transmetuara – kërkohet që ‘vendndodhja’ (zemra, shpirti) ti pranojë ato, kërkohet forca e vullnetit dhe ndikimi i atij që i shqipton, sepse vetë natyra e këtyre (ajeteve dhe lutjeve) është shërim – në mënyrë të prerë dhe të sigurt. Por nëse nuk ndodh shërimi, kjo kthehet te domethënia që ai (Ibn Kajimi) e përmendi, që problemi nuk është te vetë ilaçi, sepse ai është i dobishëm. Shërimi është i prerë dhe i sigurt, siç ka lajmëruar Profeti – paqja qoftë mbi të. Ai (Profeti) ka thënë për El-Fatihan: ‘Nga e dije ti se ajo është rukje?!’ Dhe i gjithë Kurani është përshkruar nga Allahu si shërim. Pra, nëse mungon ndikimi (shërimi), mungon dobia dhe mungon përfitimi, atëherë kjo nuk kthehet tek ajetet, dhikret dhe lutjet, sepse ato janë padyshim të dobishme. Por ndodh ose kur vendi nuk është i gatshëm ta pranojë, ose personi që bën rukjen ka dobësi – dhe kjo është si ai që hedh shigjetën me dorë të dobët: forca e saj do të jetë e pakët.”
Kërkohet forca e bindjes dhe forca e besimit tek Allahu, dhe që edhe vetë i sëmuri të ketë bindje të fortë, shpresë dhe besim të madh tek Allahu i Lartësuar.
Gjithashtu, kërkohet edhe largimi i pengesave. Kjo është një temë që dijetarët e kanë shpjeguar, dhe do të vijë sqarimi i saj nga Ibn Kajimi më vonë – që është kujdesi ndaj kushteve të duasë dhe etikës së dhikrit, në mënyrë që të arrihet dobia e dëshiruar dhe përfitimi i pritur.
Për këtë arsye, Ibn Kajimi – Allahu e mëshiroftë – përmendi këtu hadithin e Profetit – paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të që thotë: ‘Luteni Allahun duke qenë të bindur për përgjigjen dhe dijeni se Allahu nuk e pranon duanë nga një zemër e pakujdesshme dhe e shpërqendruar.’
Ky është një ilaç i dobishëm që e largon sëmundjen, por pakujdesia e zemrës ndaj Allahut ia shuan forcën. Po ashtu, ushqimi me haram ia shuan fuqinë. Për këtë arsye, Profeti alejhi selam për atë njeri që ‘ushqehej me haram, pinte haram, dhe vishej me haram, tha– e si do t’i përgjigjet atij (Allahu)?!’”
Për ta përmbledhur themi se duaja kërkon – siç është transmetuar nga Ebu Dherri – devotshmëri (birr), sepse nëse duaja bashkohet me devotshmërinë, ajo sjell dobi dhe përfitim shumë të madh.
Ne i lutemi Allahut, Zotit të Arshit Madhështor, me Emrat e Tij të bukur dhe Cilësitë e Tij të larta, që të na bëjë dobi të gjithëve me atë që na mësoi, të na shtojë dije dhe sukses, të na përmirësojë të gjitha çështjet tona, të mos na lërë të mbësbtetemi në vetet tona as sa hap e mbyll sytë, të na udhëzojë në rrugën e drejtë, të na falë neve, prindërit tanë, mësuesit tanë, udhëheqësit tanë, muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret – të gjallët dhe të vdekurit.”
O Allah! Jepu shpirtërave tanë devotshmëri, pastroji ato, se Ti je më i miri që i pastron, Ti je Mbrojtësi dhe Mbështetësi i tyre. O Allah! Ne të kërkojmë udhëzim, devotshmëri, ndershmëri dhe pasuri.
O Allah, na jep pjesën tonë nga frika ndaj Teje, e cila na pengon prej mëkateve. Dhe nga bindja ndaj Teje, aq sa të na çojë në Xhenetin Tënd. Dhe nga bindja e palëkundur (besimi i sigurt), aq sa të na bëjë të lehta fatkeqësitë e kësaj bote. O Allah, na begato me dëgjimin tonë, shikimin tonë dhe forcën tonë për aq kohë sa të na japësh jetë. Bëji ato trashëgimi prej nesh (dmth, që të na shoqërojnë deri në fund). Bëje hakmarrjen tonë kundër atyre që na kanë bërë padrejtësi. ndihmona kundër atyre që na armiqësojnë; mos e bëj sprovën tonë të ketë lidhje me fenë tonë; mos e bëj dynjanë merakun tonë më të madh dhe as kulmin e dijes sonë; dhe mos ia mundëso atij që nuk na mëshiron që të na dominojë.”
I Lartësuar je Ti, o Allah, me lavdërimin Tënd. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje. Kërkoj falje nga Ti dhe pendohem tek Ti. O Allah, dërgo paqen dhe bekimet e Tua mbi Profetin dhe të Dërguarin Tënd, Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij.”
Komenti i librit “Sëmundja dhe Ilaçi” nga shejh Abdurrezak el Bedr
Përshtati: Fatjon Isufi
1- Kjo është një metaforë që tregon se lutja, kur shoqërohet me mirësi (birr) dhe devotshmëri, nuk ka nevojë të jetë e tepërt për të qenë e dobishme, ashtu siç nuk nevojitet shumë kripë që një ushqim të ketë shije. Pra, theksohet cilësia dhe sinqeriteti, jo sasia.