Lidhja e shpirtit me trupin

February 1, 2016

Lidhja e shpirtit me trupin

Ibn Kajim el Xheuzije (Allahu e mëshiroftë) thotë: Shpirti dhe trupi lidhen në pesë mënyra dhe secila ka dispozita të veçanta.

Mënyra e parë: Lidhja që shpirti ka me trupin kur njeriu është foshnje në barkun e nënës.

Mënyra e dytë: Lidhja që merr menjëherë sapo ky njeri të dalë mbi sipërfaqe të kësaj toke.

Mënyra e tretë: Lidhja që shpirti ka me trupin në momentet e gjumit. Në ato çaste, konsiderohet i lidhur në një formë dhe i shkëputur në një forëm tjetër.

Mënyra e katërt: Lidhja që shpirti ka me trupin në jetën e varrit, sepse në këtë etapë, edhe pse janë ndarë dhe janë zhveshur nga njëri tjetri (shpirti dhe trupi), në realitet nuk janë ndarë plotësisht, pra në kuptimin që të jetë si diçka e heshtu që nuk i kushtohet vëmendje.

Ne i kemi përmendur në fillim të përigjegjes tekstet dhe lajmet që  pohojnë lidhjen e shpirtit në çastin kur të vdekurit i jepet selam dhe kjo lidhje është e veçantë dhe nuk nënkupton jetën e trupit para ditës së kiametit.

Mënyra e pestë: Lidhja që shpirti ka me trupin, në momentin kur të ringjallen njerëzit. Kjo konsiderohet lidhja më e fortë dhe më e plotë (trup-shpirt) dhe nuk ka të bëjë fare me lidhjet e mëparshme që shpirti ka me trupin, sepse kjo e fundit është lidhje që nuk pranon më vdekje, gjumë, apo prishje.

Përderisa njeriu që flë, shpirtin e ka në trup dhe është gjallë dhe jeta e tij ndryshon  nga jeta e atij që është zgjuar, sepse gjumi konsiderohet vëllau i vdekjes, e kështu me radhë.

Edhe të vdekurit, kur i kthehet shpirti në trupin e tij (në çastin kur i japin selam), ai është në një gjendje të mesme, mes të gjallit dhe të vdekurit, të cilit nuk i është kthyer shpirti në trup. Njëlloj si rasti i atij që është duke fjetur dhe gjendja e tij konsiderohet e mesme d.m.th mes jetës dhe vdekjes.

Medito në këtë që përmenda, sepse do të japë zgjidhje për shumë problematika.

Er Ruhu [Shpirti fq 44]

Autor Ibn Kajim el Xheuzije (Allahu e mëshiroftë)

Përktheu Fatjon Isufi

Loading...