Lindja dhe fëmijëria e Profetit (alejhi selam).
Takimi i kësaj dite – në dashtë Allahu – do të jetë rreth një teme të re nga historia e Profetit (alejhi selam) dhe do të trajtojë nëntemat që vijojnë:
Nëntema e parë: Lindja dhe fëmijëria e Profetit (alejhi selam).
Nëntema e dytë: I dërguari ynë udhëton drejt vendeve të Shamit në mision tregtie.
Nëntema e tretë: Allahu i Madhëruar e ruajti të dërguarin e Tij në rini prej ndytësisë së injorancës.
Nëntema e katërt: Mësime, këshilla dhe dobi.
Nëntema e parë: Lindja dhe fëmijëria e Profetit (alejhi selam).
Ai lindi jetim, ditën e Hënë të muajit Rabijul Euel, në vitin e elefantit. Mëndesha e parë e tij ishte Thuejbe, robëresha e xhaxhait të tij Ebu Lehebit. [E përcjell Buhariu me nr. 5101, Muslimi me nr. 1449. Për më shumë shih ‘Sahih es Sira’ të Shejh Albanit fq. 15.]
Pas saj ai u ushqye me gji në fisin Beni Sead bin Bekër. Prej zakoneve të arabëve ishte që të gjenin mëndesha për të sapolindurit e tyre në shkretëtira, sepse kjo ishte më e shëndetshme për fëmijët e tyre.
Disa gra të fisit Beni Sead bin Bekër erdhën të kërkonin fëmijë për tajisje. Profeti (alejhi selam) i takoi Halime es-Seadije. Atje në shkretëtirën e Beni Sead bin Bekër i ndodhi dhe çarja e kraharorit.
Ejani të dëgjojmë të dërguarin e Allahut i cili na tregon rreth kësaj ndodhie.
Një grup prej sahabëve erdhën tek i dërguari i Allahut dhe i thanë: “O i dërguar i Allahut! Na trego rreth vetes tënde. Tha: Po. Unë vij si rezultat i lutjes së babait tim Ibrahimit dhe jam përgëzimi i Isait. Ndërsa nëna ime kur më mbarti në bark (dhe më lindi) vuri re se prej saj doli një dritë e cila ndriçoi kështjellat e Shamit. U ushqeva me gji në fisin Beni Sead bin Bekër.
Teksa po qëndroja me vëllain tim (prej qumështi) pas shtëpive tona duke ruajtur bagëtitë, më erdhën dy burra të veshur me rroba të bardha. Ata kishin një enë prej floriri të mbushur me akull. Më morën dhe më hapën kraharorin, mandej e nxorën zemrën dhe e çanë atë. Prej saj nxorën dicka të zezë dhe e hodhën. Pastaj e lanë zemrën dhe kraharorin tim me këtë akull derisa e pastruan në mënyrën më të mirë. Pas kësaj, njëri prej tyre i tha shokut të vet: Peshoje atë më dhjetë prej popullit të tij. Më peshoi me ta dhe unë peshova më rëndë. Mandej tha: Peshoje atë me njëqind prej popullit të tij. Më peshoi me ta dhe unë peshova më rëndë. Tha: Peshoje me një mijë prej popullit të tij. Më peshoi me ta por unë peshova më rëndë. Tha: Lëre atë, se pasha Allahun edhe nëse e peshon me gjithë popullin e tij ai do të peshojë më rëndë.” [Sahih Es Sira, Albani fq. 16].
Transmetohet nga Enes bin Malik se ka thënë: Profetit (alejhi selam) i erdhi Xhibrili ndërsa ai po luante me dy djelmosha. Ai e mori dhe Profetit i ra të fikët. E çau vendin tek zemra e tij, e nxori zemrën dhe prej saj mori një pjesë të zezë dhe tha: Kjo është hisja (pjesa) e shejtanit. Pastaj e lau atë me ujë zemzemi në një enë prej floriri, e qepi dhe e ktheu në vendin e saj. Djelmoshat erdhën duke vrapuar për tek nëna e tij – mëndesha – dhe i thanë: Muhamedin e vranë. Kur mbërritën tek ai dhe e panë ai ishte zbehur në fytyrë.
Enesi thotë: Ndërkaq, unë i shikoja shenjat e qepjes në kraharorin e tij. [Sahih Es Sira, Albani fq. 18].
Pas kësaj ndodhie mëndesha u tremb për shëndetin e tij ndaj e ktheu tek e ëma.
Jetoi tek nëna e tij ndërsa ditët dhe vitet kalonin. E ëma e mori dhe shkoi me të në Medine për të vizituar dajallarët e babait të tij të fisit Beni Adij bin Nexhar. Kur e mori rrugën e kthimit asaj i erdhi vdekja. Vdiq në El Ebue – fshat ndërmjet Mekes dhe Medines – dhe aty u varros. Profeti (alejhi selam) i cili lindi jetim dhe nuk e pa babain e tij, tashmë kishte humbur edhe nënën e tij. Mandej u kthye tek gjyshi i tij Abdul Mutalibi i cili e mori në kujdestari dhe pati dhembshuri për të aq sa nuk mbahej mend ta kishte pasur as tek fëmijët e tij.
Vitet kaluan dhe Abdul Mutalibi ndërroi jetë, ndërsa Profeti ishte vetem tetë vjeç. Pas kësaj e mori nën kujdestari xhaxhai i tij Ebu Talibi i cili ishte shumë i dhembshur me të. Ebu Talibi ishte nevojtar dhe për këtë arsye Profeti filloi të ruante bagëtitë e tij me qëllim që ta ndihmonte. Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Sa herë që Allahu ka dërguar një profet, ai ka qenë bari. Shokët i thanë; A edhe ti o i dërguar i Allahut? Po, – tha ai. Unë i ruaja ato për disa monedha që u merrja banorëve të Mekes.” [E përcjell Buhariu].
Gjithashtu, Profeti (alejhi selam) është pyetur: “A i ruaje delet? Po, – u përgjigj ai. Çdo profet ka qenë bari.” [E përcjell Buhariu me nr. 3406].
Më vonë, Profeti (alejhi selam) u mor me tregëti.
“Subulus Selam fi Sirati Hajril Enam”.
Ebu Islam Salih Taha (Allahu e mëshiroftë).