Lutja ndaj Allahut për dije të dobishme

December 11, 2022

Suneti e tregon qartë ndarjen e diturisë në atë që është e dobishme dhe në atë që nuk është e dobishme, dhe inkurajon për të kërkuar strehim (tek Allahu) nga dituria që nuk sjell dobi si dhe për të kërkuar prej Tij dijen që sjell dobi.

Në Sahihun e Muslimit,[1] Zejd ibën Erkam transmeton se Profeti salAllahu alejhi ve sel-lem kur lutej thoshte: “O Zoti im, tek Ti kërkoj mbrojtje; nga dituria që nuk sjell dobi, nga zemra që nuk përulet, nga shpirti që nuk ngopet dhe nga lutja që nuk pranohet.”

Përpiluesit e Suneneve[2] gjithashtu e kanë transmetuar këtë hadith me fjalë të ndryshme nga Profeti, salAllahu alejhi ve sel-lem. Në disa prej tyre thuhet: “…dhe nga lutja që nuk dëgjohet.”[3]

Në transmetime të tjera thuhet: “Kërkoj mbrojtje tek Ti nga këto katër gjëra.”

Ndërsa Nesaiu[4] transmeton nga Xhabiri radiAlllahu anhu, se Profeti, salAllahu alejhi ve selem, ka thënë: “O Allah, kërkoj prej Teje dituri të dobishme dhe kërkoj mbrojtje tek Ti nga dituria që nuk bën dobi.”

Ibën Maxheh[5] gjithashtu e ka transmetuar këtë hadith me këto fjalë: Profeti, salAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Kërkojini Allahut dituri të dobishme dhe strehohuni tek Ai nga dituria që nuk bën dobi.”

Tirmidhiu[6] transmeton nga Ebu Hurejra radiAllahu anhu se Profeti, salAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “O Allah, më bëj dobi me atë që më mësove, më mëso atë që më bën dobi dhe më shto diturinë.”

Nesaiu[7] transmeton nga Enesi radiAllahu anhu se Profeti, salAllahu alejhi ve sel-lem, lutej duke thënë: “O Allah, më bëj dobi me atë që më ke mësuar, më mëso atë që do të më bëjë dobi dhe më furnizo me dituri që më bën dobi.”

Ebu Nuajmi[8] transmeton nga Enesi radiAllahu anhu se Profeti, salAllahu alejhi ve sel-lem, thoshte: “O Allah, të kërkoj besim të vazhdueshëm, sepse është e mundur që besimi të mos jetë i vazhdueshëm. Të kërkoj dije të dobishme sepse është e mundur që të ketë dituri por të mos jetë e dobishme. “

Ebu Daudi[9] transmeton nga Burejde radiAllahu anhu se Profeti, salAllahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Vërtet ka disa forma të të folurit elokuent që janë si magjia,[10] dhe ka disa forma të diturisë që janë injorancë.”[11]

Sa’sa’ah bin Sahvan[12] e shpjegoi thënien e Profetit, salAllahu alejhi ve sel-lem, që thotë: “Dhe ka disa forma të diturisë që janë injorancë” me këto fjalë: Kur një dijetar preokupohet për t’i shtuar dijeve të tij atë që nuk perfeksionon, kjo e bën të duket tek të tjerët si i paditur.[13]

Gjithashtu, është komentuar se dija që dëmton dhe nuk sjell dobi është vetëm injorancë, pasi të qënit i paditur ose injorant rreth këtyre njohurive është më mirë se të kesh dituri rreth tyre. Përderisa injoranca ndaj këtyre njohurive është më e mirë, atëherë kjo tregon se njohuri të tilla janë më të dëmshme se injoranca. Një shembull i kësaj është magjia dhe llojet e tjera të diturisë që janë të dëmshme në fe dhe në çështjet e kësaj bote.

Është transmetuar se Profeti, salAllahu alejhi ve sel-lem, i ka shpjeguar disa lloje të diturisë që nuk sjellin dobi.

Në “Merasilet” e Ebu Daudit[14] nga Zejd bin Eslem, transmetohet se një herë i thanë Profetit, salAllahu alejhi ve sel-lem: “O i Dërguar i Allahut, kush është më i dituri i njerëzve? Ai i tha: Për çfarë? Thanë: Për prejardhjet e njerëzve. U përgjigj: Ajo është një dituri që nuk bën dobi dhe një injorancë që nuk bën dëm.”

Ebu Nuajmi gjithashtu e ka transmetuar këtë hadith në “Rijad el Mute’alimin”[15] nga Bakije, ky nga lbën Xhurejxhi, ky nga Ata’u nga Ebu Hurejra[16] si fjalë të Profetit, salAllahu alejhi ve sel-lem. Në transmetimin e tij tregohet se ata thanë: “Cilët janë njerëzit më të ditur për prejardhjen e arabëve, dhe njerëzit më të ditur për poezinë dhe për çështjet për të cilat arabët kundërshtohen?” Në pjesën e fundit të këtij transmetimi përmendet kjo shtojcë: “Dituria është tre llojesh dhe çdo gjë përveç kësaj është e tepërt: Një ajet i qartë, një sunet i vendosur dhe një obligim i drejtë.”

Ky zinxhir transmetimi nuk është autentik. Bakije[17] e ka transmetuar atë me anë të dëshmive nga burime jo të besueshme.[18]

Ebu Daudi dhe lbën Maxheh[19] pjesën e fundit të hadithit e përcollën nga Amër ibën el As si fjalë të Profetit, salAllahu alejhi ve sel-lem: “Dituria është tre llojesh dhe çdo gjë përtej kësaj është e tepërt: Një ajet i qartë, një sunet i vendosur dhe një obligim i drejtë.”

Në zinxhirin e këtij hadithi është Abdurrahman bin Zijad El-Afriki[20] dhe dihet mirë se ai ka dobësi.

 

Marrë nga libri: “Epërsia e dijes së selefëve”. 

Shkroi: Ebul Feraxh Zejnudin Abdurrahman ibën Ahmed ibën Rexheb el Hanbeli (795 h).

Verifikimi dhe shënimet: Ali Hasen Ali Adul Hamid.

Përktheu: Fatjon Isufi

————————————————–

[1] Me nr. 2722, Nesaiu 8/260, 285, Ahmedi 4/371, Begaviu 5/185, Taberaniu në “El Kebir” me nr. 5085.

[2] E përcjell Tirmidhiu me nr. 3482, Nesaiu 8/255, Ibën Maxheh me nr. 250, Ebu Davud me nr. 1533, Ebu Nuajmi 4/362, Hakimi 1/104, Ibën Hibani me nr. 2441-2442 nga Ebu Hurejra. Ndërsa Hakimi 1/104, Tajalisi me nr. 2008, Ibën Abdul Berri 1/195, El Kudai me nr. 229 e përcjellin nga Enesi dhe të tjerë.

[3] Imam Begaviu në librin “Sherh es Suneh” (5/160) ka thënë: “Nga lutja që nuk pranohet”, këtu kuptohet edhe shprehja e namazliut kur thotë: “Semia Allahu limen Hamideh – Allahu i përgjigjet lutjes së atij që e falenderon Atë.”

[4] Nuk e kam gjetur të përmendet në “El Sugra” dhe as në “El Kubra” të Nesaiut, siç thuhet edhe në “Tuhfetu el Eshraf” 2/357. Me këto fjalë e ka transmetuar Ibën Hibani me nr. 82, El Axhurri në librin “Ahlak el Ulema” me nr. 123-124. Po ashtu e përcjell Hejthemiu në “El Mexhma” 10/181, duke ja atribuar Taberaniut në “El Eusat” i cili ka thënë: Senedi i tij është i mirë.

[5] Me nr. 3843, Ibën Ebi Shejbeh 12/605, Ibën Abdul Berr 1/195, ndërsa Busajri ja atribuoi në “Misbah ez Zuxhaxheh” 238 Abd Ibën Humejdit dhe Ebi Jala. Hafidh el Iraki e ka konsideruar të mirë në librin e tij “Tahrixh el Ihja” 1/31.

[6] Me nr. 3593, Ibën Maxheh me nr. 251 dhe 3833, Begaviu 5/173 por në zinxhirin e tij ndodhet Musa bin Ubejdeh i cili është i dobët, ndërsa Muhamed bin Thabit është i panjohur.

[7] Nuk e kam gjetur në “El Sugra”, ndërsa Sujuti e ka përmendur në “El Xhami el Kebir” 1/387 duke ja atribuar Tajalisiut.

[8] Nuk e kam gjetur në radhitjet e tij, por Sujuti në “El Xhami el Kebir” 1/387 e ka përmendur një hadith me këtë kuptim nga Enesi, dhe ja atribuoi Ebu Nuajmit në “El Hiljeh”.

[9] Me nr. 4911. Gjithashtu e transmeton Ebu Nuajmi në librin “Dhikru Ahbar Asbahan” 1/146, Ibën Abdul Berr në “Temhijd” 5/180 dhe senedi i tij është i dobët sepse ka njerëz të panjohur. Siç ka thënë Hafidh el Iraki në librin “Tahrixh el Ihja” 1/31, dhe prej tij e përcjell Menavi në “El Fejd” 2/525.

[10] Shih “Fet’h el Bari” 10/238, “Mexhma el Emthal” 1/7, “Raudatu el Ukala” fq. 219.

[11] Pjesa e parë e hadithit është saktësuar si fjalë e Profetit, salAllahu alejhi ve sel-lem, nga një numër i konsiderueshëm sahabësh.

[12] Personi në fjalë është një tabi’in i madh që ka ndërruar jetë në vitin 56 hixhri. Jetëshkrimi i tij gjendet në librin “Tehdhib Tarijh Dimeshk” 6/423 dhe në librin “El Isabeh” 5/171.

[13] E ka përmendur Ebu Ubejdi në librin “El Azibijn” 1/430 dhe Ibën Ethiri në “En Nihaje” 1/322, i cili më pas tha: Gjithashtu kanë thënë: “Bëhet fjalë kur ai (dijetari) preokupohet duke mësuar gjëra të panevojshme siç është njohja e yjeve dhe njohuritë e hershme, duke lënë ato njohuri që i duhen në fenë e tij prej dijes së Kuranit dhe sunetit.” Për më tepër shih “Fet’h el Bari” 9/202 dhe “Xhamiul Usul” 11/745.

[14] Në faqen 50-51 botimi i Muhamed Ali Sabijh, Sem’ani në librin “El Ensab” 1/9-10, por zinxhirin e këtij hadithi është munduar ta lidhë Ibën Abdul Berri në librin e tij “El Ilm” 2/29 por me një zinxhir të dobët. Për më tepër shih “Fejd el Kadir” 4/326 të El Menavit.

[15] Këtë libër e përmend Ibën el Abari në “El Muxhem” fq. 8, 9, 82, 136, 145 etj. të cilin e ka quajtur “Rijada”, por edhe sot e kësaj dite nuk i është gjetur ndonjë kopje dorëshkrimi.

[16] El Hafidh ka thënë: Kjo nuk saktësohet. Kështu e ka përcjellë Menaviu në “El Fejd” 4/326.

[17] Ai është Bekije ibën el Velid dhe ai transmeton shumë nga të dobëtit. Për më tepër shih “El Kamil” 2/504 dhe “El Mijzan” 1/331.

[18] E përcjell Ibën Abdul Berr në “El Xhami” 2/23 me të njëjtin zinxhir transmetuesish.

[19] E përcjell Ebu Daudi me nr. 2885, Ibën Maxheh me nr. 54, Hakimi (4/332), Derakutni (4/67, 68), Ibën Abdul Hakem në librin “Futuhu Misr” fq. 255 dhe 256, Begaviu (1/291), Ibën Abdul Berr (1/29), Bejhakiu (6/208). Zinxhiri i këtij tranmetimi është i dobët për shkak të dobësisë së Abdurrahman el Afriki dhe Abdurrahman ibën Rafi et Tenuhi.

[20] Shih librin “El Hulasa” fq. 227 të autorit El Hazrexhi.

Dosje: , ,

Loading...