Margaritari i Përzgjedhur Rreth Vlerave të Fesë Islame –pjesa e dytë-

Vazhdon . . .

 SHEMBULLI I PARË


Feja Islame është ndërtuar mbi bazat e Imanit të cilat i ka përmendur Allahu duke thënë:

قُلْ آمَنَّا بِاللَّهِ وَمَا أُنزِلَ عَلَيْنَا وَمَا أُنزِلَ عَلَى إِبْرَاهِيمَ وَإِسْمَاعِيلَ وَإِسْحَاقَ وَيَعْقُوبَ وَالأَسْبَاطِ وَمَا أُوتِيَ مُوسَى وَعِيسَى وَالنَّبِيُّونَ مِن رَّبِّهِمْ لاَ نُفَرِّقُ بَيْنَ أَحَدٍمِّنْهُمْوَنَحْنُلَهُمُسْلِمُونَ


Ju (muslimanë) thoni: Ne besojmë Allahun dhe atë që na është dërguar neve dhe atë që i është zbritur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit, el-esbat (dymbëdhjetë bijve të tij), në atë që i është dhënë Musait dhe Isait dhe në çfarë u është dhënë të gjithë Pejgamberëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë asnjë dallim mes tyre dhe vetëm Atij ne i jemi nënshtruar si muslimanë në Islam.” [Ali Imran: 84].

Përsa i përket këtyre bazave madhështore, me të cilat Allahu ka urdhëruar të gjithë robërit, kanë rënë dakord për to pejgamberët e të dërguarit. Këto baza përbëjnë ideologjitë dhe njohuritë më madhështore, duke filluar me besimin në çdo gjë që Allahu e ka cilësuar Veten e Tij në gjuhët e të dërguarve të Tij, e deri tek derdhja e mundit për të arritur kënaqësinë e Tij. Duke parë se origjina e kësaj feje është besimi në Allahun, e fryti i saj është veprimi i çdo gjëje që Allahu e do dhe është i kënaqur me të, duke vepruar çdo gjë sinqerisht vetëm për Allahun. A mund të imagjinohet se mund të ekzistojë ndonjë fe tjetër më e mirë, më e bukur dhe më madhështore se kjo.

Kjo fe ka urdhëruar për besimin në gjithçka që i është dhënë pejgamberëve, ka urdhëruar për besimin e shpalljeve të tyre, ka urdhëruar për pohimin e së vërtetës të cilën ata e sollën prej Zotit të tyre, ka urdhëruar të mos bëjmë asnjë dallim midis tyre, të gjithë ata janë të dërguarit e besuar të Allahut dhe besnikët e tij të sinqertë. Është e pamundur t’i drejtohet kësaj feje ndonjë kundërshtim apo replikë. Kjo fe urdhëron çdo gjë që është e vërtetë, pohon çdo gjë që buron nga besnikëria, ajo vendos dhe fikson realitetet fetare që mbështeten tek shpallja që i dërgoi Allahu të dërguarve duke ecur me realitetet e logjikës, të cilat janë të dobishme dhe burojnë nga instikti i pastër. Kjo fe asnjëherë nuk e hedh poshtë të vërtetën, nuk e beson gënjeshtrën, nuk e përhap dhe nuk e përkrah të kotën. Pra, feja Islame është supreme dhe gëzon epërsi të theksuar mbi të gjitha fetë e tjera. Kjo fe urdhëron për punët e mira, virtytet e larta e të ndershme dhe interesat e robërve. Ajo nxit për moralet e larta si drejtësia, dëlirësia, mëshira, mirësia dhe në anën tjetër e ka nënçmuar padrejtësinë, mizorinë dhe të gjitha veset e këqija. Çdo veti të lartë që e kanë inkurajuar pejgamberët dhe të dërguarit, Islami e ka inkurajuar dhe e ka mbështetur atë. Çdo interes fetar dhe interes i kësaj bote për të cilën kanë thirrur dhe fetë e mëparshme, edhe Islami e ka nxitur atë. E në anën tjetër Islami ka ndaluar të gjitha dëmet dhe na ka urdhëruar t’u shmangemi atyre. Me pak fjalë, me ideologjinë e kësaj feje pastrohen zemrat, rregullohen shpirtrat dhe me to themelohen virtytet e larta dhe punët e mira.


SHEMBULLI I DYTË.


Ligjet madhështore të Islamit pas Imanit janë: Falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi i ramazanit dhe vizita e shtëpisë së shenjtë (shkuarja në Haxh). Vështro me vëmendje tek këto urdhëresa madhështore sesa të mira janë dobitë e tyre. Ato na urdhërojnë që të jemi të përpiktë duke vrapuar tek kënaqësia e Allahut me qëllim që të arrijmë fitoren me anë të shpërblimit të tanishëm dhe të ardhshëm (në botën tjetër).

Vështro tek namazi sesa punë të bukura përmban ai, duke filluar me sinqeritetin e punës vetëm për Allahun dhe duke u drejtuar plotësisht tek Ai. Namazi përmban lavdërim, lutje dhe përulje. Shembulli i namazit në pemën e Imanit është si shembulli i kujdesjes dhe i ujitjes së kopshtit, e nëse nuk do të përsëritet namazi ditë e natë ka për t’u tharë pema e Imanit dhe ka për t’u vyshkur, ka për t’u rrudhur trungu i saj, sepse ajo zhvillohet dhe ripërtërihet me kryerjen e namazit. Namazi në brendësi të tij përmban përmendjen e Allahut e cila është gjëja më e mirë dhe ndalon harbutërinë, ndyrësinë dhe poshtërsinë.

Vështro tek zekati dhe frytet që e pasojnë atë. Po të shohim zekatin në praktikë kemi për të gjetur një sjellje me virtyte të larta dhe veti që e meritojnë lëvdatën si: bujarinë, fisnikërinë dhe largimin prej sjelljeve të ulëta. Po ashtu kemi për të gjetur në të njerëz që e lavdërojnë Allahun në shenjë falënderimi për begatitë që u ka falur. Në të gjithashtu ndodhet ruajtja e pasurisë prej gjërave të turbullta dhe të errëta, qofshin ato morale apo materiale. Në të ndodhet bamirësia ndaj krijesave, përkrahja e të vobektëve dhe plotësimi i nevojave dhe interesave për atë që e meriton atë. Zekati përmbush nevojat e të varfërve dhe hallexhinjve. Ai ndihmon bindshëm xhihadin (luftën në rrugë të Allahut) dhe interesat e përgjithshme të cilat janë të nevojshme për muslimanët. Gjithashtu zekati shmang krizën e varfërisë dhe të të varfërve, tregon siguri në zëvendësimin e Allahut, shpresën e shpërblimit të Tij.

Kurse tek agjërimi kemi stërvitje të trupave me lënien e gjërave të cilat i do njeriu. Këtë gjest të lartë e bën njeriu për të fituar kënaqësinë e Allahut, për t’u afruar sa më shumë tek Ai dhe për të ushtruar trupat e për t’i mësuar ata me durim dhe me qëllim të lartë. Me anë të agjërimit forcohet sinqeriteti dhe plotësohet plotësisht përparësia që i jepet dashurisë së Allahut ndaj dashurisë së vetes. Prandaj agjërimi është i Allahut dhe e ka veçuar atë për Veten e Tij midis punëve të tjera.

Ndërsa tek haxhi kemi për të vënë re veprime të shumta që kryhen të gjitha për të fituar kënaqësinë e Allahut si: shpenzimi i pasurisë, përballimi i vështirësive dhe marrja parasysh e vështirësive dhe rreziqeve. Të gjitha këto i kryejmë për të fituar kënaqësinë e Tij duke shkuar tek Ai, për ta mikluar dhe për ta lavdëruar Atë në shtëpinë dhe oborrin e Tij, për të kryer adhurimet e shumëllojshme në vendet e shenjta të cilat janë territore me të cilat ka përkrahur Allahu robërit e Tij dhe ata të cilët shkojnë tek shtëpia e Tij. Haxhi po ashtu përmban madhërimin e Allahut, nënshtrimin dhe përuljen e plotë ndaj Tij. Ai na bën të kujtojmë gjendjen e pejgamberëve dhe të dërguarve, të njerëzve të zgjedhur e të sinqertë. Le ta forcojmë Imanin me anë të tyre dhe ta lidhim dashurinë tonë fortë me ta. Haxhi përmban njohjen midis muslimanëve, derdhjen e mundit për bashkimin e fjalës së tyre, rënien dakord midis tyre për interesat e përgjithshme dhe vetjake të cilat nuk mund të shkelen. Kjo është nga vlerat më të mëdha të kësaj feje dhe është nga dobitë prej të cilave përfitojnë besimtarët. Këto janë disa gjëra shkurtimisht, sa për kujtim dhe përqendrim.

Vazhdon . . .

 

Autor dijetari i njohur Abdu Rrahman bin Nasir Se’adi
Përshtati në shqip Bledar Ali