Margaritari i Përzgjedhur Rreth Vlerave të Fesë Islame –pjesa e parë-

October 25, 2007

 

 

Margaritari i Përzgjedhur Rreth Vlerave të Fesë Islame –pjesa e parë-

 

Falënderimi i takon vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojte nga Allahu prej çdo të keqe të vetes sonë dhe punëve tona të këqija. Atë që e udhëzon Allahu s’ka kush që ta humbë, e atë që e humb Allahu s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka të adhuruar tjetër (që e meriton adhurimin) përveç Allahut, i Cili është i vetëm dhe pa ortak; dëshmoj se Muhamedi sala Allahu alejhi ue selem është rob dhe i dërguari i Tij.

Feja Islame me të cilën u dërgua Muhamedi sala Allahu alejhi ue selem është feja më e përsosur dhe më e mirë, më e larta dhe më madhështorja. Ajo ka përfshirë prej vlerave madhështore të përsosmërisë, mbarëvajtjes, mëshirës, drejtësisë, mençurisë dhe urtësisë aq sa dëshmon se Allahu i Lartëmadhëruar është i përsosur, që ka dituri të gjithanshme dhe mençuri e urtësi. Po ashtu ky fakt dëshmon edhe për pejgamberin e Tij sala Allahu alejhi ue selem se Ai është besnik (i vërtetë), që flet gjithmonë të vërtetën dhe i besojnë të tjerët për ç’ka flet. Ai (Muhamedi) nuk flet nga mendja dhe dëshira e tij por “është vetëm shpallje që i shpallet”.

Feja Islame është fakti më madhështor dhe dëshmia më e qartë që argumenton se Allahu është veçuar me përsosmëri. Po ashtu kjo fe dëshmon për profetësinë dhe besnikërinë e pejgamberit të Tij sala Allahu alejhi ue selem. Synimi im me shkrimin e këtyre rreshtave është të paraqes kulmin e diturisë sime të cilat pasqyrojnë madhështinë e kësaj feje duke sqaruar bazat e vlerave të saja. Megjithëse dituria ime është shumë e paaftë të paraqesë gjithçka që përfshin kjo fe prej madhërisë, bukurisë e përsosmërisë. Fjalët e mia janë të paafta ta shpjegojnë atë në mënyrë të përgjithshme, e sigurisht janë akoma më të paafta për shpjegimin e hollësishëm të saj. Porse diçka që nuk të pasqyrohet tërësisht apo pjesa më e madhe e saj, nuk duhet lënë plotësisht, aq më tepër atë që njeriu e di dhe ka mundësi ta paraqesë. Allahu nuk ngarkon njeri mbi mundësitë që ai ka sipas fjalës së Tij: فاتقوا اللة ما استطعتمKini frikë Allahun dhe përmbushni detyrimet ndaj Tij aq sa të keni mundësi.

Duhet ditur se me njohjen e kësaj diturie kemi përfitime të shumta. Në rreshtat që vijojnë do të paraqes disa prej këtyre përfitimeve.

– Të merresh me këtë temë e cila është tema më madhështore, është prej punëve më të mira. Pra, studimi i kësaj teme, hulumtimi rreth saj dhe ndjekja e çdo metode që të orienton tek njohja e saj është gjëja më e mirë në të cilën njeriu e shpenzon kohën e tij.

Po ashtu ajo kohë që e kalon duke u marrë me këtë temë është në dobinë tënde dhe nuk është në dëmin tënd.

Allahu dhe i dërguari i Tij sala Allahu alejhi ue selem, na kanë urdhëruar t’i njohim begatitë e Tij dhe të jemi mirënjohës karshi tyre, madje ky veprim është një gjest i lartë. Nuk ka dyshim se hulumtimi rreth kësaj çështjeje është pohim, shprehje dhe mendim në begatinë më madhështore që Allahu i ka dhënë robërve të Tij, e cila është feja Islame. Allahu nuk pranon prej askujt fe tjetër veç kësaj (Islamit). Atëherë kjo shprehje është falënderim i Allahut dhe njëkohësisht është dhe lutje që të na e shtojë këtë begati. Përsa i përket Imanit (besimit) dhe përsosjes së tij, njerëzit ndryshojnë në të me një ndryshim të theksuar. Njeriu sa më shumë ta njohë këtë fe, aq më shumë do ta madhërojë atë, e sa më shumë i gëzuar dhe i lumtur të jetë me të, aq më i përsosur ka për të qenë Imani i tij dhe siguria e tij ka për të qenë më e plotë, sepse kjo gjë është argument për të gjitha rregullat dhe bazat e Islamit.

– Nga mënyrat më madhështore të cilat thërrasin dhe ftojnë në fenë Islame është shpjegimi i vlerave dhe bukurive që përmban kjo fe, e këto vlera e bukuri i pranon ai person që ka mendje të shëndoshë e natyrshmëri të pastër.

– Nëse disa burra i dalin ballë thirrjes në këtë fe duke shpjeguar parimet dhe realitet e saj dhe duke i sqaruar krijesave bukuritë dhe vlerat e saja, atëherë do të ishte më se e mjaftueshme për t’i tërhequr krijesat në këtë fe. Sepse kanë për të vënë re se kjo fe është në përputhje të plotë me interesat e kësaj bote dhe botës tjetër e gjithashtu me anë të kësaj feje ka për t’u rregulluar pjesa e jashtme dhe e brendshme. E atëherë nuk do të ishte e nevojshme që të merreshim me heqjen e dyshimeve të cilat i mbjellin kundërshtarët dhe s’do të kishim nevojë të flisnim kundra feve të kundërshtarëve.

– Duke u sqaruar kjo fe, ka për t’u larguar vetvetiu çdo dyshim që e kundërshton atë, sepse ajo është fe e vërtetë dhe shoqërohet me fakte të qarta dhe me argumente të cilat të çojnë tek siguria e plotë, e cila nuk pranon asnjë ndjenjë pasigurie. Nëse zbulon vetëm disa realitete të kësaj feje ka për të qenë kjo gjë fakti më i madh për pranimin e saj dhe për epërsinë e theksuar që ka në krahasim me fetë e tjera. Vini re se, vlerat dhe bukuritë e fesë Islame janë të përgjithshme, në të gjitha fushat në çështjet e faktet e saj, në bazat e degët e saj, në shkencat e fesë e rregullat e saj, dhe në dukuritë të cilat argumentojnë për shkencat e gjithësisë dhe sociologjisë.

– Unë nuk kam për qëllim të përfshij dhe të shtjelloj të gjitha këto sepse kjo ka nevojë për zgjerim të madh. Por kam si synim të përmend disa shembuj të dobishëm për të qenë këta shembuj si pishtar që hedh dritë mbi shembuj të tjerë. Gjithashtu dua që këta shembuj të jenë si çelësa për t’i çelur dyert atij që do të hyjë tek to. Këta shembuj janë të përhapur në bazat dhe degët e fesë, në temën e adhurimeve dhe (muamelateve) kontaktimeve dhe bashkëpunimeve.

Tani po filloj duke kërkuar ndihmën e Allahut dhe duke u mbështetur tek Ai. Shpresojmë që Ai të na udhëzojë dhe të na mësojë, të na i çelë portat e bujarisë dhe fisnikërisë së Tij që të rregullohet gjendja jonë dhe punët e fjalët tona të jenë të drejta.

Vazhdon . . .

Autor: dijetari i njohur Abdu-Rrahman bin Nasir Se’adi
Përshtati në shqip: Bledar Ali

Loading...