Margaritari i Përzgjedhur Rreth Vlerave të Fesë Islame – pjesa e tretë
SHEMBULLI I TRETË
Kjo fe ka urdhëruar dhe ka nxitur bashkimin dhe grumbullimin dhe ka ndaluar rreptësisht përçarjen dhe mosmarrëveshjen. Në Kuran dhe Sunet ndodhen mjaft tekste të cilat janë argument për këtë parim madhështor. Kushdo që ka pak logjikë e ka kuptuar këtë çështje, ka kuptuar interesat fetare dhe interesat e kësaj bote që rrjedhojnë prej saj dhe dëmet e pasojat negative që shmangin kjo çështje.
Muslimanët në ditët e para të kësaj feje, siç e dimë të gjithë ishin të qëndrueshëm dhe të bindur në këtë fe. Ata gëzonin mbarësi në punët e tyre dhe përjetonin një kënaqësi që askush përveç tyre nuk e ka arritur. Ata ishin kapur fortë me këtë parim dhe e praktikonin atë me përpikëri. Ata ishin të bindur plotësisht se ky parim ishte shpirti i fesë së tyre. Këtë e shpjegon më shumë shembulli që vijon.
SHEMBULLI I KATËRT
Islami është fe e mëshirës, begatisë dhe bamirësisë. Ai gjithmonë stimulon dobinë e gjinisë njerëzore. Kjo fe përmban mëshirën, bashkëpunimin e mirë, fton për bamirësi dhe ndalon çdo gjë që nuk është në përputhje me këto. Kjo gjë e bëri Islamin të jetë dritë dhe shkëlqim midis errësirave të padrejtësisë dhe mizorisë, bashkëpunimit të keq dhe shkeljes së të drejtave.
Islami ka joshur dhe ka tërhequr zemra të cilat para se ta njihnin atë, ishin armiq të betuar të tij derisa u prehën nën hijen e tij të gjerë. Ai është treguar përdëllestar dhe i mëshirshëm me pjesëtarët e tij, derisa filloi të gufojë prej zemrave të tyre mëshira, toleranca dhe bamirësia të cilat duken qartë në fjalët e punët e tyre. Madje kjo u tejkalua deri tek armiqtë e tij, të cilët u shndërruan ndër miqtë e tij më të ngushtë. Dikush prej tyre hyri në këtë fe me aftësi depërtuese e mprehtësi e me plot ndjenja e simpati. Dikush tjetër iu nënshtrua zemërçelur dhe me çiltërsi kur pëlqeu rregullat e kësaj feje. Madje kur pa tek kjo fe drejtësinë dhe mëshirën i dha përparësi rregullave të Islamit mbi rregullat e fesë së tij.
SHEMBULLI I PESTË
Feja Islame është feja e mençurisë dhe urtësisë, është feja e natyrshmërie, feja e logjikës, mbarëvajtjes dhe fitores. Po të vëresh në bazat dhe degët të cilat bëjnë pjesë në gjykimet dhe rregullat e saj, do të shohësh se ato pranohen nga natyrshmëria dhe logjika, asaj i nënshtrohen bindshëm kërkuesit e së drejtës dhe të vërtetës. Kjo fe përfshin përpikërinë dhe saktësinë, sistemin e mirëfilltë dhe është e vlefshme për çdo kohë dhe për çdo vend. Të gjitha informatat e kësaj feje janë të drejta dhe të vërteta. Çdo lloj diturie apo shkence që ka dalë në të kaluarën apo do të zbulohet në të ardhmen, Islami nuk e kundërshton dhe nuk e përgënjeshtron atë, madje shkencat e vërteta ajo i përkrah dhe i mbështet. Ky fakt është argumenti më i madh për besnikërinë e kësaj feje. Specialistët drejtësi-dashës kanë vërtetuar se në Kuran ka argumente për çdo shkencë të dobishme, qoftë ajo shkencë fetare, tokësore apo politike. Në ligjin Islam nuk ekziston ndonjë gjë që nuk përputhet me logjikën, por përkundrazi mendjet e shëndosha dëshmojnë për besnikërinë, dobinë dhe mbarëvajtjen e tij. Të gjitha urdhëresat dhe ndalesat e Islamit janë të bazuara mbi drejtësi dhe nuk ka aspak padrejtësi në to. Çdo urdhër që ka ardhur në to është absolutisht i mirë ose në mënyre superiore dhe çdo ndalesë që ka ardhur në të është absolutisht e keqe dhe dëmi i saj ka për të qenë më i madh se dobia e saj. Sa më shumë që një njeri inteligjent ka për të medituar në gjykimet dhe rregullat e kësaj feje, aq më tepër ka për t’iu shtuar imani tek kjo bazë, ose ka për ta ditur se është zbritur nga më i Urti, më i Denji dhe Zotëruesi i të gjitha lavdërimeve.
SHEMBULLI I GJASHTË
Në këtë fe ekziston xhihadi (lufta në rrugë të Allahut), urdhërimi për çdo të mirë dhe ndalimi nga çdo gjë e keqe. Arsyeja e xhihadit në këtë fe është largimi i mizorisë së të padrejtëve të cilët shkelin të drejtat e kësaj feje dhe refuzojnë thirrjen Islame. Ky është lloji më i mirë i xhihadit. Ai nuk zhvillohet për etje, për pasuri, lakmi dhe për të mbrojtur interesat vetjake. Kush do të studiojë argumentet e këtij lloj xhihadi tek jetëshkrimi i Pejgamberit -paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të- dhe shokëve të tij kundrejt armiqve të tyre, padyshim ka për të gjetur se xhihadi bën pjesë në gjërat e domosdoshme dhe shmang mizorinë e zullumqarëve. Po të vëresh urdhërimin në të mirë dhe ndalimin nga e keqja, do të arrish në rezultatin se nevoja për të është e pashmangshme, sepse mbarëvajtja dhe ecuria e kësaj feje kryhet vetëm nëse anëtarët e saj zbatojnë me përpikëri parimet dhe ligjet e saja, do t’i binden urdhrave të saja të cilat janë kulmi i mbarëvajtjes, do t’i largohen ndalesave të saja të cilat janë ligësi dhe shkatërrim edhe nëse anëtarët e saj kanë për të qenë kapur fort me këtë çështje. Roli i urdhërimit për të mirë dhe ndalimi prej të keqes është i madh. Sa njerëz rrëshqasin në gabime dhe vetja e tyre me të padrejtë ia zbukuron gabimet dhe iu jep kuraje që të kryejnë disa gjëra të ndaluara dhe i bën ata të neglizhojnë në kryerjen e disa detyrave të cilat kanë mundësi t’i kryejnë. Pra, këtu del në pah se të gjitha këto gjëra nuk mund të realizohen veçse me urdhërimin në të mirë e ndalimin nga e keqja. Prandaj, urdhërimi në të mirë e ndalimi nga e keqja është nga vlerat më absolute të kësaj feje dhe nga gjërat më të domosdoshme të cilat duhen realizuar. Gjithashtu me anë të urdhërimit në të mirë dhe ndalimit nga e keqja realizohet korrigjimi i njerëzve që devijojnë, edukimi i tyre, largimi i tyre nga veset e këqija dhe moralet e ulta dhe edukimi i tyre me morale të larta. Ndërsa, nëse u jepet atyre liria e veprimit absolut (ndërkohë që ata u anëtarësuan në këtë fe dhe u zotuan se do t’i zbatojnë ligjet e saja) ka për të qenë kjo nga padrejtësitë dhe dëmet më të mëdha si për ata vetë ashtu edhe për shoqërinë, veçanërisht për sa i përket të drejtave të detyrueshme e të prera sipas fesë, logjikës dhe realitetit.
Vazhdon . . .
Autor dijetari i njohur Abdu Rrahman bin Nasir Se’adi
Përshtati në shqip Bledar Ali
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve