Allahu e krijoi njeriun dhe në natyrën e tij e bëri të jetojë në bashkësinë e njerëzve dhe të ketë mardhënie të ndërsjellta me ta. Ai (njeriu) e ka të pamundur të jetojë i vetëm sado t’i ketë të plotësuara mënyrat e rehatisë dhe luksit. Për këtë arsye, shoqëria do të ishte një çështje shumë e domosdoshme për njeriun.
Kurani dhe suneti e kanë sqaruar rëndësinë që ka shoqëria dhe sesa e rrezikshme është ajo për njeriun.
Në një hadith, Profeti alejhi salatu ues selam ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, prandaj le të shohë secili nga ju se me kë shoqërohet.” E përcjell Tirmidhiu dhe e ka saktësuar Albani.
Shoku ndikon pa asnjë mëdyshje tek shoku i tij. Mund të ndikojë pozitivisht në të mira duke i përkujtuar Alahun, duke e ndihmuar në vepra të mira dhe duke e nxitur në adhurime. Dhe kështu bëhet shkak për shpëtimin e tij në ditën e gjykimit.
Sikundër që ndikon negativisht duke e urdhëruar për vepra të këqija, duke e nxitur për çrregullime dhe duke e penguar nga përmendja e Allahut të Lartësuar.
Në këtë mënyrë ky shok bëhet shkak i humbjes dhe shkatërrimit të tij në ditën e gjykimit.
Allahu i Lartësuar thotë: “Atë ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: Ah sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të dërguarin! Ah sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga këshilla (Kurani) që më kishte ardhur. Në të vërtetë, djalli e braktis gjithmonë njeriun në çastin e nevojës.” | Furkan: 27-29 |
Prej shembujve më konkret që tregojnë rëndësinë e shoqërimit është shembulli që na ka treguar Profeti alejhi salatu ue selam, sesi ndikon shoku tek shoku i tij.
Ai thotë: “Shembulli i shokut të mirë dhe shokut të keq është si poseduesi i miskut dhe kovaçit. Mbartësi i miskut ose do te japë erë të mirë, ose do ta blesh, ose do të ndjesh prej tij erën e mirë. Ndërsa kovaçi ose do të të djegë rrobat, ose do të ndiesh prej tij erën e keqe.” Buhariu dhe Muslimi.
I mençuri zgjedh njerëzit e devotshëm dhe të mirë për tu shoqëruar dhe për të qëndruar afër tyre.
Ai largohet sa të jetë e mundur nga shoqëria e atyre që mund ta çojnë drejt shkatërrimit, duke e bërë të pendohet (për këtë shoqëri) në këtë botë dhe në botën tjetër.
Allahu i Lartësuar thotë: “Atë ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të drejtëve që e kanë pasur frikë Allahun.” | Zuhruf: 67 |
Përktheu Fatjon Isufi
Të Ngjashme
- Çfarë është ndërmjetësimi i mirë? Udha e Besimtarëve
- Këshillë për qëndrueshmëri dhe pendim Udha e Besimtarëve
- Nuk arrihet dituria me rehatinë e trupit Udha e Besimtarëve
- Nuk është domosdoshmëri Udha e Besimtarëve
- Pse njerëzit tregohen të painteresuar nga kërkimi i dijes së dobishme? Udha e Besimtarëve