Mëngjesi i Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem)

Mëngjesi i Profetit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem)

– Për në xhaminë Kuba –

Ai  (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) shkonte çdo javë në xhaminë Kuba në kohën e paradites dhe falte namaz. Gjatë kohës që ishte në namaz vinin banorët e Kubasë, e ata ishin fisi i Auf bin El-Harith, dhe e përshëndetnin me selam ndërsa ai u’a kthente selamin me shenjë. [1]

Kur shkonte në Kuba Profeti (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) flinte në kohën e kajlules (drekës) tek Umu Haram bintu Milhan, motra e Umu Sulejm, gruaja e Ubadeh bin Es-Samit (radijAllahu anhum). Ajo ishte prej atyre që e kishte të ndaluar martesën me të.

Një ditë i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) i shkoi asaj për vizitë dhe ajo e gostiti, pastaj filloi t’i ledhatonte kokën derisa e zuri gjumi, e më pas ai u zgjua duke qeshur.

Thashë (Umu Harami): Ç’të bëri të qeshësh o i Dërguar i Allahut?

Ai (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha: Disa njerëz nga umeti im m’u shfaqën në ëndërr si luftëtarë në rrugën e Allahut, duke lundruar mes detesh si mbretër mbi frone.

Thashë (Umu Harami): O i Dërguar i Allahut! Lutju Allahut që të më bëjë edhe mua prej tyre.

I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) u lut për të, pastaj vendosi kokën dhe fjeti përsëri. Më pas u zgjua sërish duke qeshur.

Thashë: Ç’të bëri të qeshësh o i Dërguar i Allahut?

Tha: Disa njerëz nga umeti im m’u shfaqën në ëndërr si luftëtarë në rrugën e Allahut… – si tha herën e parë.

Thashë: O i Dërguar i Allahut! Lutju Allahut të më bëjë edhe mua prej tyre.

Tha: Ti do të jesh me të parët e tyre.

Kështu, Umu Harami lundroi mes detit në kohën e sundimit të Muauije bin Ebi Sufjanit. Sapo zbriti në breg ajo ra nga kafsha e saj dhe vdiq dëshmore (radijAllahu anha). [2]

 

Përktheu: Unejs Sheme

 

[1] Shih “Musnedu Ahmed” (5860 dhe 23886), “Sahihul Buhari” (1191 dhe 1193), “Sahihu Muslim” (1399), “Sunenu Ebi Daud” (927), “Xhamiu Et-Tirmidhi” (368), “Sahihu Ibën Hiban” (1618 dhe 1632), “Sunenul Bejhaki” (2/259) dhe (5/248) etj.

[2] Shih “Musnedu Ahmed” (13520), “Sahihul Buhari” (2788 dhe 7001), “Sahihu Muslim” (1912), “Xhamiu Et-Tirmidhi” (1645), “Sunenu En-Nesai” (3171), “Sahihu Ibën Hiban” (6667) etj.