Mirësia dhe urtësia e të ngrënit bashkarisht

January 18, 2026

Argumentet nga suneti:

1- ​Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Profeti ﷺ ka thënë:

“Ushqimi i një personi mjafton për dy, ushqimi i dy personave mjafton për katër, dhe ushqimi i katër personave mjafton për tetë.”

(Transmeton Muslimi.)

2- ​Vahshi bin Harb përcjell se shokët e të Dërguarit të Allahut ﷺ thanë: “O i Dërguar i Allahut, ne hamë por nuk ngopemi?” Ai u tha: Ndoshta ju hani të ndarë? Ata thanë: “Po.” Tha: Atëherë mblidhuni rreth ushqimit tuaj, përmendni emrin e Allahut dhe do t’ju shtohet bereqeti në të.”

Transmeton imam Ahmedi, Ebu Daudi dhe Ibn Maxhe. Disa dijetarë e kanë vlerësuar këtë hadith si të mirë.

3- ​Xhabiri përcjell se Profeti ﷺ ka thënë: “Ushqimi më i dashur tek Allahu është ai ku ka shumë duar (që hanë).”

(Transmeton Ebu Jala, Taberani dhe Bejhekiu.)

Dy hadithet e fundit edhe pse kanë diskutime në zinxhirin e tyre të transmetimit janë të sakta në kuptim. Ato përkojnë me sunetin e babait tonë Ibrahimit alejhi selam, me mysafirët e tij, me veprimet e Profetit ﷺ, me shokët e tij, si dhe me traditat dhe zakonet e mira të arabëve.

✅ ​Dobitë e mbledhjes bashkërisht rreth ushqimit.

Mbledhja rreth ushqimit sjell disa përfitime, si:

-​ Zbritja e bereqetit në ushqim.

– ​Forcimi i lidhjeve familjare sepse bashkimi i trupave (në tryezë) bashkon edhe zemrat.

– ​Shtimi i edukimit dhe i dobisë shkencore e praktike (përmes bisedave).

– ​Rregullimi i orarit ditor.

– ​Kursimi i mundit në përgatitjen e ushqimit.

– ​Ruajtja e ushqimit dhe parandalimi i shpërdorimit (tebdhirit).

– ​Largimi i vetmisë dhe i mbylljes në vetvete.

​Imam Ahmedi thotë: “Me vëllezërit hahet me gëzim, me të varfrit me altruizëm (duke u dhënë përparësi), ndërsa me njerëzit e botës (dunjallëkut) me burrëri.”

“El furua” i Ibn Muflih, 8/364.

Ndërsa ​sot si pasojë e qytetërimit të rremë dhe shthurjes familjare, familja ndahet gjatë ngrënies së ushqimit ku secili prej tyre ha i vetëm në kohë të ndryshme nga tjetri; pjata që hiqen e pjata që vendosen, ushqim që konsumohet nxitimthi në çdo kohë. Fëmijët keq ushqehen, të moshuarve u shtohet izolimi; njerëzit i mendojnë si të bashkuar por zemrat dhe trupat e tyre janë të ndarë.

 

Autor: Dr. Bedr bin Ali el Utejbi

Përshtati: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...