Mirësitë e përkushtimit ndaj ditës së xhuma!

June 26, 2020

Mirësitë e përkushtimit ndaj ditës së xhuma!

Përkushtimi ndaj xhumasë ka disa mirësi për të cilat ka njoftuar Profeti – alejhi selam, dhe sa më i madh të jetë përkushtimi aq më shumë mirësi ka. Prej këtyre mirësive veçojmë:

1 – Mirësia e atij që bashkon mes gusulit dhe shkuarjes herët në xhami.

Ebu Hurejra – radiallahu anhu – tregon se Profeti – alejhi selam – ka thënë: “Kush lahet ditën e xhuma si gusuli i xhunubit dhe shkon në xhami, është sikur ka bërë kurban një deve. Ai që shkon orën e dytë është sikur ka ofruar kurban një lopë. Ai që shkon në orën e tretë është sikur ka bërë kurban një dash me brirë. Ai që shkon në orën e katërt është sikur ka ofruar kurban një pulë. Dhe ai që shkon në orën e pestë është sikur ka ofruar kurban një vezë.” [1]

Në një version tjetër të hadithit thuhet:Ditën e xhuma në çdo derë prej dyerve të xhamisë ka melaike që rregjistrojnë njerëzit sipas radhës që vijnë, dhe kur imami ngjitet në minber ata i mbyllin regjistrat dhe ulen për të dëgjuar përkujtimin e Allahut. Ai që vjen në orën e parë është si ai që bën kurban një deve …. – vazhdon hadithi me të njëjtin tekst siç është përmendur më lart. [2]

Ibn Haxher El-Askalani, komentuesi i njohur i haditheve – Allahu e mëshiroftë, në lidhje me këtë hadith thotë: “Në këtë hadith ka nxitje për gusulin e ditës së xhuma, mirësinë e tij dhe mirësinë e shkuarjes herët në xhuma, dhe se kjo mirësi e përmendur arrihet duke bashkuar mes të dyjave. Kështu duhen kuptuar edhe versionet e tjera të cilat njoftojnë për arritjen e kësaj mirësie me shkuarjen herët, e që nuk e kushtëzojnë atë me gusulin.[3]

Vlerën e këtij veprimi e shton edhe fakti se për shkrimin e mirësisë së tij janë caktuar engjëj të posaçëm, të cilët siç duket nga ana e jashtme e hadithit janë të tjerë dhe jo ruajtësit.

2 – Mirësia e atij që i kushton rëndësi pastërtisë, zbukurimit, ecjes me qetësi për në xhami, faljes së nafileve para xhumasë dhe edukatës së qëndrimit në xhami.

Në lidhje me këtë mirësi kanë ardhur disa hadithe, prej tyre:

Ebu Hurejra – radiallahu anhu – tregon se Profeti – alejhi selam – ka thënë: “Kush merr gusul ditën e xhuma, pastaj vjen në xhuma dhe fal aq sa i ka caktuar Allahu, pastaj hesht derisa imami të mbarojë hytben dhe falet me të, i falen gjynahet mes asaj xhumaje dhe xhumasë tjetër (xhumasë së kaluar) dhe tre ditë më shumë.” [4]

Selman El-Farisij – radiallahu anhu – tregon se Profeti – alejhi selam – ka thënë: “Kush lahet ditën e xhuma, pastrohet aq sa mundet, parfumoset nga parfumi që ka, pastaj shkon në xhami dhe nuk ndan mes dy vetave, fal aq sa i ka caktuar Allahu të falë dhe hesht kur flet imami, veçse i falen atij gjynahet mes asaj xhumaje dhe xhumasë tjetër.” [5]

Abdullah bin Amr bin El-As – radiallahu anhu – tregon: “Kush lahet ditën e xhuma, parfumoset me parfumin që gjen te gruaja e tij (në shtëpinë e tij), vesh rrobat më të bukura që ka, pastaj nuk kapërcen mbi qafat e njerëzve dhe as merret me punë të kota gjatë përkujtimit (hytbes), xhumaja për të është falje mes dy xhumave.”[6]

Ebu Ejub El-Ensari shton në këtë hadith: “… pastaj ecën për në xhami me qetësi dhe nuk mundon njeri…”[7]

Ibn Haxheri – Allahu e mëshiroftë – përsëri citon: “Nga gjithë çfarë ka ardhur prej argumenteve përfitohet se shlyerja e gjynaheve nga xhumaja në xhuma është e kushtëzuar me bashkimin e të gjithë punëve të përmendura; gusuli, pastrimi, parfumosja, veshja e rrobave më të mira, ecja me qetësi, moskapërcimi i njerëzve, mosndarja mes dy vetave, mosmundimi i njerëzve, falja nafile (para xhumasë), heshtja dhe lënia e punëve të kota.”[8]

 

3 – Mirësia e atij që bashkon mes shkuarjes herët dhe dëgjimit të hytbes me vëmendje, duke shtuar këtu gusulin dhe ecjen në këmbë për në xhami.

Eus bin Eus – radiallahu anhu – tregon se ka dëgjuar Profetin – alejhi selam – të thotë: “Kush lahet mirë ditën e xhuma, niset herët, ecën në këmbë dhe jo hipur, afrohet nga imami duke dëgjuar me vëmendje dhe nuk merret me kotësira, për çdo hap që hedh i shkruhet sikur ka bërë punën e një viti, shpërblimin e agjërimit dhe të faljes së tij (të vitit).”[9]

Imam Sheukani – Allahu e mëshiroftë – në lidhje me këtë hadith thotë: Hadithi tregon se bashkimi mes këtyre punëve është shkak për arritjen e atij shpërblimi.[10]

Fjala e Profetit – alejhi selam: “Për çdo hap që hedh i shkruhet sikur ka bërë punën e një viti, shpërblimin e agjërimit dhe të faljes së tij.” d.m.th. shpërblimin e agjërimit dhe të namazit të natës së një viti, sikur ai të kishte agjëruar dhe falur çdo ditë dhe natë të tij. Ky shpërblim është shpërblim i rrallë në sheriat madje i padëgjuar për ndonjë punë tjetër veç saj, siç thotë El-Mula Ali El-Karij – Allahu e mëshiroftë: Disa prej dijetarëve kanë thënë: Nuk kemi dëgjuar në sheriat ndonjë hadith tjetër të saktë të përmbajë shpërblim si ky, prandaj duhet të punohet me to që ai të arrihet.[11]

 

 

[1] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[2] E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[3] Shih librin e autorit “Fet’h El-Barij”: 2/368.

[4] E transmeton Muslimi.

[5] E transmeton Buhariu.

[6] E transmeton Ebu Daudi dhe e saktëson sheih Albani.

[7] E transmeton imam Ahmedi dhe e saktëson sheih Shuajb El-Arnaut.

[8] Shih librin e autorit me titull “Fet’h El-Barij”: 2/372.

[9] E transmeton Imam Ahmedi, Ebu Daudi, Ibn Maxhe dhe e saktëson sheih Albani.

[10] Shih librin e autorit me titull “Nejl El-Eutar”: 1/296.

[11] Shih fjalët e autorit në librin me titull “Merkat el-Mehatijh”: 3/1035.

Dr. Abdullah Nabolli

Loading...