Muhamedi, i dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të)

February 18, 2026

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Kjo është një përmbledhje e shkurtër rreth Profetit të Islamit, Muhamedit (paqja qoftë mbi të!). Në të do të flasim për emrin, prejardhjen, vendin, martesën dhe mesazhin që ai predikoi. Si dhe për shenjat e pejgamberisë, legjislacionin dhe për qëndrimet e kundërshtarëve të tij në raport me të.

1- EMRI, PREJARDHJA DHE QYTETI NË TË CILIN LINDI DHE U RRIT:

I Dërguari i Islamit quhej Muhamed. Ai ishte i biri i Abdullahut, i biri i Abdulmutalibit, i biri i Hashimit pasardhës i Ismailit të birit të Ibrahimit (paqja qoftë mbi ta!).

Profeti i Allahut, Ibrahimi (paqja qoftë mbi të!), erdhi nga Shami në Mekë, së bashku me bashkëshorten e tij, Haxheren dhe djalin e tij, Ismailin, i cili ishte në djep (foshnjë). Ai i vendosi ata në Mekë me urdhër të Allahut të Lartmadhëruar. Kur ky djalosh u rrit, profeti Ibrahim (paqja qoftë mbi të!) erdhi në Mekë dhe bashkë me djalin e tij, Ismailin (paqja qoftë mbi të!) ndërtuan Qabenë, Shtëpinë e Shenjtë. Kështu, njerëzit u shtuan përreth Qabesë dhe Meka u bë destinacion për adhuruesit e Allahut, Zotit të botëve, të cilët dëshironin të kryenin haxhillëkun. Njerëzit vazhduan ta adhuronin Allahun e të ishin monoteistë, sipas fesë së Ibrahimit (paqja qoftë mbi të!) për shekuj me radhë.

Më pas ndodhi devijimi dhe Gadishulli Arabik u gjend në të njëjtën situatë sikurse vendet e tjera të botës, ku manifestoheshin ritualet e paganizmit, si: adhurimi i idhujve, varrosja e foshnjave vajza për së gjalli, padrejtësia ndaj grave, dëshmia e rrejshme, pirja e alkoolit, kryerja e veprimeve të pahijshme, keqpërdorimi i pasurisë së jetimëve, marrja e kamatës…etj.

Në këtë vend dhe në këtë mjedis, nga pasardhësit e Ismailit, të birit të Ibrahimit (paqja qoftë mbi ta!) lindi i Dërguari i Islamit, Muhamedi, i biri i Abdullahut, në vitin 571 gregorian. Babai i tij vdiq para se ai të lindte, ndërsa nëna i vdiq kur ishte gjashtëvjeçar, kështu, ai kaloi në përkujdesjen e xhaxhait të tij, Ebu Talibit. Ai u rrit jetim, i varfër dhe ushqimin e jetesën e fitonte me djersën e vet.

2- MARTESA E BEKUAR ME ZONJËN HADIXHE:

Në moshën njëzetë e pesëvjeçare u martua me një nga zonjat e Mekës, e cila quhej Hadixhe e bija e Huvejlidit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), dhe me të pati katër vajza e dy djem. Djemtë i vdiqën të vegjël. Marrëdhëniet e tij me gruan dhe familjen ishin shumë të mira dhe të dashura, prandaj gruaja e tij, Hadixhja, e donte shumë, por edhe vetë ai ia ktheu këtë dashuri e nuk e harroi as pas vdekjes së saj për shumë vite me radhë; kur therte ndonjë dele ia ndante (mishin e saj)  shoqeve të Hadixhes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), në formë respekti ndaj tyre dhe ndaj Hadixhes, si dhe për të ruajtur dashurinë që kishte për të.

3- FILLIMI I SHPALLJES HYJNORE:

Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!) kishte një moral të lartë që kur e krijoi Allahu. Populli i tij e quanin i sinqerti, besniku. Ai merrte pjesë me ta në çështjet madhore dhe i urrente zakonet e paganizmit që ata i praktikonin, ai nuk u bashkëngjitej atyre në praktimin e këtyre zakoneve.

Kur i mbushi dyzet vjeç, në kohën që ishte në Mekë, Allahu e zgjodhi për Profet, dhe i dërgoi mengjëllin Xhibril (paqja qoftë mbi të!) me versetet e para që i zbritën nga Kurani. Këto versete ishin:

“Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (1)

Krijoi njeriun nga një droçkë gjaku!(2)

Lexo! Se Zoti yt është Bujari më i madh!(3)

I Cili, me anë të penës mësoi.(4)

I mësoi njeriut atë që nuk e dinte.” (5)

(El-Alek, 1-5)

Pas kësaj, ai menjëherë shkoi te gruaja e tij, Hadixhja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ndërsa zemra i rrihte pareshtur, dhe i tregoi asaj për atë që i kishte ngjarë. Ajo e qetësoi dhe së bashku shkuan te kushëriri i saj, Veraka ibn Neufeli, i cili ishte bërë i krishterë  dhe kishte lexuar Teuratin dhe Inxhilin. Hadixhja i tha: “O djali i xhaxhait tim, dëgjoje nipin tënd.” Veraka i tha Profetit (paqja qoftë mbi të!): “Fol, o nip, çfarë ke parë?” I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) i tregoi çfarë kishte parë dhe Veraka, me t’i dëgjuar fjalët e tij, i tha:

“Ai që ke parë ti është Namusi (kryeengjëlli), që Allahu e kishte dërguar më parë te Musai (paqja qoftë mbi të!). Ah, sikur të isha i ri e të isha gjallë kur populli yt të të dëbojë!” I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) i tha: “Vërtet do të më dëbojnë?!” Veraka ia ktheu: “Posi, nuk ka ndodhur që dikush të jetë paraqitur me atë që ke ardhur ti e të mos e kenë armiqësuar njerëzit, e, nëse ajo ditë më gjen të gjallë, do të të ndihmoj fuqishëm.”

Sa ishte në Mekë, atij i shpallej Kurani pandërprerë; atë ia sillte Xhibrili (paqja qoftë mbi të!) nga Zoti i botëve, gjithashtu ai i sillte edhe detaje të tjera të hollësishme që lidhen me mesazhin hyjnor.

Ai e ftoi popullin e tij në Islam, por ata e refuzuan dhe e kundërshtuan. Ata i ofruan pasuri dhe pushtet në këmbim të braktisjes së mesazhit hyjnor, por ai i refuzoi të gjitha këto, atëherë ata thanë ashtu siç thoshte paria e popujve të profetëve para tij: magjistar, gënjeshtar e shpifës. Ata e lënduan dhe e sulmuan fizikisht dhe i persekutuan ndjekësit e tij.

I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të!) qëndroi në Mekë duke predikuar dhe duke shfrytëzuar sezonin e haxhillëkut e tregjet sezonale arabe, ku takohej me njerëz të ndryshëm dhe ua parashtronte Islamin. Ai nuk premtonte të mira materiale apo poste udhëheqësie, as kërcënonte me shpatë, mbasi ai nuk kishte pushtet dhe as ishte mbret. Që në fillim të thirrjes së tij, ai i sfidoi ata të sillnin të njëjtën gjë si Kurani që kishte sjellë ai. Kësisoj, ai vazhdoi t’i sfidonte kundërshtarët e tij me të, derisa i besuan ata që i besuan nga radhët e shokëve të tij të nderuar (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë!).

Sa ishte në Mekë, Allahu e nderoi me mrekullinë e madhe të udhëtimit brenda natës (israja) drejt xhamisë al-aksa në Palestinë, pastaj të ngjitjes në qiell (miraxhi). Është e ditur se Allahu ka ngritur dhe Profetin Iljas dhe Profetin Isa (paqja qoftë mbi ta!) në qiell, siç përmendet në burimet e muslimanëve dhe në burimet e të krishterëve.

I Dërguari (paqja qoftë mbi të!) mori nga Allahu urdhrin për t’u falur teksa ishte në qiell, që është namazi të cilin muslimanët e falin pesë herë në ditë. Gjithashtu në Mekën e Bekuar iu dha edhe mrekulla tjetër e madhe: ndarja e hënës, gjë të cilën idhujtarët e panë me sytë e tyre.

Jobesimtarët kurejshë përdorën çdo mjet për ta ndalur atë, komplotuan kundër tij dhe bënë ç’mos për t’i larguar njerëzit prej tij. Ata këmbëngulën në kërkimin e mrekullive. Ata gjithashtu kërkuan ndihmën e hebrenjve, që t’u jepnin atyre argumente për të polemizuar me të Dërguarin e Zotit (paqja qoftë mbi të!) dhe për t’i larguar njerëzit prej tij.

Meqë përndjekja e jobesimtarëve kurejshë ndaj besimtarëve vazhdoi për një kohë të gjatë, i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të!) u dha leje që të shpërngulen në Abisini dhe u tha: “Atje është një mbret i drejtë, tek i cili nuk i bëhet padrejtësi askujt.” Ky ishte një mbret i krishterë. Kësisoj, dy grupe (besimtarësh) u shpërngulën në Abisini. Me të arritur në Abisini, ia parashtruan mbretit Nexhashi fenë që kishte sjellë Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!), e në atë rast Nexhashiu e përqafoi Islamin dhe tha: “Pasha Allahun! Kjo (fe) dhe ajo që solli Musai (paqja qoftë mbi të!) kanë dalë nga i njëjti burim!” Mirëpo populli i Mekës nuk pushuan së shkaktuari dëm atij dhe shokëve të tij.

Në mesin e atyre që i besuan atij gjatë sezonit të haxhillëkut ishte dhe një grup burrash që kishin ardhur nga Medineja. Ata i dhanë besën e Islamit dhe i premtuan se do ta ndihmonin nëse ai shpërngulej në qytetin e tyre. Atëbotë Medineja quhej Jethrib. Kësisoj, Profeti (paqja qoftë mbi të!) u dha leje besimtarëve që ishin në Mekë të shpërnguleshin në Medine. Ata migruan në Medine dhe Islami u përhap në të gjithë Medinen, saqë nuk kishte shtëpi në të që s’kishte hyrë Islami.

Pas një periudhe trembëdhjetë vjeçare të predikimit në Mekë, Allahu i dha leje Profetit (paqja qoftë mbi të!) të shpërngulej në Medinën Profetike. Kështu, ai u shpërngul në Medine dhe atje vazhdoi misionin e tij. Në Medine, ligjet e Islamit shpalleshin pandërprerë pak e nga pak dhe kësisoj Profeti (paqja qoftë mbi të!) nisi t’u dërgonte letra kryetarëve të fiseve dhe mbretërve, duke i ftuar në Islam. Ndër ata të cilëve u dërgoi letra ishin edhe: mbreti i romakëve, mbreti i persëve dhe mbreti i Egjiptit.

Sa ishin në Medine ndodhi eklipsi i Diellit dhe njerëzit u frikësuan. Kjo ditë përkoi me ditën e vdekjes së Ibrahimit, birit të Profetit (paqja qoftë mbi të!), kështu që njerëzit thanë: “Eklipsi i Diellit ka ndodhur për shkak të vdekjes së Ibrahimit.” Por Profeti (paqja qoftë mbi të!) tha:

“Eklipsi i Diellit dhe i Hënës nuk ndodh si pasojë e vdekjes ose lindjes së ndokujt, por ato janë shenja të Allahut, përmes të cilave Ai i ndërgjegjëson robërit e Tij.” (1)

Nëse Profeti (paqja qoftë mbi të!) do të ishte gënjeshtar dhe pretendues i rremë i profecisë, nuk do të ngurronte t’i frikësonte njerëzit që po e përgënjeshtronin dhe do t’u thoshte: “Eklipsi i Diellit ndodhi për shkak të vdekjes së djalit tim, e si do të jetë puna e atij që më përgënjeshtron?!”

(1) “Sahihu i Muslimit”, nr. 901.

Zoti e hijeshoi Profetin (paqja qoftë mbi të!) me moral të lartë dhe e përshkroi me fjalët:

“Padyshim, ti gëzon një moral të lartë”.

(El-Kalem, 4)

Ai karakterizohej nga të gjitha virtytet e larta, si: çiltëria, sinqeriteti, guximi, drejtësia dhe besnikëria edhe me kundërshtarët, si dhe bujaria. Atij i pëlqente bamirësia dhe humanizmi ndaj të varfërve, të vobektëve, të vejava dhe nevojtarëve; ishte i kujdesshëm për t’i udhëzuar dhe tregohej i mëshirshëm e i thjeshtë me ta, saqë kur vinte ndonjë njeri i huaj për ta takuar, pyeste shokët e tij për të, ndërkohë që ai ishte në mesin e tyre, por ky i huaj nuk e njihte, prandaj thoshte: “Cili nga ju është Muhamedi?”

Biografia e tij ishte shenjë e përsosurisë dhe fisnikërisë në marrëdhëniet e tij me të gjithë: me armikun e mikun, me të afërtin e të largëtin, me plakun e të riun, me burrin e gruan, me kafshët e zogjtë.

Kur Allahu e plotësoi fenë dhe Profeti (paqja qoftë mbi të!) e kumtoi mesazhin hyjnor në formën më të mirë, ai vdiq në moshën gjashtëdhjetë e trevjeçare, dyzet vjet para profecisë dhe njëzet e tre vjet si profet.

Ai u varros në qytetin e Medinës dhe nuk la as pasuri, as trashëgimi, përveç mushkës së tij të bardhë, të cilën e shfrytëzonte për udhëtim, dhe një sipërfaqe toke që e la vakëf për udhëtarët.”[2]

(2) “Sahihu i Buhariut”, (4461) 6/15.

Numri i atyre që e pranuan Islamin, i besuan dhe e ndoqën ishte i madh. Më shumë se njëqind mijë sahabë (shokë) e kryen Haxhin  e Lamtumirës me të, përafërsisht tre muaj para vdekjes së tij. Mbase kjo (nr i madh i sahabëve) është një nga sekretet e ruajtjes dhe përhapjes së fesë së tij. Sahabët e tij, të cilët i edukoi mbi vlerat dhe parimet islame, ishin njerëz të devotshëm, besnikë, bujarë dhe sakrifikues për këtë fe madhështore në të cilën besuan.

Sahabët më të mëdhenj në besim, dituri, punë, sinqeritet, vërtetësi, bujari, trimëri dhe fisnikëri ishin: Ebu Bekr Sidiku, Umer ibn Hatabi, Uthman ibn Affani dhe Ali ibn Ebu Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!). Ata ishin ndër të parët që i besuan dhe e vërtetuan profecinë e tij. Ata u bënë kalifë pas tij dhe mbajtën lart flamurin e fesë. Ata nuk psedonin asgjë nga vetitë e profecisë dhe Profeti (paqja qoftë mbi të!) nuk i dalloi me asgjë kundrejt pjesës tjetër të shokëve të tij (Allahu qoftë i kënaqur me ta!).

Allahu e ruajti Librin (Kuranin) që ia zbriti Profetit (paqja qoftë mbi të!), Sunetin (traditën fetare) e tij, biografinë e tij, thëniet e veprimet e tij, në gjuhën që fliste, kështu që asnjë biografi nuk është ruajtur përgjatë historisë siç është ruajtur biografia e Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të!). Madje dhe mënyra se si flinte, hante, pinte dhe qeshte, u ruajtën të gjitha.

Si sillej Profeti (paqja qoftë mbi të!) me familjen brenda shtëpisë?

Të gjitha situatat dhe gjendjet e tij janë të ruajtura dhe të regjistruara në jetëshkrimin e tij. Ai ishte njeri dhe Profet, nuk kishte asgjë nga karakteristikat e hyjnisë dhe nuk posedonte asnjë fuqi për të shmangur dëmet apo për të tërhequr dobitë.

4- PEJGAMBERLLËKU I TIJ:

Allahu e dërgoi Muhamedin (paqja qoftë mbi të!) pasi idhujtaria dhe mosbesimi dhe injoranca patën përfshirë të gjithë botën anembanë dhe nuk kishte njeri në sipërfaqen e tokës që e adhuronte Allahun pa i bërë ortak Atij, përveç disa pakicave nga ithtarët e Librit. Pra, Allahu e dërgoi të Dërguarin e Tij, Muhamedin (paqja qoftë mbi të!) si vulë për profetët dhe të dërguarit e mëparshëm. Ai e dërgoi atë me udhëzimin dhe fenë e vërtetë për të gjitha botët, që feja e tij të ngadhënjejë mbi të gjitha fetë dhe që t’i nxjerrë njerëzit nga errësirat e paganizmit, mosbesimit dhe injorancës në dritën e monoteizmit dhe besimit. Mesazhi i tij është plotësues i mesazheve të profetëve të mëparshëm (paqja dhe bekimet qofshin mbi ta!).

Ai predikoi çdo gjë që profetët dhe të dërguarit (paqja qoftë mbi ta!) e mëparshëm predikuan, si: Nuhu, Ibrahimi, Musai, Sulejmani, Davudi dhe Isai: ata predikuan që të besohet se Zoti (i vërtetë) është Allahu; Ai është Krijuesi dhe Furnizuesi, Ai jep jetën dhe vdekjen, Ai është Sunduesi i vërtetë, Ai planifikon çdo çështje, Ai është Përdëllimtari dhe Mëshirëploti. Allahu është Krijuesi i çdo gjëje në këtë gjithësi, i asaj që e shohim dhe i asaj që nuk e shohim; çdo gjë tjetër përveç Allahut është krijesë e Tij.

Ai gjithashtu predikoi që të adhurohet vetëm Allahu dhe të braktiset çdo adhurim kushtuar dikujt a diçkaje tjetër përveç Tij, si dhe e sqaroi në formën më të mirë se Allahu është Një dhe nuk ka ortak në adhurim, sundim, krijim dhe planifikim. Gjithashtu sqaroi se Allahu i Lartësuar as lind, as është i linduar, dhe se Ai nuk ka rival apo të ngjashëm, si dhe se Ai nuk shkrihet dhe nuk mishërohet në asgjë nga krijesat e Tij.

Ai predikoi besimin në librat hyjnorë, si: fletushkat e Ibrahimit dhe Musait (paqja qoftë mbi ta!), Teuratin, Zeburin dhe Inxhilin, si dhe predikoi besimin në të gjithë të dërguarit e Zotit (paqja qoftë mbi ta!). Ai e konsideronte se kushdo që përgënjeshtron një të dërguar, i ka mohuar të gjithë të dërguarit e Zotit.

Ai i përgëzoi të gjithë njerëzit me mëshirën e Allahut dhe se Allahu është Ai që kujdeset për nevojat e tyre të kësaj bote dhe se Allahu është Zoti i Gjithëmëshirshëm dhe vetëm Ai është që do t’i marrë në llogari krijesat në Ditën e Gjykimit, ditën kur Ai do t’i ringjallë të gjithë nga varret e tyre. Ai është që i shpërblen besimtarët për veprat e tyre të mira dhjetëfish, ndërsa për veprat e këqija ndëshkon vetëm aq sa ato janë. Besimtarët i pret lumturia e përhershme në botën tjetër. Ndërsa ai që nuk beson dhe bën vepra të këqija, do të marrë ndëshkimin e tij në këtë botë dhe në botën tjetër.

I Dërguari i Zotit Muhamedi (paqja qoftë mbi të!) në predikimet e tij, nuk lartësoi fisin e tij, vendin apo veten e tij, përkundrazi në Kuranin Famëlartë përmenden në formë respekti emrat e profetëve si: Nuhu, Ibrahimi, Musai, Isai etj. Madje emrat e tyre janë përmendur në të më shumë sesa emri i tij. Në Kuran nuk është përmendur emri i nënës së tij e as emrat e grave të tij, ndërkohë që është përmendur nëna e Musait më shumë se një herë, kurse Merjemja (paqja qoftë mbi të!) është përmendur tridhjetë e pesë herë.

I Dërguari i Zotit Muhamedi (paqja qoftë mbi të!) është i mbrojtur nga gabimet në të gjitha çështjet që lidhen me fenë, arsyen dhe natyrshmërinë njerëzore, si dhe në çështjet që nuk i pranon morali i shëndoshë; sepse profetët janë të pagabueshëm në çështjet që i kumtojnë nga ana e Allahut dhe sepse ata janë përzgjedhur për t’ua kumtuar njerëzve urdhrat e Tij. Profetët nuk kanë kurrfarë karakteristike hyjnore, as janë të denjë për t’u adhuruar, përkundrazi ata janë qenie njerëzore si të gjitha qeniet e tjera njerëzore, por të cilëve Allahu i Madhëruar u shpalli mesazhin e Tij hyjnor.

Prej dëshmive më të mëdha se mesazhi i të Dërguarit Muhamed (paqja qoftë mbi të!) është shpallje nga Allahu është fakti se ai ekziston sot e kësaj dite ashtu siç ishte gjatë jetës së tij dhe pasohet nga më shumë se një miliard muslimanë, të cilët i zbatojnë obligimet e tij fetare, si: namazi, zekati, agjërimi, haxhillëku dhe të tjera, pa bërë ndryshime a shtrembërime.

5- SHENJAT DHE ARGUMENTET E PEJGAMBERISË SË TIJ:

Allahu i mbështeti pejgamberët me shenja dhe argumente që dëshmonin për pehgamberinë e tyre. Allahu i ka dhënë çdo pejgamberi mrekulli të mjaftueshme, për t’i bërë njerëzit të besojnë në pejgamberinë e tij. Mrekullia më madhështore që u është dhënë pejgamberëve është mrekullia e Profetit tonë, Muhamedit (paqja qoftë mbi të!). Allahu ia dha atij Kuranin Fisnik, i cili është mrekullia e vetme nga mrekullitë e pejgamberëve që vazhdon të jetë deri në Ditën e Kiametit. Po ashtu Allahu e mbështeti atë me shenja (mrekulli) të tjera të mëdha si:

Israja dhe Miraxhi, çarja e hënës dhe rënia e shiut në disa raste të ndryshme kur iu lut Zotit t’i begatonte njerëzit me shi në kohën e thatësirës.

Shumimi i ushqimit dhe ujit të paktë, prej të cilit hëngrën e pinë shumë njerëz.

Ai rrëfeu shumë ngjarje nga e kaluara, me anë të shpalljes, hollësitë e të cilave nuk i dinte askush, si: tregimet e profetëve me popujt e tyre dhe historia e banorëve të shpellës.

Ai njoftoi për ngjarjet në të ardhmen, të cilat ndodhën pas tij, me anë të shpalljes, si: lajmërimi për zjarrin që do të dilte nga toka e Hixhazit, të cilin e panë banorët e Shamit, si dhe lajmërimi për garimin e njerëzve në ndërtimin e godinave të larta.

Allahu e ruajti dhe e mbrojti prej njerëzve.

Realizimi i premtimeve që u bëri shokëve të tij, si:

“Do ta çlironi Persinë dhe Bizantin dhe thesaret e tyre do t’i shpenzoni në rrugën e Allahut!”

Mbështetja që Allahu i dha përmes melekëve.

Përgëzimi që profetët e mëparshëm i bënë popujve të tyre për pejgamberinë e tij. Disa nga profetët që përgëzuan popujt e tyre për ardhjen e tij ishin: Musai, Davudi, Sulejmani, Isai dhe shumë profetë të tjerë tprej bijve të Israilit.

Gjithashtu, Allahu e mbështeti atë me argumebinden mendjet e shëndosha.

(3) Siç është fjala e Allahut të Lartësuar: “O njerëz, ju është sjellë një shembull, andaj dëgjojeni atë: ‘Idhujt që ju i adhuroni në vend të Allahut, nuk mund të krijojnë as dhe një mizë, edhe nëse bashkohen të gjithë për këtë. E, nëse miza u merr atyre diçka, ata nuk do të mund t’ia marrin. I dobët është ai i cili e bën kërkesën (idhujtari) dhe ai të cilit i bëhet kërkesa (idhulli)” (El Haxh, 73)

Këto shenja, argumente dhe shembuj racionalë janë të shpërndarë në Kuranin e madhëruar dhe në Sunetin profetik. Ajetet kuranore në këtë kuadër janë aq shumë, sa nuk mund të numërohen. Andaj kushdo që dëshiron të mësojë më shumë për këtë çështje, le t’i referohet Kuranit të madhëruar, koleksioneve të hadithit profetik dhe librave të jetëshkrimit profetik, ku do të gjejë të dhëna bindëse për këto shenja e për këto argumente.

Nëse këto mrekulli të mëdha nuk do të kishin ndodhur, kundërshtarët e Muhamedit (paqja qoftë mbi të!) nga mesi i jobesimtarëve kurejshë dhe nga mesi i hebrenjve dhe të krishterëve që banonin në Gadishullin Arabik do të kishin shfrytëzuar mundësinë për ta përgënjeshtruar dhe për t’i paralajmëruar njerëzit kundër tij.

Kurani i Madhërishëm është libri që Allahu ia shpalli të dërguarit Muhamed (paqja qoftë mbi të!) dhe ai është fjala e Zotit të botëve, përmes të cilit Allahu i sfidoi njerëzit dhe xhindët që të sjellin diçka të ngjashme me të ose të sjellin një sure të ngjashme me suret e tij. Sfida është e hapur edhe sot e kësaj dite. Kurani i madhërishëm u përgjigjet pyetjeve të rëndësishme që kanë hutuar miliona njerëz. Kurani i madhërishëm është ruajtur edhe sot e kësaj dite në gjuhën arabe në të cilën është shpallur: asnjë shkronjë nuk i mungon dhe është shtypur e është shpërndarë (nëtë gjithë botën). Ai është një libër madhështor, i paimitueshëm. Ai është libri më madhështor që u ka zbritur njerëzve. Është i denjë të lexohet (në arabisht) ose të lexohet përkthimi i kuptimeve të tij (në gjuhë të tjera). Kushdo që nuk arrin ta lexojë dhe të besojë në të, ka humbur të gjitha të mirat.

Po ashtu, Suneti (tradita fetare) i të dërguarit Muhamed (paqja qoftë mbi të!), udhëzimi e jetëshkrimi i tij, janë të ruajtuara dhe të përcjella (deri te ne) sipas një sërë transmetuesish të besueshëm; ato janë të shtypura (në koleksione librash) në gjuhën arabe, me të cilën fliste profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!), njësoj sikur të jetonte në mesin tonë. Gjithashtu ato janë përkthyer në shumë gjuhë të botës. Kurani i madhërishëm dhe Suneti i të Dërguarit (paqja qoftë mbi të!) janë burimi i vetëm i vendimeve dhe legjislacionit islam.

6- SHERIATI QË SOLLI PROFETI MUHAMED (paqja qoftë mbi të!):

Sheriati (legjislacioni) që solli i dërguari Muhamed (paqja qoftë mbi të!) është legjislacioni islam dhe është vulë e ligjeve dhe mesazheve hyjnore. Ai në thelb është i ngjashëm me ligjet e profetëve të mëparshëm, ndonëse format e tyre ndryshojnë.

Ai është sheriati i përsosur dhe është i përshtashëm për çdo kohë dhe vend. Përmes tij rregullohen të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me fenë e njerëzve dhe çështjet e kësaj bote. Ai i përfshin të gjitha adhurimet që janë të detyrueshme për robërit e Allahut, Zotit të botëve, si: namazi e zekati. Gjithashtu ua shpjegon atyre marrëdhëniet financiare, ekonomike, sociale, politike, ushtarake dhe mjedisore që janë të lejuara e të ndaluara, si dhe gjëra të tjera që nevojiten në këtë jetë dhe në jetën tjetër.

Ky sheriat ua ruan njerëzve fenë, jetën, nderin, pasurinë, mendjen dhe pasardhësit; ai ngërthen në vetvete çdo virtyt e mirësi dhe paralajmëron kundër çdo vesi e të keqeje. Ai fton që të respektohet dinjiteti njerëzor, fton për të qenë mesatarë (jo ekstremist e as liberal), të drejtë, të sinqertë, të pastër, të përpiktë dhe t’i duam besimtarët e t’ua duam të mirën njerëzve dhe ta ndalojmë gjakderdhjen; ai fton për sigurinë e atdheut dhe ndalon nga përhapja e panikut në mesin e njerëzve padrejtësisht. I dërguari Muhamed (paqja qoftë mbi të!) i shpalli luftë tiranisë dhe denigrimit, në të gjitha format dhe manifestimet e tyre, si dhe ishte kundër miteve, vetizolimit dhe murgërisë.

I dërguari Muhamed (paqja qoftë mbi të!) tregoi se Allahu e nderoi njeriun, qoftë mashkull, qoftë femër, si dhe ia garantoi të drejtat të plota. Ai e bëri atë përgjegjës për të gjitha zgjedhjet, veprat dhe ndërveprimet e tij. Ai është përgjegjës për çdo punë përmes së cilës e dëmton veten ose i dëmton të tjerët. Mashkullin dhe femrën i bëri të barabartë në aspektin e besimit, përgjegjësisë dhe shpërblimit. Sheriati i kushtoi kujdes të veçantë femrës, si nënë, bashkëshorte, bijë e motër.

Sheriati që e solli profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!) erdhi për të ruajtur arsyen dhe për të ndaluar çdo gjë që e dëmton atë, si: pirja e alkoolit për shembull etj. Islami e konsideroi fenë dritë që ndriçon rrugën e arsyes, që njeriu të adhurojë Zotin e tij me vetëdije e dituri. Sheriati islam e lartësoi pozitën e arsyes dhe e bëri atë kriter për të qenit i ngarkuar me detyra fetare dhe e liroi atë nga prangat e besëtytnisë dhe idhujtarisë.

Sheriati islam e vlerëson dijen e saktë dhe nxit për kërkime shkencore të asnjëanshme, si dhe bën thirrje për shqyrtim dhe meditim rreth vetvetes e gjithësisë. Rezultatet e sakta shkencore të shkencës nuk bien në kundërshtim me dijen që solli Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!).

Në sheriat nuk ka ndonjë diferencim për një lloj të caktuar të njerëzve kundrejt një lloji tjetër, si dhe nuk ka privilegje për një popull kundrejt një populli tjetër, por të gjithë janë të barabartë para vendimeve të sheriatit, sepse të gjithë njerëzit janë të barabartë në origjinën e tyre dhe nuk ka përparësi asnjë racë kundrejt një race tjetër, as një popull kundrejt një tjetri, përveçse në devotshmëri. Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!) ka treguar se çdo fëmijë lind në fitre (natyrshmëri të pastër) dhe asnjë qenie njerëzore nuk lind mëkatar ose trashëgimtar i mëkatit të dikujt tjetër.

Në sheriatin islam, Allahu e ka përligjur pendimin, që nënkupton: kthimin e njeriut te Zoti i tij dhe braktisjen e mëkatit. Islami i fshin mëkatet që janë bërë para tij dhe pendimi i fshin mëkatet që janë bërë para tij po ashtu, kështu që nuk ka nevojë të rrëfehet njeriu para një njeriu tjetër për mëkatet e bëra. Në Islam lidhja mes njeriut dhe Zotit është e drejtpërdrejtë, andaj nuk ka nevojë që dikush të jetë ndërmjetës mes teje dhe Zotit. Islami na ndalon (madje këtë e konsideron dalje nga feja, idhujtari) t’i bëjmë njerëzit zota ose ortakë me Allahun në hyjnitet ose në adhurim.

Sheriati që solli profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!) shfuqizoi çdo sheriat (ligj) të mëparshëm, sepse sheriati islam që Muhamedi e solli nga Zoti është sheriati i fundit deri në Ditën e Kiametit dhe është për gjithë botën, rrjedhimisht ai i shfuqizoi sheriatet para tij, ashtu siç e shfuqizuan sheriatet e mëparshme njëri-tjetrin. Allahu i Lartësuar nuk pranon sheriat tjetër përveç sheriatit islam dhe nuk pranon fe tjetër përveç Islamit që e solli profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!) dhe kushdo që zgjedh fe tjetër përveç Islamit, nuk do t’i pranohet atij. Ai që dëshiron t’i mësojë hollësitë e dispozitave të këtij sheriati, le t’i referohet librave të besueshëm që flasin për fenë islame.

Qëllimi i sheriatit islam, dhe i të gjitha mesazheve hyjnore, është që feja e vërtetë ta lartësojë njeriun, në mënyrë që ai të jetë rob i sinqertë i Allahut, Zotit të botëve, si dhe të lirohet nga skllavëria ndaj njeriut, materies ose besëtytnive.

Sheriati islam është i përshtatshëm për çdo kohë dhe vend, si dhe në të nuk ka asgjë që bie ndesh me interesat e shëndosha të njeriut, sepse ai është shpallje nga Allahu, i Cili e di se për çfarë kanë nevojë njerëzit. Njerëzit kanë nevojë për një legjislacion që është i saktë në vetvete dhe që nuk ka kundërthënie. Që është përmirësues për njerëzimin, që të mos jetë i vendosur nga ndonjë qenie njerëzore, por të jetë shpallur prej Allahut, i cili i udhëzon njerëzit në rrugën e mirësisë dhe mençurisë, e kur t’i referohen (njerëzit) atij për gjykim, punët e tyre do të rregullohen dhe ata të çlirohen nga padrejtësia ndaj njëri-tjetrit.

7- QËNDRIMI I KUNDËRSHTARËVE DHE DËSHMIA E TYRE NË RAPORT ME TË:

Pa dyshim çdo profet kishte kundërshtarë të cilët e kundërshtonin dhe e pengonin thirrjen e tij dhe i pengonin njerëzit të besonin në të. Profeti i Allahut, Muhamedi (paqja qoftë mbi të!) ka pasur shumë kundërshtarë gjatë jetës dhe pas vdekjes së tij, por Allahu i dha fitore mbi të gjithë. Dëshmitë e shumë prej tyre, – në të kaluarën dhe tani, – janë të shumta; se ai është Profet dhe se ai solli të njëjtën gjë që sollën profetët e mëparshëm (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi ta!). Ata e dinin se ai ishte në të drejtën, por shumë prej tyre i pengonte që të besonin: lakmia për pushtet, frika nga shoqëria ose humbja e pasurisë që e kishin fituar përmes pozitës etj.

Në fund, falënderimet tona qofshin për Allahun Zotin e botëve!

Burimi: Komisioni Shkencor nën Kryesinë e Çështjeve Fetare pranë Xhamisë së Shenjtë dhe Xhamisë Profetike

Përktheu Rexhep Milaqi

 

Dosje: ,

Loading...