Namazi është pjesë e besimit

August 15, 2016

Namazi është pjesë e besimit

Na ka treguar Amër bin Khalid se ka thënë: Na ka treguar Zuhejri se ka thënë: Na ka treguar Ebu Is’hak nga El-Bera se: “Kur Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem erdhi në Medine, ai qëndroi te gjyshërit e tij -apo ka thënë: te dajallarët e tij nga ensarët-. Ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u fal në drejtim të Kudsit gjashtëmbëdhjetë apo shtatëmbëdhjetë muaj. Por, dëshironte që kibla e tij (në namaz) të ishte Qabja. Kështu që, namazi i parë që ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e fali në drejtim të saj (Qabes) ishte namazi i ikindisë. Bashkë me të u falën edhe disa njerëz (nga shokët e tij). Njëri prej tyre që u fal bashkë me të sal-lAllahu alejhi ue sel-lem doli dhe kaloi pranë një xhamie, ndërsa njerëzit ishin në namaz në pozicionin e rukusë. Ai tha: Dëshmoj në emër të Allahut se u fala bashkë me të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në drejtim të Mekes. Njerëzit siç ishin në namaz u kthyen në drejtim të Qabes. Cifutëve u pëlqente kur e shihnin (Profetin alejhis selam) të falej në drejtim të Bejtul Makdes. Po ashtu dhe ithtarët e librave. Por, kur ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u kthye në drejtim të Qabes, ata e urryen këtë veprim.”

Zuhejri ka thënë: Na ka treguar Ebu Is’hak nga El-Bera në të njëjtin hadith se: Para se të ndryshohej drejtimi i kiblies kishte prej burrave që kishin vdekur apo ishin vrarë, ndërsa ne nuk dinim se çfarë të thonim në lidhje me ta. Kështu që, Allahu Lartësuar shpalli ajetin: “Allahu nuk ua humb kurrë besimin tuaj.”

Shpjegimi-

Shejh Abdulaziz er-Raxhihi (Allahu e ruajttë!): Fjala e tij: “Fjala e Allahut të LartësuarAllahu nuk ua humb kurrë besimin tuaj” d.m.th. namazin tuaj të falur në drejtim të Bejtul-Makdes (Kudsit). Kjo tregon se veprat janë brenda të ashtu quajturit besim. Ky është prej argumentave më të fortë në kundërpërgjigjen ndaj murxhive.

Historia e përmendur në hadithin e temës përmban disa dobi. Prej tyre:

– Njeriu nuk merret në përgjegjësi veçse pas dijes. Prandaj ata që u falën në drejtim të Bejtul-Makdes (Kudsit) pasi drejtimi i kibles u ndryshua duke mos e ditur, ata nuk merren në përgjegjësi për këtë veprim (dhe namazi i tyre është i saktë).

– Njeriu nëse ka veprua një vepër e cila më pas shfuqizohet, ai nuk merret në përgjegjësi për të. Nëse vdes në këtë gjendje ai shpërblehet. Sahabët të cilët vdiqën duke e falur namazin në drejtim të Bejtul-Makdes para se kibla të bëhej Qabja, shpërblimi i tyre është i plotë. Prandaj kur u ndryshua drejtimi i kibles sahabët thanë: “Nuk dimë çfarë të themi për shokët e Profetit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që vdiqën duke u falur në drejtim të kudsit.” Atëherë Allahu Lartësuar shpalli ajetin: “Allahu nuk ua humb kurrë besimin tuaj” d.m.th. namazin tuaj të falur në drejtim të Bejtul Makdes (Kudsit).

– Në hadith ka argument se njeriu nëse është duke u falur jo në drejtim të kibles -pas përpjekjes për të gjetur drejtimin e saj- pastaj atë e njofton dikush për drejtimin e kibles duke i thënë: “Kibla është në të djathtën tënde apo në anën e majtë”, ai kthehet në drejtim të kibles, e plotëson namazin dhe nuk e përsërit atë pjesë që e ka falur jo në drejtim të kibles. Njëjtë si vepruan dhe sahabët, ku njëri prej tyre u fal me Profetin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem pasi ishte ndryshuar drejtimi i kibles dhe shkoi te njerëzit që po faleshin në xhaminë Kuba, ndërsa ata po faleshin në drejtim të Shamit, ai u tha atyre -duke e ngritur zërin- që ta dëgjonin atë: Dëshmoj në emër të Allahut se u fala bashkë me të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në drejtim të Qabes. Ata -ashtu siç ishin në namaz- u kthyen në drejtim të Qabes. Fytyrat e tyre në fillim të namazit ishin të drejtuara nga Shami kurse në fund të tij ishin në drejtim të Qabes. Kështu që, ata nuk e përsëritën pjesën e parë të namazit.

– Nëse njeriu falet jo në drejtim të kibles -si rezultat të përpjekjes së tij- dhe nuk e di këtë derisa përfundon namazin, namazi i tij është i saktë dhe nuk e përsëritë atë.

“Mukhtarul-Melikil-Xhelil Sherhu Sahihi Muhamed bin Ismail” vëll. 1

 

Përktheu: Unejs Sheme

Loading...