Namazi i kërkimit të shiut (El-Istiska’)

February 14, 2016

El-Istiska’ në gjuhën arabe do të thotë kërkimi i ujit nga dikush për vete apo për dikë tjetër, ndërsa sipas sheriatit do të thotë kërkimi i tij prej Allahut në një mënyrë të veçantë në kohë thatësire.

Ky namaz falet në çdo kohë me përjashtim të kohës kur namazi nuk pëlqehet.

Ky namaz falet në musale (vendfalje) siç përmendet në sahihun e Buhariut dhe të Muslimit në hadithin e Abdullah bin Zejdit: “Profeti -alejhi selam-  doli për në musale për tu lutur për shi, u drejtua nga kibla dhe ktheu xhyben mbrapsht”.

Myslimanët dalin për kërkim shiu të përulur, të thjeshtë, të nënshtruar siç ka ardhur në hadithin e Abasit radija Allahu anhuma i cili thotë: “Profeti alejhi selam doli për kërkim shiu i përulur, i thjeshtë dhe i nënshtruar”[1].

Imami fal dy rekate duke lexuar me zë siç ka ardhur në hadithin e Abdullah bin Zejd i cili thotë: “Profeti alejhi selam doli për të kërkuar shi, u drejtua nga kibla për dua dhe ktheu mbrapsht xhyben pastaj fali dy rekate duke lexuar me zë”[2].

Imami lexon atë që e ka më të lehtë nga Kurani sepse nuk ka sure të përcaktuara për të siç tregon shejhu ynë Allahu e ruajte në librin “Tamam El-Minneh”.

Imami shton duatë për shkak të hadithit të Aishes -radiallahu anha- e cila thotë: “U ankuan njerëzit tek profeti -alejhi selam- për shi dhe ai urdhëroi për një minber që u vu në një musale dhe u caktoi njerëzve një ditë për të dalë. Aishja thotë: Profeti -alejhi selam- doli kur dolën rrezet e diellit, u ul në minber bëri tekbir, falënderoi Allahun e madhëruar dhe pastaj tha: Ju u ankuat për thatësirën që ka prekur vendet tuaja dhe vonimin e shiut nga koha e tij. Allahu i madhëruar ju ka urdhëruar ti luteni atij dhe ju ka premtuar se do tju përgjigjet. Pastaj tha: Lëvdatat i takojnë Allahut Zotit të botëve i cili është mëshirues, mëshirëbërës, sunduesi i ditës së gjykimit, nuk ka të adhuruar veç tij dhe ai bën atë që do. O Allahu ti je Zoti që ska të adhuruar veç teje, je i pasur dhe ne jemi të varfër, zbrite mbi ne shiun dhe bëje atë që do zbresësh të na japë forcë dhe të na mjaftojë deri në një kohë tjetër. Pastaj ngriti e i ngriti duart derisa pamë të bardhat e sqetullave të tij. Pastaj ua ktheu shpinën njerëzve dhe ktheu mbrapsht xhyben me duar të ngritur. Pastaj u kthye nga njerëzit, zbriti dhe fali dy rekate. Allahu i madhëruar formoi një re që lëshoi bubullimë dhe vetëtimë,  pastaj lëshoi shi me urdhrin e tij dhe pa arritur të kthehej në xhami luginat u mbushën me rrëke uji. Profeti -alejhi selam- kur pa nxitimin e njerëzve për në shtëpitë e tyre (nga shiu) qeshi derisa u panë dhëmballët e tij dhe tha: dëshmoj se Allahu ka mundësi për çdo gjë dhe se unë jam rob dhe i dërguar i tij”[3].

Ai gjithashtu kërkon falje prej Allahut siç do vijë në argumentin e mëposhtëm në dashtë Allahu i madhëruar nga Zejd bin Erkam. Imami dhe njerëzit pas tij ngrenë duart por imami i ngre më shumë siç ka ardhur te Buhariu dhe Muslimi nga Enesi i cili përshkruan ngritjen e duarve të tij duke thënë: “Ai i ngrinte duart derisa i shihej e bardha e sqetullave”.

Shejhu ynë Allahu e ruajte në librin “Tamam El-Minneh” thotë: “Unë mendoj se ngritja e duarve shumë është për imamin dhe jo për të tjerët pas tij”.

Ai kthen mbrapsht xhyben siç u tha më lart në hadithin e Abdullah bin Zejdit me tekst: “Ai ktheu mbrapsht xhyben duke ndryshuar duke ndërruar anën e jashtme me të brendshmen”[4].

Në sahihun e Buhariut thuhet: Sufjani ka thënë se El-Mesudiu më ka treguar nga Ebu Bekri dhe më ka thënë: Ktheu të djathtën në të majtë.

Nuk ka argument për kthimin mbrapsht të rrobave nga ana e njerëzve[5].

Ka ardhur argument që tregon se hutbja bëhet para namazit siç u pa në hadithin e Aishes: “Profeti -alejhi selam- doli kur dolën rrezet e diellit …”.

Në librin “El-Fet’h” shënohet: “Ibën Batal thotë: Hadithi i Ebu Bekrit tregon se namazi është para hutbes sepse ai përmend se profeti alejhi selam është falur para kthimit të xhybes. Pastaj thotë: Ky është regjistrim më i saktë i ngjarjes se sa i biri i tij Abdullah bin Ebi Bekër i cili përmend hutben para namazit”.

Teksti i hadithit që u përmend më lart është: “Profeti alejhi selam doli për në musale për të kërkuar shi, u drejtua nga kibla, fali dy rekate dhe ktheu mbrapsht xhyben e tij. Sufjani thotë: Më ka treguar El-Mesudiu nga Ebu Bekri se ka thënë: Ai ktheu të djathtën në të majtë”[6].

Nuk ka ezan dhe as ikamet për namazin e istiskasë.

Transmetohet nga Ebu Is’haku: “Doli Abdullah bin Zejd El-Ensari dhe doli me të El-Bera’ bin Azib dhe Zejd bin Erkam. Ai fali namazin e istiskasë dhe u ngrit në këmbë jo në minber, bëri istigfar, pastaj fali dy rekate duke lexuar me zë pa bërë ezan apo ikamet. Thotë Ebu Is’haku: Abdullah bin Zejdi e ka parë profetin -alejhi selam- (pra ai është sahabij)”.

“Ibën Batali thotë: Ka ixhma mes dijetarëve se nuk ka as ezan dhe as ikamet për namazin e istiskasë, Allahu e di më së miri”.

Enciklopedia e thjeshtuar e fikhut

Autor: Husejn el Auajshe (Allahu e ruajtë)

Përktheu Teuta Xeka

[1] E transmeton Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibën Khuzejma dhe e saktëson shejh Albani.

[2] E transmeton Buhariu dhe Muslimi me përjashtim të fjalës “duke lexuar me zë”.

[3]E transmeton Ebu Daudi, Tahaui, Bejhakiu, Hakimi dhe e saktëson shejh Albani.

[4] E transmeton Ahmedi me zinxhir të fortë. Shih “Tamam El-Minneh”.

[5] Për këtë ka ardhur një hadith jo i saktë.  Shih “Tamam El-Minneh”.

[6] E transmeton Buhariu, një pjesë e tij është përmendur më lart.

Loading...