Nata e Kadrit

April 12, 2023

Falënderimi i takon Allahut të Madhëruar! Atë e lavdërojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë! Me përulje i shprehim pendesën për mëkatet tona!

E lusim Allahun e Madhëruar të na ruajë nga ligësia e veteve tona e të na mbrojë nga pasojat e punëve tona të këqija!

Atë që Allahu e udhëzon në udhën e drejtë, s’ka kush ta humbasë, e kush e humbet rrugën e drejtë, askush përveç Allahut nuk mund ta udhëzojë.

Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet askush dhe asgjë përveç Allahut, Një dhe i Vetëm; pa ortak e as të ngjashëm. Dëshmoj se Muhamedi është rob i Allahut dhe i Dërguar i Tij. Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, familjen e tij të ndershme dhe shokët e tij fisnikë!

E vijim:

Shejhu i nderuar Abdurrazak El Bedër (Allahu e ruajttë!) ka thënë:

Allahu i Lartësuar është i vetmi që krijon e përzgjedh çfarë të dojë, ashtu siç tregon për veten e Tij:

وَرَبُّكَ يَخْلُقُ مَا يَشَاءُ وَيَخْتَارُ

“Zoti yt krijon ç’të dojë dhe zgjedh lirisht…” El Kasas 68

Fjala ‘zgjedh’ ka ardhur me kuptimin: ‘dallon, përzgjedh dhe veçon’. Allahu i Madhëruar është ‘i Urtë’ e ‘i Plotfuqishëm’, ai është i ‘Gjithëdijëshëm’ dhe me dijen e Tij ka përfshirë gjithçka. Nisur nga kjo, Ai përzgjedh dhe dallon ndër krijesat e Tij çfarë të dojë. Ai i ka dalluar me veçori e mirësi të jashtëzakondshme disa kohë nga disa të tjera, disa vende nga vendet e tjera dhe i ka dalluar disa njerëz nga njerëzit e tjerë.

Padyshim që kjo është shenjë dhe argument që tregon për zotërimin e Tij absolut. Ai është Një i vetëm, nuk e ndan sundimin e Tij me askënd. Të Tijat janë cilësitë më të përkryera. Ai krijon çfarë të dojë dhe përzgjedh prej krijesave të Tij kë të dojë. E gjithë çështja është në dorën e Tij.  Atij i takon vendimi, në fillim e në fund. Ai u cakton krijesave të Tij ç’të dojë dhe gjykon mes tyre ashtu siç Ai dëshiron.

فَلِلَّهِ الْحَمْدُ رَبِّ السَّمَاوَاتِ وَرَبِّ الْأَرْضِ رَبِّ الْعَالَمِينَ وَلَهُ الْكِبْرِيَاءُ فِي السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ ۖ وَهُوَ الْعَزِيزُ الْحَكِيمُ

“Falënderimi i përket vetëm Allahut, Zotit të qiejve dhe Zotit të Tokës – Zotit të gjithësisë. Atij i përket e tërë madhështia në qiej dhe në Tokë. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” El Xhathije 36-37

Allahu i Madhëruar e ka dalluar muajin e Ramazanit mbi të gjithë muajt e tjerë, duke i dhënë disa vlera dhe veçori madhështore. Por edhe ditët e muajit të Ramazanit nuk i bëri të gjitha njësoj, por i dalloi dhjetë ditët dhe netët e fundit të tij.

Midis dhjetë netëve të fundit të Ramazanit gjendet nata e Kadrit, e cila është një natë madhështore. Ajo është më e vlefshme se njëmijë muaj. Allahu e lartësoi pozitën e asaj nate dhe e bekoi duke zbritur në të Revelatën e Tij hyjnore, Fjalën e Tij, Librin famëmadh; KURANIN, i cili është udhërrëfyesi i të devotshmëve, dalluesi i të vërtetës nga e kota; është dritë, udhëzim dhe mëshirë për të gjitha botërat. Allahu i Madhëruar thotë:

إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةٍ مُّبَارَكَةٍ ۚ إِنَّا كُنَّا مُنذِرِينَ فِيهَا يُفْرَقُ كُلُّ أَمْرٍ حَكِيمٍ أَمْرًا مِّنْ عِندِنَا ۚ إِنَّا كُنَّا مُرْسِلِينَ رَحْمَةً مِّن رَّبِّكَ ۚ إِنَّهُ هُوَ السَّمِيعُ الْعَلِيمُ رَبِّ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ وَمَا بَيْنَهُمَا ۖ إِن كُنتُم مُّوقِنِينَ لَا إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ يُحْيِي وَيُمِيتُ ۖ رَبُّكُمْ وَرَبُّ آبَائِكُمُ الْأَوَّلِينَ

“Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar (në Natën e Kadrit). Vërtet, Ne gjithmonë kemi qenë paralajmërues. Në atë (natë të zbritjes së Kuranit) vendoset çdo punë e urtë, me urdhrin Tonë! Ne gjithmonë u kemi sjellë të dërguar, si mëshirë prej Zotit tënd. Me të vërtetë, Ai i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha. Ai është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që gjendet midis tyre, nëse besoni me bindje. S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Atij. Ai e jep jetën dhe e cakton vdekjen. Ai është Zoti juaj dhe Zoti i të parëve tuaj të lashtë!” Ed Duhan 3-8

Eh sa natë e madhërishme është Nata e kadrit! Ajo është natë e bekuar, e mbushur plotë me shpërblime, mëshirë e begati.

Një natë e vetme, më e mirë se njëmijë muaj!! Kjo do të thotë se ajo natë është më e mirë se tridhjetë mijë netë.

Njëmijë muaj, të konvertuara në vite, rezultojnë të jenë më tepër se 83 vjet. Kjo është një periudhë kohore goxha e gjatë. Imagjino sikur këtë periudhë ta kaloje të gjithën duke adhuruar Zotin… nata e Kadrit, për atë që e ka përjetuar atë me adhurime të sinqerta e punë të mira, është më e vlefshme sesa ato 83 vite. Eh çfarë pozitë të lartë që gëzon kjo natë!!

Muxhahidi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Nata e Kadrit është më e mirë e më e vlefshme se njëmijë muaj mes të cilave nuk do të kishte Natë Kadri.” Kështu janë shprehur dhe disa dijetarë të tjerë, ndër të cilët Katede dhe imam Shafiu.

Në këtë natë të begatë shtohet numri i engjëjve që zbresin në tokë, e bashkë me ta zbret mëshira e Zotit dhe bereqeti. Kështu ndodh edhe kur lexohet Kurani dhe kur mblidhen muslimanët për të përmendur dhe madhëruar Zotin e tyre. Engjëjt i rrethojnë ata dhe bashkë me ta zbret mëshira e qetësia.

Allahu i Madhëruar thotë: “Paqe është ajo natë, deri në agim.” Që do të thotë se nata e Kadrit është një natë në të cilën mbizotëron paqja dhe qetësia dhe se e keqja s’gjen vend në atë natë.

Ajo është nata në të cilën ‘vendoset çdo punë e urtë’, që do të thotë: Caktohet fati i njerëzve deri në vitin tjetër. E gjitha ndodh sipas paracaktimit dhe vendimit të Zotit të Madhëruar, të Gjithëfuqishmit, të Urtit. Këtu është për qëllim caktimi vjetor, pra deri në vitin tjetër, ndërsa caktimi i përgjithshëm gjendet në librin “Leuhil Mahfudh”. Aty është caktuar dhe është shkruar se çfarë do të ndodh, që pesëdhjetë mijë vjet para se të krijoheshin qiejt dhe toka, ashtu siç transmetohet në hadithet e sakta.

Në lidhje me vlerën e madhe të Natës së Kadrit, është transmetuar saktësisht se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kush e përjeton natën e Kadrit me adhurim ndaj Zotit, me besim të sinqertë dhe duke shpresuar shpërblimin, do t`i falen mëkatet që i ka bërë më herët.” E transmetojnë  Buhariu (1901) dhe Nesaiu (2195).

Nata e Kadrit, pa më të voglin dyshim, gjendet në muajin e Ramazanit. Allahu i Madhëruar thotë:

شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدًى لِّلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِّنَ الْهُدَىٰ وَالْفُرْقَانِ ۚ

“Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja).” El Bekare 185

Ndërsa në një ajet tjetër thotë:

إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةِ الْقَدْرِ

“Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit.” El Kadr 1

Nga kjo kuptojmë se Nata e Kadrit (në të cilën ka zbritur Kurani), gjendet në muajin e Ramazanit; në dhjetë netët e fundit të tij, në njërën nga netët teke, pasi i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetë netët e fundit të Ramazanit!” E transmetojnë  Buhariu (2020) dhe Muslimi (1169).

Ndërsa në lidhje me faktin se ajo gjendet në njërën nga netët teke të dhjetëshes së fundit të Ramazanit, i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit në netët teke të dhjetëshes së fundit të Ramazanit! Ajo mund të jetë nata kur Ramazanit i kanë ngelur nëntë ditë nga përfundimi, ose nata kur i kanë ngelur shtatë ditë, ose kur i kanë ngelur pesë ditë.” E transmetojnë  Buhariu (2021) dhe Muslimi (1165).

Ibën Haxheri në “El Fet’h”, nën temën “Kërkimi i Natës së Kadrit në netët teke të dhjetëshes së fundit të Ramazanit” ka thënë: “Pas shqyrtimit të kësaj çështjeje na bëhet e qartë se Nata e Kadrit gjendet në Muajin e Ramazanit, në dhjetë netët e fundit të tij; në netët teke, por pa e caktuar se në cilën prej tyre konkretisht. Në këtë përfundim na nxjerr përmbledhja e transmetimeve që kanë të bëjnë me këtë çështje. (Shih librin Fet’hu el Bari, vëllimi 4, faqja 259 – hadithi me nr 2017)

Dijetarët e fesë tonë kanë përmendur se urtësia e fshehjes së kësaj nate, dhe mospërcaktimit ekzakt të saj është bërë me qëllim që muslimanët t’i shtojnë adhurimet në dhjetë netët e fundit të Ramazanit.

Duke shpresuar se mos ndonjëra nga ato netë, mund të jetë nata e bekuar e Kadrit, ata do ta shtojnë leximin e Kuranit, do t’i shtojnë bamirësitë dhe veprat e mira, dhe kështu do të dali qartazi në pah ai që vërtetë ka qenë i zellshëm në kryerjen e adhurimeve dhe në fitimin e shpërblimeve (sevapeve), nga ai që ka qenë dembel dhe i shkujdesur.

Nëse do të dihej konkretisht se cila natë do të ishte nata e Kadrit, njerëzit do t’i fokusonin të gjitha energjitë e tyre në atë natë, dhe për shumë prej tyre ndoshta do të humbiste motivimi për të kryer adhurime në netët e tjera.

Por, duke mos e ditur se cila nga netët është Nata e Kadrit, gara për punë të mira bëhet më interesante dhe nocioni i provimit (sprovës, imtihanit) është më i plotë.

Muslimani duhet ta kërkojë Natën e Kadrit, dhe të bëjë ç’është e mundur që ta shfrytëzojë për arritjen e mirësivë, bëgative dhe shpërblimeve të asaj nate të madhërishme. Ndërsa ai që privohet nga mirësitë e asaj nate, ai me të vërtetë që është i privuar dhe fatkeq.

E si të mos jetë i privuar e fatkeq ai njeri që e ka arritur periudhën e faljes dhe mëshirës dhe nuk e ka shfrytëzuar për t’u liruar nga barra e gjynaheve, por vazhdon t’i mbajë ende mbi supe, e kjo vetëm e vetëm për shkak të neglizhencës së tij dhe mosinteresimit?!

Shpërblim i madh u takon atyre që tregohen të vëmendshëm dhe garojnë për arritjen e shpërblimeve të shumta dhe mirësive. Ata falen, luten, agjërojnë dhe punë të mira veprojnë…!

Mjerim i pashembullt u takon atyre që nga dyert e mëshirës së kësaj nate janë larguar, në dhomat e errëta janë vetmuar, në gjumë atë natë e kanë kaluar, apo edhe më keq; duke bërë ndonjë punë të shëmtuar…! Ah, sa keq për atë që mundësinë e humbi, i humbur në dëshira të kota!

Një natë më e mirë se një mijë muaj ka kaluar! Sikur ta dinte së çfarë ka humbur, shumë do të ishte pikëlluar.

Nëse njeriu nuk fiton (sevape) në këtë natë bujare, kur do të fitojë?! Nëse njeriu nuk e gjen rrugën për tek falja dhe mëshira e Zotit në këtë natë të mëshirës, kur do ta gjejë?!

Nëse tregohet neglizhent dhe i shkujdesur në këtë natë te bekuar, atëherë kur do të punojë prej bamirësive dhe punëve të mira?!

I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “U ka ardhur Ramazani, muaji i bekuar. Në të gjendet një natë, e cila është më e mirë se një mijë muaj. Ai që privohet nga të mirat e asaj nate, është privuar nga çdo e mirë. E nuk privohet nga të mirat e saj veçse ai që është fatkeq”. E transmetojnë  Ibën Maxheh (1644).

Është e pëlqyeshme që muslimani t’i shtoj lutjet në Natën e Kadrit, pasi duaja (lutja) në këtë natë të bekuar është e pranuar. Le të zgjedhi nga lutjet ato që janë më gjithpërfshirëse, ashtu siç është duaja e transmetuar nga nëna e besimtarëve; Aishja (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!), e cila tregon se e ka pyetur të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të!):

“Nëse e arrij Natën e Kadrit, me çfarë lutje të lutem o i Dërguari i Allahut?” – Tha: “Thuaj:

 

اللهمَّ إنك عفوٌ تحبُّ العفوَ فاعفُ عني

 

Allahume inneke afu’un tuhib-bul afue, fe afuani

 

O Allahu im, Ti je Falës, e do faljen, falmë mua!”

Suneni i Ibën Maxhes (3850)

 

Padyshim që kjo është një lutje, sa madhështore në kuptimin e saj, aq dhe e thellë e gjithpërfshirëse. Kjo lutje është e duhura në këtë natë të madhërishme. Në të zgjidhet çdo çshtje në mënyrë të prerë. Në të përcaktohet fati i njerëzve për vitin që pason, pra deri në Natën e Kadrit të vitit pasues.

Ai njeri, për të cilin përcaktohet atë natë se do të jetë fatlum, ka fituar një fitore të madhe. Atij që i shkruhet se do të jetë i qetë, i sigurtë, i pacënuar në shëndetin, trupin.., në dynjanë dhe fenë e tij.., ky njeri është fatlum. E ku ka mirësi më të madhe pas besimit sesa mirësia e shëndetit?!

Le të bëjmë ç’mos që të përfitojmë nga begatitë e kësaj nate të madhe, duke u përkujdesur për faljen e namazit në kohën e përcaktuar, duke i falur teravitë (namaz nate), duke e dhënë zekatin (ata që e kanë obligim nxjerrjen e tij), duke dhënë sadaka (lëmoshë) për të varfërit, duke agjëruar në mënyrën më të mirë, pa e prishur shpërblimin e agjërimit me punë të pahijëshme etj.  Pra të bëjmë sa më shumë vepra të mira e të distancohemi nga gjynahet (mëkatet). Të shtojmë keqardhjen dhe pendesën për gjynahet e shkuara, ta shtojmë istigfarin (kërkimin e faljes), ta përmendim Zotin me madhërim e ta lexojmë Kuranin sa më shumë.

O Zoti ynë! Na jep sukses që ta gjallërojmë me adhurime Natën e Kadrit!

Na mundëso o Zot të falim namaz nate, me besim tek Ti dhe duke shpresuar shpërblimin, e na i fal gjynahet!

Ti je Falës i madh dhe bujaria jote është madhe, o Zoti ynë!

 

 

 

 

Autor:

Prof. dr. Abdurrazak ibën Abdul-Muhsin EL BEDR

 

Përktheu:

Edmond AJDINI

Loading...