Ndodhitë e mëdha që paraprinë lindjen e Profetit

October 10, 2017

Nëntema e dytë: Ndodhitë e mëdha që paraprinë lindjen e Profetit (alejhi selam).

E para: Gërmimi i Zemzemit nga Abdul Mutalibi.

Ai që na i tregon këtë histori është sahabiu i nderuar Ali bin Ebi Talib, i cili përcjell duke thënë: Abdul Mutalibi (gjyshi i Profetit – alejhi selam) ka thënë: Ndërkohë që isha duke fjetur në dhomë, më erdhi dikush dhe më tha: Gërmo në vendin Tajibe. – I thashë: E çfarë është Tajibe? – Por ai u largua nga unë! Kur erdhi e nesërmja u ktheva në shtratin tim dhe fjeta. I njëjti më erdhi dhe më tha: Gërmo në Bera. I thashë: E çfarë është Bera? Por ai u largua përsëri prej meje. Të nesërmen u ktheva tek shtrati im dhe fjeta. Ai më erdhi përsëri dhe më tha: Gërmo Mednune. I thashë: E çfarë është Mednune? Por ai u largua përsëri. Të nesërmen u ktheva tek shtrati im dhe fjeta aty. Ai përsëri erdhi dhe më tha: Gërmo Zemzemin. I thashë: Çfarë është Zemzemi? Tha: Është uji që nuk shteron asnjëherë dhe nuk përçmohet. Është uji që largon etjen e haxhijve, vendndodhja e të cilit është mes ushqimit të përpunuar dhe gjakut, tek vendi ku çukit korbi, pranë folesë së milingonave.

Kur ju bë e qartë çështja e Zemzemit, ju tregua vendndodhja e tij dhe kuptoi vërtetësinë e atij që i foli, ai mori kazmën dhe birin e tij Harith bin Abdul Mutalibin sepse nuk kishte djalë tjetër veç tij, dhe gërmoi aty. Kur filloi të dukej balta e lagur, Abdul Mutalibi bëri tekbir (Allahu Ekber). Atëherë kurejshët e kuptuan se ai e kishte arritur qëllimin e tij dhe shkuan për ta takuar. Ata i thanë: O Abdul Mutalib, ai është burimi i babait tonë Ismailit dhe ne kemi të drejta në të, ndaj na bëj ortak. Ai u tha: Nuk u bëj ortak, sepse kjo është një çështje me të cilën jam veçuar dhe më është dhënë mua dhe jo juve. Ata i thanë: Na ndaj diçka nga ai, sepse ne nuk të lemë dhe për këtë arsye do të armiqësojmë. Ai u tha: Caktoni dikë që të gjykojë mes nesh për burimin. Ata thanë: Fallxhorja e fisit Beni Sead. Ai tha: Po! Ndërkohë ajo jetonte në periferi të Shamit (Sirisë).

Abdul Mutalibi i hipi kafshës së tij dhe me vete kishte disa nga fisi i babait të tij Abdu Menaf, dhe nga një person nga fiset e kurejshëve. Abdul Mutalibi tregon: Vendi për atje ishte shumë larg . Dolën derisa u gjendën në një vend të largët mes Hixhazit dhe Shamit. Aty i mbaroi uji Abdul Mutalibit dhe shokëve të tij. Ata u etën aq sa menduan se po vdisnin (po shkatërroheshin). Ata që ishin me të kërkuan të pinë nga fiset Kurejshe, por ata refuzuan t’iu japin. U thanë: Ne kemi rrugë të largët për të bërë dhe kemi frikë për vetet tona se mos na ndodh si u ndodhi juve. Kur Abdul Mutalibi e pa atë që gjeti popullin e tij dhe u frikësua për veten dhe për shokët e tij, u tha: Si mendoni? Thanë: Mendimi jonë nuk është tjetër vetëm se ndjekës i mendimit tënd, ndaj na urdhëro me çfarë të duash. Ai tha: Unë mendoj që secili prej jush të gërmojë një gropë për veten e tij me aq sa të ketë fuqi. Dhe sa herë që të vdesë dikush, shokët e tij do ta fusin në gropë dhe do ta mbulojnë. Kjo derisa në fund të mbetet vetëm njjë burrë. Humbja e një burri të vetëm është më e lehtë se humbja e gjithë karvanit.

Ata thanë: Sa e mirë është ajo që na urdhërove! Dhe kështu u ngrit çdo person për të gërmuar gropën e tij, dhe pastaj qëndruan duke pritur vdekjen ashtu të etur. Pas kësaj, Abdul Mutalibi u tha shokëve: Pasha Allahun! Hedhja jonë me duart tona në këtë mënyrë drejt vdekjes, duke mos ecur nëpër tokë dhe duke mos kërkuar për vetet tona është paaftësi. Shpresoj që Allahu do të na furnizojë me ujë në ndonjë qytet. Udhëtoni!

Dhe ata udhëtuan derisa i boshatisën enët e tyre dhe ata që ishin me ta nga fiset kurejshe shikonin se si do të vepronin. Abdul Mutalibi shkoi dhe hipi tek deveja e tij. Kur kafsha u ngrit për të lëvizur, poshtë thundrës së saj shpërtheu një burim uji i ëmbël. Abdul Mutalibi e madhëroi Allahun dhe bashkë me të e madhëruan edhe shokët e tij. Pastaj zbriti, piu ujë dhe pinë edhe shokët e tij dhe i mbushën enët e tyre. Pas kësaj i thirri fiset kurejshite dhe u tha: Ejani tek uji sepse Allahu na dha të pimë. Ata pinë dhe mbushën enët. Sërish pinë dhe mbushën enët, dhe thanë: Pasha Allahun, Allahu sapo gjykoi për ty kundra nesh o Abdul Mutalib.

Vallahi nuk do të kërkojmë më kurrë pjesë nga Zemzemi. Ai që të dha për të pirë ujë në këtë shkretëtirë është Ai që të dha Zemzemin. Kthehu tek burimi yt i qetë. Ai u kthye dhe ata u kthyen bashkë me të dhe nuk shkuan tek fallxhorja. E lanë atë që kishin mes tij dhe asaj. [‘El Megazi’ i Ibn Is’hakut fq. 3, ‘Sira’ e ibn Hishamit 1/179-181, ‘Delail en Nubueh’ e Bejhakiut 1/93, ‘Uekafat Terbeuijeh’, ‘Siratu en Nebeuijeh es Sahiha’].

Kjo ishte një ndodhi madhështore. Nuk ka ndonjë prej jush që nuk ka pirë nga ky burim i cili nuk ndërpritet kurrë sado që të marrin ujë prej tij. Buron me lejen e Allahut të Madhëruar dhe u jep të pinë haxhijve.

Nga ngjarjet që kanë ndodhur para lindjes së Profetit (alejhi selam) është historia e zotimit të Abdul Mutalibit që të sakrifikojë një nga bijtë e tij. Transmetohet nga Ibën Abasi se ka thënë: Dikur Abdul Mutalib bin Hashim u zotua se; nëse i jepet një grup prej dhjetë – pra t’i jap Allahu dhjetë djem -, ai do të sakrifikojë njërin prej tyre. Kur ju dhanë dhjetë djem ai hodhi short mes tyre se cilin do sakrifikonte. Shorti i ra Abdullah bin Abdul Mutalib (babait të Profetit-alejhi selam). Abdul Mutalibi tha: O Zoti im, ai apo njëqind deve? Pastaj hodhi short mes tij dhe deveve, dhe shorti i ra njëqind deveve. [‘Siratu en Nebeuijeh es Sahiha’ i Ekrem Dija el Umeri fq. 93.]

Kjo ndodhi tregon për atë që ka shkruar caktimi hyjnor për lindjen e Profetit (alejhi selam), nga babai i tij Abdullahu i biri i Abdul Mutalibit. Allahu e ruajti jetën e Abdullahut me atë që shkëmbeu Abdul Mutalibi në sakrificën e tij. Abdullah bin Abdul Mutalib u martua me Emine bint Uehb bin Abdi Menaf bin Zehratu bin Kilab, dhe Eminia mbarti të dërguarin e Allahut Muhamedin (alejhi salatu ues selam).

Nga ngjarjet më të mëdha që paraprinë lindjen e Profetit (alejhi selam) është historia e vitit të elefantit. Kjo është histori e njohur dhe është saktësuar duke u përmendur në Kuran dhe në sunet. Allahu i Madhëruar thotë: Vallë, a nuk ke dëgjuar ti se si bëri Zoti yt me njerëzit e elefantit?[1] A nuk ua prishi atyre kurthin duke dërguar kundër tyre tufa zogjsh, të cilët i gjuajtën me gurë prej baltës së pjekur? Dhe kështu, i bëri si byk i ngrënë.” [Suretu El Fil: 1-5]

Ibën Kethiri ka thënë: Kjo është prej mirësive me të cilat Allahu i veçoi  (nderoi) kurejshët, kur largoi prej tyre të zotët e elefantit që kishin vendosur të prishin Qaben dhe ta zhdukin nga ekzistenca. Por Allahu i shkatërroi, i poshtëroi, ua prishi planet, ua shkatërroi punën e tyre dhe i ktheu me poshtërimin më të madh. Ata ishin të krishterë dhe feja e tyre në atë kohë ishte më afër të vërtetës se ajo e kurejshëve që adhuronin idhujt. Por kjo ngjarje ishte parashenjë dhe parathënie për dërgimin e Profetit (alejhi selam). Sipas thënieve më të sakta Profeti lindi në këtë vit. Allahu nuk i bëri kurejshët të triumfojnë kundër Etiopianëve për mirësitë që kishin, por si përkujdesje për shtëpinë e shenjtë të cilën e ka nderuar, e ka madhëruar, dhe e ka respektuar me dërgimin e vulës së profetëve, Muhamedin (alejhi selam). [Tefsiri i Ibn Kethirit]

Kanë ardhur shumë hadithe nga Profeti (alejhi selam) të cilat na tregojnë për historinë e elefantit. Prej këtyre haditheve është fjala e Profetit që thotë: “Allahu i zgjodhi kurejshët me shtatë cilësi:

1- I zgjodhi që të adhurojnë Allahun për vite me radhë, në një kohë që nuk e adhuronte Atë vetëm se një kurejsh.

2- I zgjodhi kur i bëri të triumfojnë ditën e elefantit, ndërkohë që ishin idhujtarë.

3- I zgjodhi kur zbriti një sure në Kuran në të cilën nuk përfshihet askush veç tyre (Li ijlafi kurejsh).

4- I zgjodhi sepse dërgoi mes tyre profetësi.

5- Udhëheqjen.

6- Mbulimin e Qabes.

7- Dhënien e ujit për haxhijtë.”   [‘Vargu i haditheve të sakta’ me nr. 1944.]

Ajo që duam të nënvizojmë është se Allahu i Lartësuar i bëri të triumfojnë kundër popullit që erdhën me elefantë, ndërkohë që ata ishin idhujtarë.

Profeti (alejhi selam) kur doli në Hudejbije, kur po zbriste tatëpjetën e Thenijeti Ueda, deveja e tij u ul në gjunjë. Njerëzit i thanë hal hal – fjalë që i thuhet devesë kur ndalon të ecurën. Ajo vazhdoi të qëndronte gjatë ndërkohë që ai (Profeti) po nxitonte, ndaj i thanë: Po qëndron gjatë Kasuaja, po qëndron gjatë Kasuaja – pra po rehatohet. Profeti (alejhi selam) tha: Nuk po qëndron gjatë Kasuaja dhe kjo nuk është nga morali (zakoni) i saj, por atë e pengoi Ai që pengoi elefantin.

Kur Allahu e çliroi Mekën për të dërguarin e Tij, ai u ngrit para njerëzve, e madhëroi dhe e lavdëroi Allahun, dhe tha: “Me të vërtetë Allahu e pengoi elefantin të hynte në Meke, dhe tek ajo dërgoi të dërguarin e Tij dhe besimtarët.” Me këtë donte të tregonte historinë e popullit të elefantit. [E përcjell Buhariu me nr. 2731-2732.]

Nëntema e tretë: Mësime, këshilla dhe dobi.

Së pari: Qabja është shtëpia e Allahut dhe ajo është vendfalja e parë që u ndërtua për njerëzit. Kush mundohet ta cënojë atë ka për t’u shkatërruar. Allahu i Lartësuar thotë: Vallë, a nuk ke dëgjuar ti se cfarë bëri Zoti yt me njerëzit e elefantit?[2] A nuk ua prishi atyre kurthin?”(Fijl: 1-2)

Gjithashtu thotë: Ata që synojnë ta përdhosin (Xhaminë) me të keqe, Ne do t’i bëjmë të shijojnë dënim të dhembshëm.” (Haxh: 25)

Ndaj ne u themi armiqve të Islamit dhe kujtdo që përpiqet apo e gënjen vetja dhe mendon të cënojë vendet e shenjta të muslimanëve ose shtëpinë e Allahut (Qaben), se me të vërtetë Allahu u rri në pritë kurtheve të tyre.

Së dyti: Qabja është drejtimi i muslimanëve (në namaz) dhe Profeti (alejhi selam) është prijësi i të devotshmëve. Shikoni si e ruajti Allahu Qaben nga njerëzit e elefantit, sepse pas dërgimit të Profetit ajo do të ishte drejtimi nga do të kthehen muslimanët në namazin e tyre.

Profeti i nderuar do të ishte ai që do e drejtonte njerëzimin drejt lumturisë së dynjasë dhe të ahiretit. Për këtë, kur Allahu e dëshiron diçka përgatit për të shkaqet. Kush ishte ai që e ruajti Abdul Mutalibin të vdiste nga etja kur ishte në shkretëtirë? Ai ishte Allahu, sepse Ai do të nxirrte nga ky burrë Abdullahun e ai ishte babai i Profetit (alejhi selam).

Kush e ruajti Abdullahun nga therja? Ai ishte Allahu, sepse nga ky burrë Ai do nxirrte të dërguarin e Allahut, tek dërgimi i të cilit qëndron lumturia e njerëzimit dhe ai që do i nxjerrë njerëzit nga errësirat në dritë me lejen e Zotit. Ndaj merrni mësim o ju të zotët e mendjes, dhe kijeni për nder që i përkisni kësaj feje madhështore. Ju jeni nga ndjekësit e zotëriut të bijve të Ademit, Muhamedit (alejhi selam).

—————————————————–

[1] Në vitin 570 (ose 571) Ebreha, guvernatori abisinas i Jemenit, u betua se do të shkatërronte Qaben të cilën e quante një tempull pagan, në mënyrë që të vendoste dominimin e krishterë në të gjithë Gadishullin Arabik. Ai mblodhi një ushtri të fuqishme në krye të së cilës marshonte një elefant i madh dhe u drejtua për nga Meka. Kur ushtria iu afrua Mekës, elefanti u ul dhe nuk pranonte të ecte në atë drejtim. Kur i ndërronin drejtim ai ecte. Kjo ishte shenjë që ushtria e Ebrehesë të mos e sulmonte Mekën, por Ebreheja s’ia vuri veshin asaj. Prandaj, Allahu i Madhëruar i goditi ashpërsisht njerëzit e elefantit nëpërmjet tufash të panumërta me zogj që lëshonin një lloj guri të fortë e vdekjeprurës. Morali ishte i qartë për fisin Kurejsh: Allahu i Madhëruar e kishte mbrojtur Faltoren e Tij dhe po ashtu edhe ata vetë, prandaj duhej të ishin mirënjohës për këtë.

“Subulus Selam fi Sirati Hajril Enam.”

“Historia e Profetit (alejhi selam).”

Shkroi: Ebu Islam Salih Taha (Allahu e mëshiroftë).

Loading...