Pyetje: Në çfarë moshe lejohet që t’i sjellësh fëmijët në xhami?
Përgjigje: Për këtë pyetje fola në këtë xhami të begatë, në një mësim para pak kohësh. Fëmijën duhet ta sjellësh në xhami pasi të ketë filluar të kuptojë. Një fëmijë që nuk di dhe nuk kupton nuk duhet të sillet në xhami. Kjo është e para.
Së dyti: Prurja e fëmijës në xhami kërkon nijet. Duhet që prindi i tij të ketë qëllim të mirë me prurjen e tij në xhami. Dhe ai qortohet apo lavdërohet në varësi të qëllimit që ka me sjelljen e fëmijës së tij në xhami.
Dmth ka dallim të madh në fe mes një gruaje që i thotë burrit të saj: ‘Na rehato prej këtij fëmije, merre me vete në xhami.’
Dhe mes një burri që është i kujdesshëm ndaj fëmijës së tij, do ta mësojë atë, prandaj e sjell në xhami.
I pari merr gjynah, ndërsa i dyti merr shpërblime. I pari dëshiron të rehatojë gruan e tij nga prapësitë e një fëmije dhe shqetëson me të të gjithë ata që janë në xhami.
Prandaj ndonjë prind është i urryer tek Allahu i Lartmadhëruar, për shkak të fëmijës së tij që e sjell në xhami. Fëmija i tij luan në xhami.
E nëse ai qëndron në saf (në rresht me ata që falen) ai e ndërpret safin. E Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të –, siç ka ardhur tek “Suneni i Ebu Daudit” ka thënë : “Kush e vazhdon safin Allahu e vazhdon (mbi të mëshirën, shpërblimin e Tij), e kush e ndërpret safin Allahun e ndërpret (mbi të mëshirën dhe shpërblimin)”
Mësoje fëmijën tënd! Nëse fëmija yt është pa abdes dhe e sjell atë me nijet të mirë, mos e vendos në saf. Dhe mësoja edukatën e xhamisë! Nëse e sjell fëmijën tënd në xhami, dhe ti e di që ai është shumë i lëvizshëm dhe u sjell pakënaqësi njerëzve, atëherë mos e sill! Mos e sill në xhami! Dhe mos u trego mendjemadh! Mos e sill fëmijën tënd në xhami (nëse është problematik)!
Nëse e njeh fëmijën tënd dhe e di se ai kupton, dhe e ruan edukatën e xhamisë, dhe nuk kalon para atyre që falen… Është saktësuar te “Musannef”-i i Ibn Ebi Shejbes nga Ibn Mes’udi se “nëse fëmija kalon përpara atij që falet, i ikën gjysma e shpërblimit të namazit të tij.”
Dmth nëse fëmija yt kalon dhjetë herë – vjen dhe shkon – ai ua ka humbur shpërblimin pesë vetëve që falen. Dhe ai që merr gjynahe je ti! Ti merr gjynahe!
Prandaj kur sjell fëmijën tënd në xhami duhet të kesh parasysh disa gjëra.
E para: Të kesh nijet të mirë me sjelljen e tij në xhami!
E dyta: Të kesh qëllim të mirë fetar (sh.p.: ta mësosh me edukatë fetare, ta lidhësh me xhaminë, tja bësh zakon dhe të dashur dalëngadalë faljen me xhemat me burrat, ta njohësh me vëllezër muslimanë dhe të formojë kështu një shoqëri të khajrit, ta mbash larg nga rruga dhe veset e saj…)
E treta: Të jetë fëmijë që kupton dhe dallon mes gjërave, që të mos u sjellë shqetësim njerëzve.
E katërta: Të mos e ndërpresë safin në namaz.
Çfarë gjykimi ka sjellja e fëmijës në xhami? Gjykimi më i drejtë është: Kush ka fëmijë duhet ta sjellë atë në xhami.
Disa njerëz për shkak se fëmijët e tyre nuk vijnë në xhami, kur shikon fëmijët e të tjerëve, largohet prej tyre dhe i mban larg ata. Dhe këtë veprim nuk e pranojmë. Kështu njerëzit në lidhje me fëmijët në xhami u bënë tre grupe.
Grupi i parë: Janë ata që i sjellin fëmijët e tyre duke qenë të pavëmendshëm ndaj tyre (ata bëjnë rrëmujë dhe zhurmë). Dhe kjo është diçka e papranueshme.
Grupi i dytë: Janë ata që nuk i sjellin fare fëmijët e tyre në xhami. Dhe kjo është gjithashtu e refuzuar.
Dhe grupi i tretë: Janë ata që i sjellin fëmijët e tyre në xhami duke qenë të kujdesshëm ndaj tyre dhe duke i ruajtur ato kushte që përmendëm më lartë.
Pastaj, ki kujdes, ki kujdes, ki kujdes dhe mos u argumento me hadithin: “Largojini fëmijët tuaj nga xhamitë tuaja”! Sepse me këtë hadith kënaqen armiqtë e Allahut! Me këtë hadith kënaqen misonarët e krishterë! Ky hadith nuk saktësohet aspak prej të Dërguarit të Allahut – sal lall llahu alejhi ue sel lem.
Tek “Dy të Saktët” ka ardhur se kur Profeti – sal lall llahu alejhi ue sel lem – ishte në namaz dhe dëgjonte të qarën e ndonjë fëmije me nënën e tij, binte në ruku (dmth e ndërpriste leximin e Kuranit) dhe nuk e zgjaste namazin nga mëshira që kishte për nënën e fëmijës.
Dhe ky është njëri nga dhjetra argumentet që kemi përmendur në mësimet e mëparshme që tregojnë se: është i lejuar bashkimi mes nijetit të mirë dhe dobisë.
Zemra gjatë adhurimit është e drejtuar kah Allahu, por nëse del diçka që është e nevojshme dhe duhet reaguar (si në rastin e Profetit alejhis-selam në namaz dhe fëmijës që qante) atëherë kjo gjë nuk e hedh poshtë sinqeritetin, sipas medh’hebit të Ehli Sunetit dhe Xhematit.
Shejkh Mesh’hur Hasen, Allahu e ruajtë dhe na bëftë dobi me të!
Të Ngjashme
- Çfarë gjykimi ka këndimi i sures el Fatihah në namazin e xhenazes? Udha e Besimtarëve
- A lejohet që një person të punojë si haxham (praktikues i hixhames)? Udha e Besimtarëve
- Bashkimi i namazit të xhumasë me atë të ikindisë Udha e Besimtarëve
- Si të veprosh kur të ftojnë në një gosti Shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin
- Cila është mënyra më e mirë për të memorizuar? Meshhur Hasen