Aishja transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem duke thënë:
“Nuk ka namaz në prani të ushqimit (kur është gati për t’u ngrënë), dhe as në momentin kur dikush ndihet ngushtë për të dalë (për nevoja fiziologjike).”
Llojet e këtij ngushtimi për të dalë (për nevoja fiziologjike):
1. Ndjesia e një ngushtimi të lehtë.
Nëse ngushtimi që ndien është i lehtë dhe nuk e shpërqëndron plotësisht namazliun nga përmbushja e shtyllave dhe detyrimeve të namazit, atëherë namazi është i vlefshëm por i papëlqyeshëm sipas mendimit të shumicës së dijetarëve. Megjithatë Dhahiritë e konsiderojnë të pavlefshëm, pasi sipas tyre çdo ndalim nënkupton pavlefshmërinë.
2. Ndjesia e një ngushtimi të fortë.
Nëse ngushtimi për kryerjen e nevojës fiziologjike është aq i fortë sa namazliu nuk e di se çfarë po thotë ose bën, atëherë namazi është i pavlefshëm.
Disa njerëz për shkak të kujdesit të tepërt për të arritur tekbiretul ihram (fillimin e namazit me imamin) ose për të kapur rekatin e parë, mund të thonë: “Kam frikë mos të më iki rekati.” Në këtë rast i thuhet: Nuk ka problem edhe nëse e humbet rekatin, sepse Ai që të ka urdhëruar për namazin me xhemat është po Ai që të ka ndaluar të falesh në këtë gjendje (të nevojës fiziologjike).
Marrë nga libri: “Sherh umdet el ahkam”
Autor: Abdulkerim el Khudair
Përshtati: Fatjon Isufi
Dosje: falesh