Në këto tri raste, adhurimi përzihet me syfaqësinë

February 13, 2017

Shejh ibn Uthejmini Allahu e mëshiroftë ka thënë:

Adhurimi përzihet me syfaqësinë në tre raste:

Rasti i parë: Kur nxitësi për ta kryer një adhurim që në zanafillë të jetë vështrimi i njerëzve, pra syefaqësia; kur një person ngrihet të falë namaz me qëllim që ta shohin njerëzit dhe që ta lavdërojnë njerëzit për namazin që po kryen. Në këtë rast syefaqësia e çon dëm adhurimin dhe e bën atë të pavlefshëm.

Rasti i dytë: Kur syefaqësia shfaqet gjatë kryerjes së adhurimit e që në zanafillën e saj ka qenë e sinqertë për Allahun por që gjatë kryerjes së adhurimit përzihet syefaqësia. Atëherë adhurimi në këtë rast nuk mund të dalë jashtë dy gjendjeve:

Gjendja e parë: kur pjesa e parë e adhurimit nuk lidhet me përfundimin e tij. Në këtë rast pjesa e parë e adhurimit është i saktë ndërsa pjesa e dytë është i pavlefshëm.

Për ta kuptuar këtë po sjellim një shembull: Një person ka njëqind monedha e do ti japë ato lëmoshë. Pesëdhjetë prej tyre i jep lëmoshë të sinqetë të papërzier me syefaqësi. Ndërsa në dhurimin e pesëdhjetë monedhave të mbetura hyn syefaqësia. Pesëdhjetë të parat konsiderohen lëmoshë e pranuar ndërsa pesëdhjetë të dytat konsiderohen lëmoshë e pavlerë përshkak se sinqeriteti në të është i përzier me syefaqësi.

Gjendja e dytë: kur pjesa e parë e adhurimit lidhet me përfundimin e tij. Njeriu në këtë rast gjendet në dy pozita.

Pozita e parë; njeriu mundohet ta dëbojë syefaqësinë, nuk ndihet rehat me të, e urren dhe nuk i shkon pas asaj. Në këtë rast syefaqësia nuk ndikon tek adhurimi dhe nuk e bën atë të pavlefshëm sepse i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Allahu ia ka falë umetit tim ato gjëra që i vijnë në bredinë e tyre për derisa ata nuk veprojnë e nuk flasin me to.

Pozita e dytë: kur personi rehatohet me prezencën e syefaqësisë e nuk mundohet ta largojë atë. Në këtë rast adhurimi është i tëri i pavlefshëm sepse fillimi i tij lidhet me fundin.

Për ta kuptuar këtë po sjellim një shembull: Një person e nis namazin e tij me sinqeritet për Allahun por në rekatin e dytë hyn syefaqësia. Në këtë rast i gjithë namazi konsiderohet i pavlefshëm sepse fillimi i adhurimit lidhet me fundin.

Rasti i tretë: Kur syefaqësia vjen pasi që adhurimi është kryer. Në këtë rast ajo nuk ndikon dhe nuk e bën të pavlefshëm adhurimin sepse adhurimi është kryer plotësish i saktë dhe nuk mund të dëmtohet nëse syefaqësia ndodh më pas.

Kështu që nuk konsiderohet syefaqësi gëzimi i personit kur njerëzit njoftohen me adhurimin e tij sepse diçka e tillë ndodh pasi që adhurimi ka përfunduar.

Gjithashtu nuk është prej syefaqësisë gëzimi që shfaq njeriu me kryerjen e adhurimeve por është tregues i besimit të tij sepse i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Atë që e gëzon vepra e tij e mirë dhe e mërzit vepra e tij e keqe, i tilli është Besimtari. Kur është pyetur për një gëzim të tillë i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Ky është përgëzimi i shpejtë i besimtarit në këtë botë.

Marrë nga Koleksioni i fetvave të shej ibn Uthejmin 2/29,30.

Përktheu Arjan Haskasa

 

 

Dosje:

Loading...