Le të reflektojmë përse Allahu i përçmoi ithtarët e librit për ngurtësimin e zemrave pasi ua dha librin dhe pasi dëshmuan shenja dhe mrekulli, si rasti i njeriut të vrarë që u kthye në jetë siç përmendet në suren El-Bekare. Atëherë do të kuptojmë pse jemi ndaluar t’i imitojmë ata në këtë. Allahu na thotë: “A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë që zemrat e tyre të përulen para këshillave të Allahut dhe para së vërtetës që Ai ka shpallur, e të mos bëhen si ata që u është dhënë libri më parë. Me kalimin e një kohe të gjatë zemrat e tyre u ngurtësuan dhe shumë syresh janë të pabindur.”[1]
Në një vend tjetër Ai e sqaron shkakun e ngurtësimit të zemrave të tyre, duke thënë: “Për shkak se ata e thyen besëlidhjen e tyre Ne i mallkuam dhe ua bëmë zemrat të ashpra.”[2]
Allahu na njofton se ngurtësimi i zemrave të tyre ishte si ndëshkim për thyerjen e besëlidhjes që lidhën me Allahun, e cila u shfaq në kundërshtimin e tyre ndaj urdhrave të Allahut dhe kryerjen e ndalesave të Tij, pasi që kishin bërë një marrëveshje me Allahun se nuk do ta bënin këtë.
Pas kësaj, Allahu i Lartësuar thotë: “Ata i kanë shtrembëruar fjalët e shkrimeve të shenjta dhe kanë harruar një pjesë të mirë nga ato këshilla.”[3]
Ai përmend se ngurtësimi i zemrave të tyre solli dy gjëra të përçmuara për ta.
E para: Deformimin e fjalëve nga vendi i duhur.
E dyta: Ata harruan një pjesë të mirë të këshillës që u dërgua atyre.
Ajo që nënkuptohet është se ata braktisën dhe neglizhuan një pjesë të mirë të urtësisë dhe këshillës së drejtë që kishin marrë si shpallje. Kështu e harruan atë dhe e lanë veprimin sipas saj duke e shpërfillur totalisht. Këto dy gjëra mund të gjenden tek “dijetarët” tanë të prishur për shkak të ngjashmërisë së tyre me ithtarët e librit:
Së pari: Shtrembërimi i fjalëve.
Kushdo që e mëson diturinë për ndonjë qëllim tjetër përveç veprimit të saj, zemra e tij do ngurtësohet pasi nuk merret me praktikimin e diturisë. Ndërkohë që shqetësimi i tij i vetëm është të shtrembërojë dhe të ndryshojë fjalët e Kuranit dhe sunetit nga kuptimet e tyre të sakta dhe të duhura, dhe të vazhdojë ta bëjë këtë duke përdorur metoda të ndryshme siç është kuptimi i këtyre fjalëve bazuar në gjuhën e tyre jopraktike dhe figurative.
Ata vazhdojnë ta bëjnë këtë duke kritikuar formulimin e transmetimeve që gjenden në sunet, pasi nuk janë në gjendje të kritikojnë formulimin që gjendet në Kuran. Për më tepër, ata i përçmojnë njerëzit që u përmbahen teksteve dhe i zbatojnë sipas asaj që kuptohet prej tyre duke i quajtur me cilësi të tilla si “injorant” dhe “hashevije”.[4]
Kjo mund të gjendet tek ata që flasin për parimet e feve si dhe tek përkrahësit e juristëve të Ra’jit, filozofët sufi dhe njerëzit e skolastikës.
Së dyti: Harrimi i një pjese të konsiderueshme të mesazhit.
Ata harruan një sasi të konsiderueshme të njohurive të dobishme që morën por që zemrat e tyre nuk ndikoheshin nga këshillat. Përkundrazi, ata e përçmojnë këdo që mëson gjëra që i bëjnë njerëzit të qajnë dhe t’iu zbuten zemrat, duke i etiketuar si “tregimtarë”.
Në librat e tyre opinionistët e ra’jit cituan disa nga mësuesit e tyre që thoshin: “Frytet që prodhon dija dëshmojnë fisnikërinë e saj.” Pra, (sipas tyre) kushdo që preokupohet me tefsirin qëllimi i tij kryesor është t’iu tregojë njerëzve histori dhe t’i përkujtojë. Dhe kushdo që preokupohet me mendimet dhe njohuritë e tyre ai (vetëm) duhet të nxjerrë akt-gjykime, të japë fetva, të japë vendime dhe të mësojë të tjerët. Këta njerëz kanë pjesë në fjalën e Allahut që thotë: “E dinë vetëm pamjen e jashtme të jetës së kësaj bote, ndërsa ata janë të pakujdesshëm për botën tjetër.”[5]
Ajo që i shtyu ta bënin këtë ishte dashuria e madhe për jetën e kësaj bote dhe kënaqësitë e saj. Nëse ata do përmbaheshin nga jeta e kësaj bote dhe në vend të saj do synonin ahiretin (botën tjetër), do ishin të sinqertë me veten dhe me robërit e Allahut, atëherë do t’i përmbaheshin asaj që Allahu i shpalli të Dërguarit të Tij dhe do t’i detyronin njerëzit të bëjnë të njëjtën gjë. Pra, në këtë pikë shumica e njerëzve nuk do largoheshin nga takvaja (përgjegjshmëria ndaj Allahut), dhe çdo gjë që gjendet në tekstet e Kuranit dhe sunetit do t’iu mjaftonte. Ndërsa ata që do largoheshin nga këto të dyja (Kurani dhe Suneti) do ishin shumë të pakët.
Allahu do ta dërgonte dikë që i di kuptimet e teksteve që shërbejnë për të përgënjeshtruar ata që dështojnë, t’iu përmbahen atyre dhe kthehen te këto tekste. Do t’i mjaftonte atij për atë që prezantuan nga degëzimet e kota dhe skemat e paligjshme, të cilat bënë që dyert e kamatës dhe gjërave të tjera të paligjshme të hapen. Dhe kështu, gjërat që Allahu i ndaloi u bënë të lejuara për shkak të këtyre skemave mashtruese siç ndodhi me ithtarët e librit.
Allahu i udhëzoi besimtarët ta kuptonin të vërtetën në lidhje me çështjet për të cilat të tjerët nuk pajtoheshin. Vërtet, Allahu shpie në udhë të drejtë kë të dojë!
Paqja dhe lavdërimet e Tij qofshin mbi mësuesin tonë Muhamedin, si dhe mbi gjithë familjen dhe shokët e tij deri në ditën e fundit!
Marrë nga libri: “Epërsia e dijes së selefëve”.
Shkroi: Ebul Feraxh Zejnuddin Abdurrahman ibën Ahmed
Ibën Rexheb el Hanbeli (795 H)
Përktheu: Fatjon Isufi
————————————————–
[1] Suretu El Hadid: 16.
[2] Suretu El Maide: 13.
[3] Suretu El Maide: 13.
[4] Epitet sharës që e përdorin ndaj atyre që pohojnë cilësitë dhe atributet e Allahut. Sh.p.
Shih librin “Teuil muhtelef el hadith” fq. 55, “El Gunieh” fq. 80, “Sherh nunijet Ibën el Kajim” 2/76, “Es Suneh” 86-87, “Sherh mesail el xhahilije” fq. 94-99, “El Mexhruhijn” 1/11.
[5] Suretu Er-Rum: 7.
Dosje: Tezkije
Të Ngjashme
- Njeriu duhet të pyesë veten, përse ndodhin këto! Udha e Besimtarëve
- Emrat dhe atributet e Allahut të Madhëruar Udha e Besimtarëve
- Ligji i pandryshueshëm i Allahut Udha e Besimtarëve
- Begatia e vërtetë e jetës Udha e Besimtarëve
- Kategoritë e njerëzve që jetojnë për këtë botë dhe harrojnë botën tjetër Udha e Besimtarëve