Ngrënia e mishit të kafshëve. (pjesa e tretë)

January 9, 2016

5- Kafshët e therura nga mushrikët (idhujtarët) përveç ehli kitabit (ithtarëve të librit).

Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Sot u lejuan për ju gjërat e mira e të pastra. Gjithashtu ushqimet e atyre që u është dhënë libri janë të lejuara për ju dhe ushqimet tuaja janë të lejuara për ata” Suretu El-Maide: 5.

Ky ajet përmban dy dobi:

E para: Lejimim e kafshëve të therura nga ehlil kitabi dhe kjo përfitohet nga fjala [ushqimet] të cilën të gjithë komentuesit e Kuranit -siç thotë Ibn El-Kajimi Allahu e mëshiroftë- janë dakord se për qëllim është mishi i therur prej tyre, sepse ky lloj ushqimi është ai i cili mund të quhet hallall dhe haram ndërsa të tjerat si djathi, veza, vaji, gruri, elbi etj janë hallall dhe nuk ka prej tyre haram.

E dyta: Ndalimi i të therurave nga mushrikët. Sheikhul-Islam Ibn Tejmije –Allahu e mëshiroftë- thotë: Allahu kur na lejoi mishin e therur nga ehli kitabi kjo tregon se mishi i therur nga mushrikët është haram.

Sekreti i këtij dallimi mes ehli kitabit dhe mushrikëve qëndron në faktin se ehli kitabi nuk e lejojnë therjen për dikë tjetër veç Allahut. Ibn Kethiri –Allahu e mëshiroftë- thotë: ka ixhma (unanimitet) mes dijetarëve se therjet e ehli kitabit janë të lejuara për muslimanët sepse ata besojnë në ndalimin e therjeve për dikë tjetër veç Allahut dhe nuk përmendin kur therin veçse emrin e Allahut, edhe pse ata besojnë në lidhje me Allahun gjëra që ai nuk i ka.

Kjo që thotë Ibn El-Kajimi është më se e vërtetë dhe ne po ti hedhim një sy Teuratit që kanë në dorë sot ehli kitabi e gjejmë një gjë të tillë psh: Në kapitullin Dalja (22:20) thuhet:  “Kush ther për idhujt veç Zotit shkatërrohet”.

Me këtë porosi kanë punuar hebrenjtë dhe e kanë ruajtur po ashtu edhe të krishterët edhe pse të krishterët kanë ndryshuar më shumë prej rregullave të Teuratit për tu përshtatur zakoneve të popujve të tjerë që hynë në krishterim dhe ja Jakobi një prej apostujve të tyre thotë: “Prandaj, unë mendoj, se nuk është mirë që t’i mos i rëndojmë ata që kthehen prej paganizmit nga Zoti. Por të porositen të ruhen prej mishit të therur për idhujt, prej imoralitetit, prej mishit të kafshës së ngordhur dhe prej gjakut” shih veprat e apostujve (15: 19-20).

Këtë fjalë e ka thënë kur kanë debatuar në lidhje me synetllëkun e të krishterëve të rinj që vinin nga popuj paganë të cilët nuk e njihnin këtë zakon dhe vendosën të mos i rëndojnë me këtë -Allahu na ruajt nga ndryshimi i rregullave të Tij siç bën ehli kitabi-.

Për të njëjtën arsye ndoshta janë lejuar edhe martesat me gratë që u përkasin ehli kitabit dhe jo gratë e mushrikëve sepse ehli kitabi e konsiderojnë haram zinanë kurse mushrikët e lejojnë atë dhe ja çfarë thuhet në Teuratin që kanë në dorë sot ehli kitabi në lidhje me dhjetë porositë që i ka dhënë Allahu Musës: “…Nderoje babanë dhe nënën tënde që ta kesh jetën e gjatë në tokë të cilën do ta japë Zoti, Hyji yt. Mos vra! Mos bëj imoralitet! Mos vidh!…” shih kapitullin Dalja (20: 12-15).

Ndërsa  mushrikët nuk i konsiderojnë ato haram dhe ja çthotë Xhafer bin Ebij Talib -radiallahu anhu- kur i foli Nexhashiut mbretit të Abisinisë: “O mbret! Ne kemi qenë një popull injorant; adhuronim idhujt, hanim kafshën e ngordhur, merreshim me punë të ndyra imorale, ndërpritnim lidhjet farefisnore, silleshim keq me komshinjtë, i forti prej nesh hante të dobëtin dhe kemi qenë kështu derisa Allahu na dërgoi një profet prej nesh…” e transmeton imam Ahmedi.

Pra, për hir të këtyre rregullave të ruajtura nga ehli kitabi Allahu i Madhëruar i ka lejuar ushqimet e tyre dhe martesat me ta në ndryshim nga mushrikët edhe pse të dyja palët janë në kufr (MOHIM) dhe në zjarrin e xhehenemit siç thotë Allahu në Kuran: “Ata të cilët kanë mohuar prej ehli kitabit dhe mushrikëve janë në zjarrin e xhehenemit, përgjithmonë në të dhe ata janë krijesat më të këqija” suretu El-Bejine: 6.

Tani pas këtij përfundimi dikush mund të pyes se nëse ehli kitabi i dinë rregullat dhe i ruajnë kurse mushrikët nuk i dinë ato, si është gjykimi kur ehli kitabi i thyejnë rregullat dhe si është gjykimi i therjes së mushrikut nëse i bën rregullat?

Çështja e parë: Gjykimi i therjeve të ehli kitabit kur thyejnë rregullat e therjes etj.

Transmetohet nga Aliu -radiallahu anhu- se nuk i pëlqente therjet e të krishterëve të Beni Teglibit (një fis arabësh të krishterë) dhe thoshte: “Ata nuk i përmbahen krishterimit veçse në pirjen e verës” e transmeton Abdurrazaku me zinxhir të saktë.

Transmetohet nga Katade (tabiin dhe dijetar i njohur që ka ndërruar jetë në vitin 100 H) se është pyetur për çifutin kur ther delen dhe gabon në therje dhe bëhet haram për të? Ai ka thënë: “Nuk i lejohet myslimanit ta hajë atë, dhe nëse një njeri nga ehli kitabi të afron ushqim, kërko prej tij të hajë! Nëse ai ha, atëherë ha edhe ti dhe nëse ai nuk ha, atëherë mos ha as ti”. E transmeton Abdurrazaku me zinxhir të saktë.

I njëjti gjykim është edhe nëse ata therin bagëti në emër të Isës -alejhi selam- në festat e tyre siç thotë sheikhu islam Ibn Tejmije –Allahu e mëshiroftë-: “Nëse ata përmendin tjetër emër veç emrit të Allahut në festat e tyre apo jashtë festave bëhen haram therjet e tyre, ky është medhhebi i shumicës së dijetarëve, tre fukahave të mëdhenj dhe mendimi i Ali bin Ebij Talib e sahabe të tjerë si: Ebu Darda, Ebu Umame, El-Irbad bin Sarije dhe Ubade bin Es-Samit -radiallahu anhum- dhe është mendimi i shumicës së fukahave të Shamit”.

Këtë gjykim mund ta japim edhe për therjet e të krishterëve të sotëm të cilët e godasin kafshën para therjes dhe nëse ajo ngordh para se të theret atëherë ajo quhet kafshë e ngordhur dhe nuk lejohet ngrënia e atij mishi edhe nëse e ther më pas sepse ai kështu ka therur kafshë të ngordhur dhe jo kafshë të gjallë.

Çështja e dytë: Gjykimi i therjeve të mushrikëve (idhujtarëve) kur therin me bismilah.

Transmetohet nga Ibn Abbasi -radiallahu anhu- se ka thënë: “Myslimani e ka në zemër emrin e Allahut dhe nëse ther dhe harron emrin e Allahut, ta hajë (atë mish). Ndërsa kur mexhusi (adhuruesi i zjarrit) ther dhe përmend emrin e Allahut, mos e ha”  e transmeton Abdurrazaku me zinxhir të saktë.

Transmetohet se Abdurrahman bin Ebij Lejla (tabiin dhe dijetar i njohur që ka ndërruar jetë në vitin 83 H) është pyetur nga nxënësi i tij El-Hakem bin Utejbe për kafshën e therur nga muslimani kur ka harruar të përmend Allahun dhe ai ka thënë: “Ajo hahet sepse therja është sipas fesë. A nuk e sheh se nëse mexhusi (zjarrputisti) përmend emrin e Allahut në therjen e tij, ajo nuk hahet” e transmeton Abdurrazaku me zinxhir të saktë.

Transmetohet nga Tausi (tabiin dhe dijetar i njohur që ka ndërruar jetë në vitin 103 H) se ka thënë: “Muslimani  e përmend gjithmonë Allahun. Ai nëse ther dhe harron ta përmendë atë, le ta përmend para se të hajë! Kurse mexhusi (zjarrputisti) nëse e përmend emrin e Allahut në therjen e tij, ajo nuk hahet” e transmeton Abdurrazaku me zinxhir të saktë.

Pra, bazuar në fjalët e këtyre dijetarëve mund të themi se përmendja e Allahut nga ai i cili nuk e ka për bazë fetare përmendjen e tij në therjen e kafshëve, apo nuk e ndalon therjen në emër të dikujt tjetër veç Allahut, nuk pranohet dhe barazohet në gjykim me lënien.

Shkroi Dr Abdullah Nabolli

Loading...