Ngritja e duarve në namaz
Transmetohet nga Ibën Umeri (radijAllahu anhu) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kur ngrihej për të falur namazin i ngrinte duart e tij deri në lartësinë e supeve, pastaj merrte tekbir (thoshte Allahu ekber). Kur binte në ruku vepronte të njëjtën gjë, po ashtu edhe kur ngrihej nga rukuja. Por, një gjë të tillë nuk e bënte kur ngrinte kokën nga sexhdja.” Transmeton Muslimi.
Në një transmetim tjetër thuhet: “Nuk i ngrinte duart midis dy sexhdeve.”
Buhariu në një transmetim shton: “Nuk e bënte këtë (nuk i ngrinte duart) kur binte në sexhde.”
Po ashtu ai (Buhariu) në një transmetim tjetër përcjell: “Kur ngrihej nga dy rekatet (teshehudi i parë për në rekatin e tretë) i ngrinte duart.”
Në dy “Sahihët” përcillet hadithi i Malik bin El-Huvejrith njësoj si hadithi i Ibën Umerit ku thuhet: “Kur falej Profeti merrte tekbir (thoshte Allahu ekber) pastaj ngrinte duart.”
Nxjerrja e haditheve:
Hadithin e Ibën Umerit radijAllahu anhume) e shënon Muslimi (390), Buhariu në “Kapitulli i ezanit”, tema: “Ngritja e duarve kur merr tekbir, kur shkon në ruku dhe kur ngrihesh prej saj” (736), Ebu Daudi në “Kapitulli i namazit”, tema: “Ngritja e duarve në namaz” (721) etj.
Hadithin e Malik bin El-Huvejrith (radijAllahu anhu) e shënon Muslimi (391), Buhariu në “Kapitulli i ezanit”, tema: “Ngritja e duarve kur merr tekbir, kur shkon në ruku dhe kur ngrihesh prej saj” (737), Ebu Daudi “Kapitulli i namazit” (745) etj.
Dobitë që përfitohen nga hadithet:
E para: Të dy hadithet tregojnë për ligjshmërinë e ngritjes së duarve në katër vende në namaz:
- Në tekbirin fillestar, bazuar në hadithin e Ibën Umerit (radijAllahu anhume) se: “I Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kur ngrihej për namaz i ngrinte duart.”
Gjithashtu në hadithin e Malik bin El-Huvejrith (radijAllahu anhu): “Kur falej merrte tekbir dhe pastaj ngrinte duart.”
Në lidhje me ngritjen e duarve në këtë vend (tekbirin fillestar) ka dakortësi midis dijetarëve. Shih “El-Ifsah” (1/123). Ndërsa për pjesën tjetër se ku dhe kur ngrihen duart ka mendime të ndryshme nga dijetarët, porse shumica janë të mendimit se lejohet ngritja e tyre.
- Kur shkon në ruku, bazuar në hadithin e Ibën Umerit (radijAllahu anhume): “Kur shkonte në ruku vepronte të njëjtën gjë (i ngrinte duart si në tekbirin fillestar).”
- Kur ngrihesh nga rukuja, bazuar në hadithin e Ibën Umerit (radijAllahu anhume): “Dhe kur ngrihej nga rukuja vepronte të njëjtën gjë.”
- Kur ngrihesh nga teshehudi i parë për në rekatin e tretë, bazuar në hadithin e Ibën Umerit (radijAllahu anhume) të cilin e shënon Buhariu: “Kur ngrihej nga dy rekatet (për në rekatin e tretë) i ngrinte duart.”
Gjithashtu në hadithin e Ebu Humejd Es-Saidij (radijAllahu anhu) të cilin e shënon Ebu Daudi: “Pastaj kur ngrihej prej dy rekateve merrte tekbir (thoshte Allahu ekber) dhe i ngrinte duart.”
El-Hatabi (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Hadithi i Ibën Humejdit (Es-Saidij) për ngritjen e duarve kur ngrihesh nga teshehudi i parë (për në rekatin e tretë) është hadith sahih.” Shih “Mealim Es-Sunen” (1/354).
Në këtë pikë shumica e dijetarëve janë kundërshtuar nga imam Ebu Hanife dhe Eth-Theuri të cilët kanë thënë: Namazliu i ngre duart vetëm në tekbirin fillestar. Shih “El-Hidajeh” (1/51) dhe “El-Mugnij” (2/172).
Këta janë argumentuar me hadithin e El-Bera bin Azib (radijAllahu anhu) se: “Kur i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) fillonte namazin i ngrinte duart afër veshëve pastaj nuk e bëntë më një gjë të tillë.” Hadithin e shënon Ebu Daudi dhe Ahmedi. Zinxhiri i hadithit është i dobët (daif) ngase në të gjendet Jezid bin Zijad i cili konsiderohet i dobët (daif). Hadithin e ka konsideruar të dobët Buhariu, Ahmedi, Shafiu, Ibën Ujejneh etj.
E dyta: Të dy hadithet tregojnë për formën legjitime deri ku ngrihen duart, e ato janë dy forma:
- deri në lartësinë e supeve,
- deri tek majat e veshëve.
E treta: Si burrat ashtu dhe gratë janë të njëjtë përsa i përket ngritjes së duarve. Hafidh Ibën Haxheri (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Nuk transmetohet ndonjë argument i saktë që të bëjë dallim mes burrit dhe gruas përsa i përket ngritjes së duarve. Tek hanefitë është se burri i ngre duart deri tek veshët ndërsa gruaja deri tek supet, sepse kjo formë është mbulim për të.” Shih “El-Fet’h” (2/221).
Mblodhi dhe përktheu: Unejs Sheme
Të Ngjashme
- A është e lejuar për gruan me mestruacione që të bëjë Istihara? Udha e Besimtarëve
- Nata e Kadrit Abdurrazak ibn Abdulmuhsin el-Bedër
- Bëhu i begatë kudo që të jesh Udha e Besimtarëve
- Përmendja e të metave dhe hapja e derës së dëshpërimit Udha e Besimtarëve
- Vepro duke qenë i pajisur me dituri Udha e Besimtarëve