Një mesazh i shkurtër për ateistin

June 11, 2025

Ne jetojmë në një univers mahnitës i cili rregullohet nga ligje preçize që manifestojnë një sinkroni të mahnitshme dhe një sistem të përpiktë që ngjall habi.

Sa më shumë thellohet njeriu në përceptimin e ligjeve të universit, aq më shumë ngrihet një pyetje për të cilën fizika nuk ka përgjigje: Cili është burimi i këtyre ligjeve? Pse ekzistojnë ato?

Nuk po të shkruaj për të të dhënë një përgjigje të gatshme por për të ndarë me ty një pyetje logjike që meriton të shtrohet, pavarësisht nga sfondi fetar apo ideologjik.

A është e arsyeshme që ligjet të lindin nga hiçi? Që rregulli të krijohet joqëllimisht? Që vetëdija të lind nga një materie pa logjikë?

Le t’ia nisim nga e para me pyetjen më të qartë dhe njëkohësisht më të thellë: A mund të krijojë hiçi diçka?

A është e logjikshme të thuash se ky univers i mrekullueshëm, me këtë sistem të përkryer dhe harmoni të përsosur mes ligjeve të tij ka lindur nga asgjëja dhe pa ndonjë shkak?

Mendja e shëndoshë njerëzore e refuzon këtë plotësisht sepse në jetën tonë nuk shohim kurrë që diçka të vijë në ekzistencë nga hiçi.

Medito pak me mua: Kush të krijoi nga një pikë uji i thjeshtë dhe të transformoi në një njeri që dëgjon dhe sheh?

Kush e krijoi trupin tënd me këtë përsosmëri dhe të pajisi me sy që shohin, me veshë që dëgjojnë dhe me mendje që analizon dhe mendon?

Kush të furnizonte me ushqim kur ishe në barkun e nënës kur nuk kishe fuqi e as mundësi, duke të ushqyer nga gjaku i saj dhe duke përgatitur gjithçka që të duhej për t’u zhvilluar dhe për të dalë në jetë?

A e bëre ti këtë për veten tënde? Apo e bëri natyra e shurdhër?

Natyra nuk ka logjikë, nuk ka vetëdije dhe as vullnet. Si mund të prodhojë ajo një sistem më të ndërlikuar se kompjuteri më i fuqishëm? Si mund të krijojë ajo vetëdije, ndërgjegje dhe ndjenja?

Si mund t’i japë natyra nënës një dashuri instinktive për fëmijën e saj? Apo të bëjë zemrën tënde të ngushtohet kur sheh padrejtësi dhe të gëzohet kur sheh drejtësi?

Kush i mbolli në qënien tonë këto ndjenja të larta? Nga erdhën vlerat? Nga erdhi ndërgjegja?

Çdo gjë përreth teje dëshmon për ekzistencën e Krijuesit.

Shiko qiellin; kush e ngriti pa shtylla?

Shiko diellin; kush e përcaktoi me saktësi preçize rrugëtimin e tij?

Shiko zemrën tënde; kush e bëri të rrahë pa lejen tënde gjatë gjithë jetës?

A ka ardhur e gjitha kjo rastësisht? A mundet rastësia të përsëritet me miliarda herë me këtë sistem të përpiktë?

A do ta besoje që një libër i hollësishëm dhe i saktë si fjalori apo enciklopedia shkencore ka dalë rastësisht nga shpërthimi i një printeri?

Atëherë si mund të besosh se universi i cili është më madhështor se çdo libër doli nga një shpërthim i verbër?

Islami nuk të fton të fikësh mendjen tënde, përkundrazi, të fton ta përdorësh atë. Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “A ka dyshim për Allahun, Krijuesin e qiejve dhe të tokës?” | Ibrahim: 10.

A është e arsyeshme të dyshohet në ekzistencën e Atij që krijoi gjithçka?

Dhe Ai thotë: “Edhe në vetveten tuaj. A nuk shikoni?” | Edh Dharijat: 21.

Kjo është një thirrje për të medituar mbi trupin dhe shpirtin tënd që të shohësh provën përpara teje.

Pastaj medito mbi Kuranin Famëlartë, librin e fundit hyjnor të zbritur.

Një libër i zbritur më shumë se 1400 vjet më parë që i sfidoi njerëzit të sillnin diçka të ngjashme me të dhe nuk ia dolën.

Një libër që bashkon besimin, legjislacionin, tregimet, shkencën dhe gjuhën me një stil të pashembullt.

Ai flet për popuj që janë zhdukur, ngjarje të fshehta dhe zbulime që nuk u njohën deri vonë, si; krijimi i embrionit, formimi i reve, shtresat e tokës dhe saktësia e rrotullimit të planeteve.

Medito edhe për jetën e Profetit Muhamed sal-lAllahu alejhi ue sel-lem; një njeri që u rrit në një shkretëtirë larg qendrave të qytetërimit, nuk lexonte dhe nuk shkruante, nuk kishte marrë dije nga askush por që solli për njerëzimin një mesazh të përjetshëm, që ndriçoi mendjet, pastroi shpirtrat dhe solli një ndryshim të madh në rrjedhën e historisë së njerëzimit.

Me disa fjalë hyjnore që iu shpallën në një shpellë ai e nxorri njerëzimin nga adhurimi i njeriut dhe gurit në adhurimin e Krijuesit të universit, duke vendosur vlerat e drejtësisë, mëshirës dhe dinjitetit.

Çfarë fuqie është kjo që ndryshoi botën, preku zemrat dhe jehona e saj ende kumbon pas kaq shumë shekujsh?

O ti që po lexon këto fjalë, Zoti yt nuk ka nevojë për ty por ti je ai që ke nevojë për Të.

Ai të krijoi, të furnizon, të mbron dhe të ka dhënë afat që të mendohesh dhe të kthehesh.

Ai nuk i bën padrejtësi askujt. Kushdo që kthehet tek Ai me sinqeritet Ai e pranon, ia fal mëkatet dhe ia shndërron të këqijat në vepra të mira.

Unë nuk po të detyroj për asgjë por të lutem t’i japësh zemrës tënde një shans për të qenë i sinqertë.

Të çlirohesh nga zemërimi dhe zhurma e brendshme dhe të mendosh për një çast:

Po sikur të jem gabim?

Po sikur të ketë një Zot, një jetë pas vdekjes, një parajsë dhe një ferr?

A do të pendohesh atëherë kur pendimi nuk do të bënte më dobi?

Hidh një hap të sinqertë drejt të vërtetës dhe nis udhëtimin tënd me Kuranin… ndoshta në të do të gjesh përgjigjet që të kishin munguar dhe një dritë që e kishe kërkuar.

 

Përktheu: Rexhep Milaqi

Dosje: ,

Loading...