Një nga përshkrimet më të detajuara që i janë bërë Profetit

June 25, 2024

Një nga përshkrimet më të detajuara që i janë bërë personalitetit të Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem është përshkrimi që i ka bërë një grua beduine e cila quhej Umu Meabed el Hazaije, një grua që nuk ishte bërë akoma muslimane.

Ajo jetonte në shkretëtirë dhe pikërisht në rrugën që shpie për në Medine. Në kohën kur i dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem emigroi nga Meka për në Medine dhe ishte në shoqërinë e Ebu Bekrit dhe Abdullah ibën Urejkit, rrugës ata qëndruan tek çadra e Umu Meabed dhe i kërkuan nëse kishte diçka për tu dhënë nga qumështi i bagëtive, ndërkohë që burri i saj kishte dalë me kopenë në kullotë. Në çadrën e Umu Meabed kishte vetëm një dele të dobët.

Ata i kërkuan pak qumësht por ajo u tha se nuk posedonte asgjë. Pastaj i kërkuan që t’i blinin një dele ose hurma, por ajo u tha se nuk kishte asgjë për tu dhënë.

Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lm e pa delen e cila ishte tepër e dobët dhe e pyeti për gjendjen e saj? Ajo i tha: Siç e sheh dele e dobët, kjo gjendje nuk e ka lënë që të ishte me pjesën tjetër të kopesë për të kullotur.

Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem i tha: A më jep leje o Umu Meabed ta mjel këtë dele? Ajo i tha: Patjetër, nëse gjend diçka tek ajo! Profeti filloi ta milte, përmendi Allahun dhe iu lut Atij, pastaj i tha: Më sill një enë. Ajo ia solli enën dhe Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem e vendosi poshtë deles dhe e moli derisa ena u mbush me qumësht.

Fillimisht i dha Umu Meabedit e cila piu derisa u ngop. Pastaj e mori enën e moli delen përsëri, dhe kur ena u mbush u dha për të pirë dy shokëve të udhëtimit Ebu Bekrit dhe Abdullah Ibën Urejkit të cilët pinë derisa u ngopën, pastaj piu i dërguari i Allahut sal-lAllahu aleji ve sel-lem.

Para se të largohej i dërguari i Allahut e moli delen përsëri dhe e mbushi enën, dhe ia la Umu Meabedit në çadrën e saj.

Bashkëshorti i Umu Meabedit u kthye me kopenë, dhe kur pa enën e mbushur me qumësht dhe delen me gjinj të fryrë u habit dhe pyeti: çfarë ka ndodhur? Ajo i tha: Tek çadra jonë ka kaluar një njeri i begatë. Ai i tha: Ma përshkruaj atë!

Le të dëgjojmë së bashku përshkrimin e Umu Meabedit i cili konsiderohet si një nga përshkrimet më elokuente dhe më të detajuar ndaj Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem.

Ajo tha: “Pashë një burrë me nur të dukshëm. Fytyra e tij ishte e shndritur dhe fizionomia e tij ishte e plotë. Kraharori dhe barku i tij vinin të njëtrajtshëm dhe koka e tij ishte në përputhmëri me trupin.  Bebëza e syve të tij ishte e zezë dhe pjesa tjetër shumë e bardhë. Qerpikët i kishte të dukshëm (të gjatë) dhe të kthyer. Në zërin e tij kishte forcë të përzier me tingull që nuk ta vriste veshin. Qafa e tij ishte e dukshme (e gjatë) dhe e bardhë, ndërsa mjekra e tij ishte e shpeshtë dhe e bollshme e përzier me pak qime të thinjura.

Sytë i kishte të rrumbullakët ndërsa qerpikët të zinj (si të kishte përdorur kohl). Vetullat i kishte të gjata dhe të kthyera, të ngjitura që dalloheshin vetëm kur u binte pluhuri.

Kur heshtte mbi të binte qetësia. Kur fliste bëhej madhështor dhe mbështillej nga hijeshia.

Ai ishte më i bukuri dhe më i dukshmi kur e shihje të vinte nga larg dhe më i hijshmi kur e shihje nga afër. E folura e tij kishte bukuri (kur fliste nuk mërziteshe nga e folura e tij). I prerë në të folur, nuk fliste fjalë pa kuptim dhe nuk tallej. Nuk ishte shumë i gjatë dhe as shumë i shkurtër, por kishte një shtat mesatar (pra trupi i tij ishte mesatar dhe i lidhur).

Ishte filizi më i dukshëm mes dy filizave (mes Ebu bekrit dhe Abdullah Ibën Urejkit) dhe ishte më i miri i të treve kur e shihje dhe më i ngrituri në vlera. Ai kishte shokë që nxitonin për t’i përmbushur fjalët e tij kur i urdhëronte dhe kur fliste heshtnin për t’i dëgjuar porositë që i thonte.

Dukej sikur njerëzit e rrethonin dhe i qëndronin afër. Nuk rrinte i ngrysur dhe nuk kishte gjuhë të pistë.”

Kur i dëgjoi fjalët e saj, burri i Umu Meabedit tha: “Vallahi ai është personi që po e përndjekin kurejshët. Nëse më bie që ta takoj, vallahi kam për t’i dhënë besën (për Islam).”

Ky do të ishtë një nga përshkrimet më precize të fizionomisë së Profetit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe moralit të tij pas atij që kishte bërë Ebu Ja’la, thjeshtri i Profetit.

Kjo ndodhi përmendet tek Hakimi në “El mustedrak” me nr. 4274, dhe e ka saktësuar Dhehebiu në “Telhijs”. Gjithashtu e ka transmetuar edhe Taberani në “El xhami el kebir” me nr. 3605.

Përktheu: Fatjon Isufi

Dosje: ,

Loading...