Njëzet porosi për atë që i fton njerëzit në Islam

March 7, 2018

1 – Nuk ka kundërshtim mes ftesës së muslimanëve dhe ftesës së jomuslimanëve. Të dyja janë dyer të mirësisë në prizmin e më të rëndësishmes. I suksesshëm është ai i cili merr pjesë në çdo të mirë.

2 – Thirrja e jobesimtarëve në Islam ka nevojë për dituri, urtësi dhe durim. Kjo rrugë nuk është e shtruar me trëndafila. Shpërblimi që merret për të i meriton mundin dhe përpjekjet e bëra.

3 – Ki kujdes, mos u bëj pesimist për nivelin e pranimit të thirrjes. Njerëzit në realitet kanë qasje ta pranojnë thirrjen Islame.  Mos nënçmo asnjë të mirë sado e vogël të duket ajo. Disa jobesimtarë që të pranojnë Islamin ndoshta kanë nevojë vetëm për një shtysë të vogël.

4 – Kujto se detyra jote është ftesa dhe jo rezultati. Ndjeshmëria jote ndaj rrezikut të mosbesimit dhe pasojave të tij duhet të të nxisë në shtimin e përpjekjeve në thirrjen Islame. Rezultatet dorëzoja Allahut.

5 – Prej mashtrimeve të Iblisit është fjala e disave që thonë: Mjafton në thirrjen e jobesimtarëve paraqitja e shembullit të mirë para tyre. O njeri, ky është një hamendësim i kotë sepse thirrja e drejtpërdrejtë është e domosdoshme.

6 – Trego moral të lartë dhe trego se u do të mirën jobesimtarëve që të fitosh besimin dhe respektin e tyre. Gjatë dialogut me ta zgjidh kohën dhe vendin e përshtatshëm. Nxito të shfrytëzosh mundësinë që të jepet e kujdes nga shprehja ‘do të’.

7 –  Jobesimtarët janë në kategori të ndryshme, kështu që çdo kategorie jepi atë që duhet prej thirrjes Islame. Kujdesu për dallimet individuale mes tyre dhe me secilin prej tyre sillu në mënyrën e duhur. I padituri ndryshon nga një i ditur, një europian ndryshon prej një afrikani e kështu me rradhë.

8 – Sipas përvojës, rruga më e shkurtër për në zemrën e jobesimtarit është sqarimi i vlerave të Islamit, bukurisë dhe madhështisë së tij. Jepi shembuj të saktë që prekin rrethanat dhe gjendjen e tij me qëllim që ta përvetësojë sa më mirë.

9 – Gjatë prezantimit të Islamit ndaj një jobesimtari është gabim që të mjaftohemi vetëm me paraqitjen e vlerave të Islamit e të mos e nxisim ta përqafojë atë. Gjithashtu, duhet të kemi parasysh se mahnitja e tij me vlerat e Islamit nuk do të thotë domosdoshmërisht se ai ka pranuar fenë tonë.

10 – Disa prej kategorive të jobesimtarëve si p.sh. mendjemëdhenjtë dhe ata që sulmojnë islamin, në lidhje me ta mund të jetë me vend hedhja e dyshimeve mbi fenë e tyre para se të prezantohen me Islamin, por duke mos e lënë të kalojë në inat personal.

11 – Tek jobesimtari që po e fton në besim ngulite mirë dallimin mes islamit dhe muslimanëve, sepse një nga shkaqet më të mëdha që i bën të hezitojnë shumë jobesimtarë në pranimin e Islamit është paraqitja negative e muslimanëve.

12 – Përdorimi i mrekullive shkencore në Kuran dhe Sunet është një metodë efikase në thirrjen e jobesimtarëve, mirëpo në këtë temë depërto me finesë e maturi, tregohu i saktë dhe mënjano egzagjërimin.

13 – Dilemat kundër Islamit bëhen pengesë për të hyrë në të kështu që pajisu me përgjigjet ndaj tyre. Disa dilema janë shumë të njohura dhe përsëriten shpesh, prandaj njihu me përgjigjet ndaj tyre përpara dialogut.

14 – Kujdes! Mos u bëj pjesë e një debati për të cilin nuk je i aftë sepse në këtë rast më shumë dëmton sesa rregullon. Ka dallim mes prezantimit të Islamit dhe debatit mbi të, sepse ky i fundit ka nevojë për specializim të veçantë.

15 – Mënjano sa të mundesh hyrjen në tematika të cilat nuk mund t’i perceptojë një jobesimtar, të tilla si; vendimi mbi fe-lëshuesin, synetlliku, poligamia…. E nëse hyn në tema të tilla le ta kesh gati përgjigjen.

16 – Veprim absurd i disave është kur heton se një jobesimtar ka dëshirë të hyjë në Islam dhe e fton të mos nxitojë e të mendohet thellë! E ku ka më krim të madh se ky!

17 – Vini re se hyrja në Islam nuk është vetëm shqiptimi i dëshmisë pa e kuptuar domethënien e saj, pa vënë në zbatim atë dhe pa iu përbajtur çka rrjedh prej dëshmisë.

18 – Kujdesu për prioritetet; së pari besimi në Allahun, pastaj profetësia, pastaj jeta tjetër…. Disa pengojnë nga feja pa e ndier kur ia nisin duke thënë; largohu nga alkoli, nga femrat dhe bëhu synet!

19 – Jo çdo libër i përkthyer vlen për t’u shpërndarë. Dhuroi librin e përshtatshëm personit të përshtatshëm në kohën e duhur.

20 – Ndjekja e personit që pranon Islamin më pas dhe angazhimi me të është pjesë më e vështirë se thirrja e tij në Islam. Kështu që mos lejo që ai të bëhet pre e shejtanëve qofshin xhindë apo njerëz.

Allahu na udhëzoftë të gjithëve e na bëftë prej ndihmëtarëve të fesë së Tij!

 

Shkroi: Salih bin Abdulaziz bin Uthman Sindij

Shqipëroi: Osman Haskasa

 

Loading...