Njohja e ajeteve shfuqizuese dhe të shfuqizuara (en nasih uel mensuh) ndihmon shumë në të kuptuarit e Kuranit fisnik. Argumenti që flet për këtë është fjala e Allahut të Lartësuar: “Për çdo varg (Kurani) që e shfuqizojmë apo që e bëjmë të harrohet, Ne sjellim ndonjë tjetër më të mirë ose të ngjashëm me të.” |El Bekare: 106|
En-nes’h është shfuqizimi i një vendimi islam permes një vendimi tjetër më të vonshëm. Prandaj, vendimi i shfuqizuar quhet mensuh (i shfuqizuar), ndërsa vendimi tjetër që largoi të parin quhet shfuqizues (nasih).
Megjithatë, fjala nasih (shfuqizues) mund t’i referohet Allahut[1] siç është rasti në ajetin e mësipërm. Gjithashtu, mund t’i referohet edhe ajetit që largon dhe shfuqizon vendimin e mëparshëm. Prandaj mund të thuhet: Ky ajet është shfuqizues (nasih) i një ajeti tjetër. Gjithashtu, mund t’i referohet edhe një vendimi që ka shfuqizuar një vendim tjetër.
Shembulli i parë:
Selme ibën el Ekva, radiAllahu anhu, ka thënë: Kur zbriti ajeti: “Ata që kanë vështirësi për të agjëruar duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi.” |El Bekare: 184| Në fillim ata që donin të mos agjëronin e shpaguanin agjërimin e tyre, derisa zbriti ajeti pasardhës që e shfuqizoi vendimin e parë. Në një version tjetër thuhet: Derisa zbriti ky ajet: “Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj le të agjërojë!” |El Bekare: 184|[2]
Abdullah Ibën Umeri, radiAllahu anhuma, lexoi këtë ajet: “Ata që kanë vështirësi për të agjëruar duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi.” |El Bekare: 184| – dhe tha: Ky ajet është i shfuqizuar![3]
Megjithatë, Ibën Abasi është i mendimit se ajeti vazhdon të jetë i zbatueshëm dhe nuk është i shfuqizuar. Buhariu transmeton nga Ata’u se ky e ka dëgjuar Ibën Abasin, radiAllahu anhuma, duke lexuar ajetin: “Ata që kanë vështirësi për të agjëruar duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi.” |El Bekare: 184| Pasi e lexoi ajetin, Ibën Abasi tha: Nuk është shfuqizuar por vazhdon të jetë i zbatueshëm për të moshuarit dhe gratë e moshuara që nuk janë në gjendje të agjërojnë, dhe ata duhet të ushqejnë nga një të varfër për çdo ditë.
Kuptimi i vështirësisë nuk do të thotë të mos mundesh, por do të thotë të mos jesh në gjendje ta përballosh atë për shkak të vështirësisë dhe barrës që shkakton.
Shembulli i dytë:
Një shembull tjetër është fjala e Allahut të Lartësuar që thotë: “Edhe nëse e tregoni apo e fshihni çfarë keni në shpirtin tuaj Allahu do t’ju kërkojë llogari për të.” |El Bekare: 284|
Kjo pjesë ajeti është shfuqizuar me ajetin e mëposhtëm: “Allahu nuk e ngarkon një shpirt më shumë sesa mund të përballojë.” |El Bekare: 286|
Shembulli i tretë:
Allahu i Lartësuar thotë: “Për ato gra tuaja që bëjnë kurvëri kërkoni që të dëshmojnë për këtë gjë katër vetë prej jush. Nëse dëshmojnë për këtë gjë i mbani ato në shtëpi derisa t’u vijë vdekja ose derisa Allahu t’u japë atyre rrugëdalje tjetër. Dhe ata të dy prej jush që kanë bërë këtë punë të turpshme i ndëshkoni që të dy; e nëse pendohen dhe përmirësohen ua hiqni dënimin. Allahu e pranon pendimin dhe është Mëshirues.” |En Nisa: 15-16|
Kjo u shfuqizua me ajetin në suren En Nur ku Allahu i Lartësuar thotë: “Laviren dhe lavirin ta rrihni çdonjërin prej tyre me nga njëqind goditje.” |En Nur: 2|
Duke goditur me kamxhik zinaqarët që nuk janë martuar kurrë dhe duke i goditur me gurë zinaqarët që janë të martuar, siç transmetohet në hadithin e saktë: “… Ato që bëjnë imoralitet e që nuk janë martuar asnjëherë duhet të marrin njëqind goditje me kamxhik dhe të dëbohen një vit nga vendi i tyre. Ndërsa ata që janë ose kanë qenë të martuar dhe bëjnë imoralitet, duhet të marrin njëqind goditje dhe pastaj gurëzim.”[4]
Shembulli i katërt:
Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse mes jush gjenden njëzet të qëndrueshëm ata do të mundin dyqind (mohues).” |El Enfal: 65|
Ky ajet u shfuqizua me ajetin tjetër vijues: “Tani Allahu ju ka lehtësuar juve ngaqë Ai e di se keni dobësi. Kështu, nëse ka prej jush njëqind të qëndrueshëm ata do të mundin dyqind (mohues).” |El-Enfal: 66|
Urtësitë e shfuqizimit (të ajeteve):
E para: Marrja në konsideratë e asaj që u sjell dobi njerëzve.
E dyta: Zhvillimi i ligjeve dhe dispozitave deri në nivelin e plotësimit, duke qenë në përputhje me zhvillimin e davetit dhe zhvillimin e gjendjes së njerëzve.
E treta: Sprovimi i individit nëse do të bindet ose jo ndaj këtij shfuqizimi.
E katërta: Dëshira e të mirës dhe lehtësimi ndaj umetit. Kjo për shkak se shfuqizimi nëse bëhet për diçka më të vështirë kjo sjell më shumë shpërblime për njerëzit, dhe nëse bëhet për diçka më të lehtë atëherë kjo i lehtëson gjërat edhe më shumë për njerëzit.[5]
Shkëputur nga libri: “Si ta kuptojmë Kuranin?”
Shkroi: Shejh Muhamed Xhemil Zejno
Përktheu: Fatjon Isufi
————————————————-
[1] Përdorimi i këtij termi për Allahun duhet riparë, sepse çdo emër i Allahut kërkon argument nga Kurani ose hadithi i saktë.
[2] Muttefekun alejhi.
[3] E përcjell Buhariu.
[4] E përcjell Muslimi.
[5] Shih “Mebahith fi ulumil Kuran” të El Katanit.
Të Ngjashme
- Rreziku i lidhjes mbas dynjasë dhe harresa e botës tjetër Emin Bilali
- “Njerëzve thuajuni fjalë të mira!” Emin Bilali
- Kuptimi i fjalës “Amin” Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Kush janë emrat e sures El Fatiha? Shejh Muhamed Xhemil Zejno
- Llojet e njerëzve në ditën e gjykimit Shejh Abdurrahman ibn Nasr es-Sadi