Njohuritë e dobishme dhe njohuritë e padobishme

December 11, 2022

Njohuritë e dobishme.

Allahu e ka përmendur diturinë shumë herë në librin e Tij, herë duke e lavdëruar atë – dhe kjo është dituria e dobishme -, e herë të tjera duke e qortuar atë – dhe kjo është dituria që nuk bën dobi.

Sa i përket llojit të parë, një shembull i saj gjendet në fjalën e Allahut të Lartësuar që thotë: “Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë me ata që nuk dinë?”[1]

“Allahu dëshmon se nuk ka të adhuruar tjetër që ka të drejtë të adhurohet përveç Tij. Po ashtu, edhe engjëjt dhe dijetarët (dëshmojnë për këtë). Ai gjithmonë e mban krijimin e Tij me drejtësi.”[2]

“Dhe thuaj: Zoti im, më shto diturinë.”[3]

“Vërtet, nga robërit e Tij vetëm dijetarët janë ata që i frikësohen Allahut.” | Suretu Fatir: 28 |

Ekziston edhe historia e Ademit kur Allahu ia mësoi atij emrat e të gjitha gjërave, si ua prezantoi engjëjve dhe në atë moment ata thanë: “I madhëruar je Ti (o Allah) nga të gjitha të metat! Ne nuk kemi dituri përveç asaj që na ke dhënë. Vërtet, Ti je i Gjithëdijshmi, më i Urti.”[4]

Apo historia e Musait dhe fjalët që ai i tha Hidrit: “A mund të të ndjek të më mësosh diçka nga udhëzimi që të është mësuar (nga Allahu)?”[5]

Të gjitha këto ajete u referohen njohurive të dobishme.

Njohuritë e padobishme.

Allahu gjithashtu na ka njoftuar edhe për grupe njerëzish të cilëve u është dhënë dituri, por dija e tyre nuk u ka sjellë dobi. Kjo mund të jetë dituri e dobishme në vetvete por personi që e zotëron nuk përfiton prej saj.

Allahu i Lartësuar thotë: ”Shembulli i atyre që u besua mbartja e Tevratit por më pas nuk arritën ta zbatojnë atë (të zbatojnë detyrimet e tij), është si shembulli i gomarit që mbart ngarkesa me libra (por nuk përfiton gjë prej tyre).”[6]

“Dhe lexoju atyre (o Muhamed) historinë e atij të cilit Ne i dhamë argumentet Tona por ai u zhvesh prej tyre. Kështu, djalli e ndoqi atë dhe ai u bë nga ata që humbën.”[7]

“Pas tyre erdhi një brezni e cila e trashëgoi librin (Teuratin), por duke marrë gjërat e pavlefshme të kësaj bote dhe duke thënë: ‘Do të na falet çdo gjë!’ Edhe nëse u binin në dorë gjëra të ngjashme prapë i merrnin ato.”[8]

“A e ke parë atë që i merr për zot dëshirat e veta dhe Allahu e humbi atë me gjithë diturinë e tij?”[9]

Përsa u përket llojeve të diturisë që Allahu i përmend duke i përbuzur plotësisht (nga të gjitha këndvështrimet), kemi shembullin e thënies së Tij në lidhje me magjinë:

“Ata ndoqën atë që dhanë shejtanët (gënjeshtrat e magjisë) gjatë sundimit të Sulejmanit. Sulejmani nuk mohoi por djajtë nuk besuan, duke u mësuar njerëzve magjinë dhe gjëra të tilla që zbritën në Babiloni tek dy engjëjt, Haruti dhe Maruti. Por asnjëri prej këtyre dy (engjëjve) nuk i mësoi askujt (gjëra të tilla) derisa ata (në fillim) u thanë: ‘Ne jemi vetëm një sprovë prandaj mos bëni blasfemi (duke e mësuar këtë magji prej nesh).’

Dhe nga këta (engjëj) njerëzit mësuan sesi të ndajnë burrin nga gruaja e tij, por ata nuk mund t’i bëjnë keq askujt përveçse me lejen e Allahut. Dhe ata mësuan atë që u bën dëm e nuk u sjell dobi, duke e ditur se blerësi i saj (magjisë) nuk do të kishte pjesë në botën tjetër. E sa e keqe ishte ajo për të cilën e shitën veten e tyre, sikur ta dinin.”[10]

“Pra, kur të dërguarit e tyre u erdhën me argumente të qarta ata u gëzuan me atë dituri që kishin me vete, dhe i rrethoi ajo me të cilën talleshin (dënimi).”[11]

“Ata dinë vetëm pamjen e jashtme të jetës së kësaj bote (çështjet e jetesës së tyre), ndërsa për botën tjetër janë të pakujdesshëm.”[12]

 

Marrë nga libri: “Epërsia e dijes së selefëve”.

Autor: Ibën Rexheb el Hanbeli

Përktheu: Fatjon Isufi

—————————————————

[1] Suretu Zumer: 9.

[2] Suretu Al Imran: 18.

[3] Suretu Ta-Ha: 118.

[4] Suretu el Bekare: 32.

[5] Suretu el Kehf: 66.

[6] Suretu el Xhumua: 5.

[7] Suretu el A’raf: 175.

[8] Suretu el A’raf: 169.

[9] Suretu el Xhathije: 23.

[10] Suretu el Bekare: 103.

[11] Suretu el Gafir: 83.

[12] Suretu Er-Rum: 7.

Dosje:

Loading...