Merreni këtë porosi Profetike

December 11, 2017

Hadithi i gjashtë:

Transmetohet nga Abdullah ibn Mesudi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se i dërguari i Allahut (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të) ka thënë: “O rini! Ai i cili ka mundësi prej jush që të martohet le të martohet, sepse martesa është ndihmësi më i mirë për të ruajtur shikimin dhe mbrojtësi më i mirë për të ruajtur nderin. E ai i cili nuk ka mundësi për t’u martuar, atëherë le të agjërojë se agjërimi për të është mbrojtje.”[1]

Shpjegimi i hadithit:

Hadithi tregon se faza e rinisë është faza më frytdhënëse e jetës.

Ai tregon rëndësinë që Islami i kushton kësaj faze të jetës në veçanti, për shkak se ndikimi që jep ajo shtrihet edhe në të ardhmen e jetës së njeriut.

Prej argumenteve që tregojnë rëndësinë që Islami i ka kushtuar rinisë, janë edhe:

Fjala e Pejgamberit (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të) ku thotë: “Shtatë grupe njerëzish Allahu do t’i marrë nën hijen e Tij; . . . . dhe djali i ri i cili u rrit në bindjen ndaj Allahut.”[2]

“Do t’ju vijë një djalë i ri nga larg për të kërkuar hadithin . . .”[3]

“Nuk do të lëvizë këmba e njeriut ditën e gjykimit deri sa të jap llogari për katër gjëra ; . . .  dhe për rininë e tij se si e kaloi”[4].

Malik ibn Huvejrith (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) ka thënë: “Ishim disa djelmosha në moshë të përafërt me njëri-tjetrin kur shkuam tek Pejgamberi (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të).”[5]

Hadithi nxit për martesë sa më herët në mënyrë që të ruhet shikimi dhe nderi.

Hadithi tregon rëndësinë që duhet pasur për të mbrojtur pjesët e trupit, sepse ato janë mirësi për atë që i posedon nëse u jepet ajo që meritojnë. Porse mund të jenë edhe dënim për të nëse ai neglizhon në to.

Allahu i Lartësuar thotë: “Kurse ndaj jush janë përcjellësit. Janë shkrues të ndershëm te Allahu.”[6]

“Ai (njeriu) nuk hedh ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm.”[7]

“Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta.”[8]

“Dhe kur e dëgjojnë ndonjë llomotitje marrëzie i kthejnë shpinën.”[9]

“Sot Ne ua mbyllim gojën atyre. Neve na flasin duart e tyre, kurse këmbët e tyre dëshmojnë për atë që punuan.”[10]

“Ata lëkurave të tyre u thonë: Përse dëshmuat kundër nesh?”[11]

“E ai i cili nuk ka mundësi për t’u martuar atëherë le të agjërojë, se agjërimi për të është mbrojtje.” Ky hadith tregon ndikimin e madh që ka agjërimi në përmbajtjen e shikimit dhe ruajtjes së nderit.

Po ashtu tregon disa metoda fetare për të zbutur epshin e njeriut në mënyrë që të mos kalojë aty ku s’duhet, siç është masturbimi i cili dëmton e nuk sjell dobi, shkatërron e nuk ndërton.

Kjo tregon se duhet qëndruar larg çdo gjëje që është e ndaluar dhe që shpie në nxitjen e epshit.

Tregon se thirrësit në mirësi janë njerëzit më parësorë që duhet të nxitojnë për martesën, në mënyrë që mos të angazhohen me diçka që u sjell dëm atyre siç janë sprovat epshore, si dhe të jenë shembuj për të tjerët.

Tregon se ai i cili merr përsipër që të kujdeset për rininë Islame duhet të preokupohet që t’i ruaj ata nga sprovat epshore, si dhe akoma më parësore t’i ruaj ata nga sprovat e dyshimeve. E gjitha kjo duke u kushtëzuar në përmbajtjen e argumenteve fetare sipas metodologjisë së të parëve tanë.

 

Përktheu: Ylli Rama

————————————-

[1] Transmeton imam Buhariu dhe Muslimi.

[2] Transmeton imam Buhariu dhe Muslimi.

[3] Transmeton Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe.

[4] Transmeton Taberani në “El-Kebir”.

[5] Transmeton imam Buhariu. Shiko hadithin me nr. 4.

[6] Surja Infitar: 10-11.

[7] Surja Kaf: 18.

[8] Surja Nur: 30.

[9] Surja Kasas: 55.

[10] Surja Jasin: 65.

[11] Surja Fusilet: 21.

Loading...