Pasojat e Mëkateve

January 21, 2023

  • Privimi nga dituria. Dituria është dritë që Allahu e hedh në zemrën e njeriut dhe mëkati e shuan atë. Imam Shafiu ka thënë:

“Iu ankova Uekiut për kujtesën time të dobët,

ai më porositi që të ruhem nga mëkatet.

Më tha se dija është dritë,

e drita e Allahut nuk i jepet mëkatarit.”

  • Privimi nga rrizku. Ashtu si devotshmëria tërheq rrizkun, po ashtu dhe mungesa e devotshmërisë tërheq varfërinë. Nuk ka mënyrë më të mirë për të tërhequr rrizkun sesa braktisja e mëkateve.
  • Privimi nga bindja ndaj Zotit. Nëse mëkatet nuk do kishin pasojë tjetër veç privimit nga bindja ndaj Zotit, atëherë kjo do të ishte e mjaftueshme.
  • Mëkatet degradojnë zemrën dhe trupin, e përsa i përket degradimit të zemrës kjo gjë është e qartë. Zemra degradohet nga mëkatet derisa të vdesë plotësisht.
  • Mëkatet e shkurtojnë jetën dhe e largojnë begatinë, ashtu si bamirësia zgjat jetën dhe shthurja e shkurton atë.
  • Mëkatet tërheqin njëri-tjetrin derisa njeriut i bëhet e vështirë lënia e tyre.
  • Mëkatet dobësojnë vullnetin e zemrës për punë të mira. Ato forcojnë vullnetin për punë të këqija dhe dobësojnë vullnetin për t’u penduar, derisa vullneti për t’u penduar të largohet nga zemra përgjithmonë.
  • Çdo mëkat është i trashëguar prej njërit nga popujt e shkatërruar prej Allahut të Madhëruar. Homoseksualizmi për shembull është trashëguar nga populli i Lutit. Mashtrimi në peshore është trashëguar nga populli i Shuajbit. Sundimi në tokë duke prishur rendin e saj është trashëguar nga populli i Faraonit. Arroganca dhe fodullëku janë trashëguar nga populli i Hudit. Kësisoj, mëkatari ka përvetësuar një ves të dikujt prej këtyre popujve të cilët ishin armiq të Allahut.
  • Mëkati është shkak për nënçmimin e robit para Zotit të tij. Hasan el Basriu thoshte: “Ata janë të nënçmuar tek Ai andaj dhe mëkatojnë. Nëse do të ishin të nderuar Ai nuk do t’i linte të mëkatonin. I Lartmadhëruari ka thënë: “Atë që Allahu e nënçmon askush nuk e nderon dot.” | Haxh: 28 |
  • E keqja e gjynahut të atij që mëkaton prek edhe atë që nuk mëkaton prej njerëzve dhe kafshëve. Nga e keqja e mëkateve dhe padrejtësive dëmtohen edhe të pafajshmit.
  • Njeriu vazhdon ta bëjë një mëkat derisa ta shpërfillë atë dhe ta konsiderojë si diçka të vogël, gjë e cila është shenjë e shkatërrimit të tij. Ngase sa më i vogël t’i duket njeriut një mëkat, aq më i madh është ai tek Allahu. Abdullah ibën Mesudi thoshte: “Besimtarit i duken mëkatet si një mal që nga çasti në çast mund të bier mbi të, ndërsa njeriut të lig i duken si një mizë që ulet mbi hundën e tij dhe ai e tremb me dorë e ajo largohet.” E transmeton Buhariu.
  • Mëkati është shkak i poshtërimit. E gjithë krenaria gjendet në bindjen ndaj Allahut të Madhëruar. Abdullah ibën Mubareku ka thënë:

Kam vënë re se mëkatet  e vrasin zemrën,

e varësia ndaj tyre sjell poshtërim.

Lënia e mëkateve i jep gjallëri zemrës,

e kundërshtimi i egos është më i mirë.

  • Mëkatet dëmtojnë logjikën. Logjika është dritë dhe kjo dritë shuhet nga e keqja e mëkatit. Shuarja e dritës së logjikës bën që ajo të degradohet dhe të  dobësohet.
  • Kur mëkatet shtohen atëherë zemra e njeriut vuloset dhe ai radhitet në listën e të shkujdesurve. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Jo, nuk është ashtu! Por të këqijat që i punuan ua mbuluan(vulosën) zemrat.” | Mutafifin: 14 |
  • Mëkatet shkaktojnë lloje të ndryshme të çrregullimeve; nëpër tokë, në ujë, në ajër, në ara, në prodhimtari dhe në vendbanimet e njerëzve. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Për shkak të veprave (të këqija) të njerëzve janë shfaqur në tokë e në det të zeza (bela, skamje, katastrofa, humbje e bereqetit etj.), që ata ta përjetojnë një pjesë të asaj të keqeje që e bënë ashtu që të tërhiqen (nga të këqijat).” | Rum: 41 |
  • Mëkatet largojnë sedrën e njeriut e cila është baza e gjallërisë së zemrës. Sedra është thelbi i çdo virtyti të mirë e mungesa e saj bën që të largohen nga njeriu të gjitha virtytet e mira. Profeti -paqja qoftë mbi të- ka thënë: ”Sedra është e tëra e mirë.” Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Një poet ka thënë:

Jo, pasha Allahun, nuk ka mirësi në këtë jetë,

e as në këtë botë, nëse te njerëzit nuk ka sedër.

  • Mëkatet pakësojnë madhështinë e Allahut në zemrën e njeriut dhe respektin ndaj Tij. Nëse në zemrën e njeriut do kishte me të vërtetë respekt ndaj Allahut, ai nuk do guxonte që të bënte mëkate.
  • Mëkatet bëjnë që Allahu ta lërë njeriun në harresë dhe të mos e ndihmojë atë kundër egos dhe shejtanit, gjë e cila e shpie në një humbje që nuk ka shpëtim.
  • Mëkatet e nxjerrin njeriun nga lista e mirëbërësve dhe e privojnë nga shpërblimi i tyre. Nëse në zemrën e njeriut zënë vend veprat e mira atëherë ai do të ruhet nga mëkatet.
  • Mëkatet bëjnë që nga njeriu të largohen begatitë dhe të vijnë belatë. Asnjë begati nuk largohet nga njeriu dhe asnjë bela nuk bie mbi të përveçse prej ndonjë mëkati që ai bën. Aliu -Allahu qoftë i kënaqur me të- thoshte: “Asnjë bela nuk zbret përveçse prej një mëkati, dhe asnjë bela nuk largohet përveçse prej pendimit.”

Allahu i Madhëruar ka thënë:

”Çfarëdo e keqe që mund t’ju godasë ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqija), e për shumë të tjera Ai u fal.” | Shura: 30 |

“Ngase Allahu nuk e ndryshon begatinë të cilën ia ka dhuruar një populli derisa të ndryshojë ai në vetvete (të bëhet përbuzës i së mirës).” | Enfal: 53 |

Poeti e ka thënë shumë bukur:

Ruaje begatinë që gëzon,

se mëkati begatinë e largon.

Ruaje me bindshmëri ndaj Zotit,

dhe dije se ndëshkimi i Tij është i shpejtë.

Nga padrejtësia ruhu sa të mundesh,

se zullumi ndaj njerëzve është i rëndë.

Udhëto me zemrën tënde nëpër botë,

dhe shih pasojat e atyre që zullum bënë.

Vendbanimet e tyre që lanë pas,

janë dëshmitarët më të mirë për atë që pësuan.

Dëmi më i madh nga zullumi u erdhi,

dhe prej tij ata u shkatërruan.

I lanë pas kopshtet, kështjellat dhe kënaqësitë,

si një ëndërr, e në fund në xhehenem mbërrinë.

 

Shkëputur nga libri: “Orientimi i muslimanëve drejt triumfit dhe rimëkëmbjes’’ .

Autori: Muhamed Xhemil Zejno

Përshtati: Rexhep Milaqi

Dosje: , , ,

Loading...