Përçarja e umetit islam 4 (Analizë akademike)

—Pjesa e katërt—

A janë për qëllim bazat e bidateve apo çdo bidat, qoftë ai bazë apo degëzim?

Imam Et-Turtushi në librin e tij “El-Hauadith ue El-Bida’” thotë:
Në rast se Profeti alejhi selam kur ka përmendur ndarjen e umetit ka pasur për qëllim bazat e bidatit, të cilat janë si rracat për llojet apo trungjet për degët, atëherë ato deri tani nuk janë plotësuar dhe Allahu e di më së miri. Por koha (e dynjasë) nuk ka mbaruar, përgjegjësitë vazhdojnë, hapat priten dhe çdo brez kohor nuk kalon pa pasur bidate në të.
Në rast se Profeti alejhi selam ka pasur për qëllim me këto grupe çdo bidat që do të shfaqet në fenë islame, i cili nuk përputhet me islamin dhe nuk e pranojnë atë bazat e tij, pa marrë parasysh ndarjen që përmendëm në baza e degëzime – dhe unë mendoj se këtë ka dashur të thotë dhe Allahu e di më së miri. Atëherë ato janë shumë më shumë se ai numër, pra më shumë se shtatëdhjetë e dy grupe. Për të saktësuar hadithin sipas këtij numri duhet të nxirren nga llogaritja bidatet ekstreme, që të mos numërohen nga ymeti dhe as nga pasuesit e kibles.
Hipoteza e dytë të cilën e saktësoi imam Turtushi duket e pranueshme edhe nga imam Shatibiu, se numri i grupeve të humbura është shtatëdhjetë e dy, degëzime qofshin ato apo baza. Mirëpo problem mbetet përcaktimi i tyre.

Grupi i shpëtuar

Grupi i shpëtuar është i vetmi grup për të cilin Profeti -alejhi selam- ka dhënë detaje, dhe për përcaktimin e tij le t’i referohemi edhe një herë hadithit.
Profeti -alejhi selam- sqaron në hadithin e përçarjes dhe thotë: “Do të përçahet ymeti im në shtatëdhjetë e tre grupe. Të gjitha janë në zjarr përveç njërit, dhe ata janë xhemati (ata që ruajnë xhematin).”
Pra grupi i shpëtuar është xhemati. Në lidhje me fjalën xhemat të përdorur në këtë hadith janë dhënë disa mendime, siç thotë imam Shatibiu në librin “El-Itisam”:
1- Shumica dërrmuese e muslimanëve.
2- Imamllarët e mëdhenj prej dijetarëve dhe muxhtehidët e umetit.
3- Janë sahabët në veçanti.
4- Janë bashkësia e gjithë muslimanëve kur bien dakord për një çështje.
5- Xhemati është grupi i muslimanëve kur bashkohen pas një prijësi.
Secila nga këto sqarime ka nga diçka të vërtetë por jo absolute sepse janë thënë në kohëra dhe rrethana të ndryshme, dhe ndoshta me ndryshimin e kohërave mund të mos qëndrojnë pa i kufizuar.
Përsa i përket atij që ka thënë se xhemat është shumica dërrmuese e muslimanëve kjo është e saktë nëse kemi për qëllim brezat e parë të artë, atëherë kur e mira ishte më e madhe se e keqja dhe suneti ishte më i fortë se bidati. Kush kundërshtonte shumicën kishte dalë nga xhemati, por më vonë me ndryshimin e kohërave dhe dobësimin e synetit dhe fuqizimin e bidatit nuk mund të thuhet se xhemat është shumica e muslimanëve.
Përsa u përket atyre që thonë se janë imamllarët e mëdhenj prej dijetarëve dhe muxhtehidët e ymetit, është thënë për në kohën kur u përhap bidati dhe u shtua e keqja dhe u bë xhemati i vërtetë i cili duhet marrë për shembull, xhemati i njerëzve më të shquar të ymetit dhe jo më shumica e ymetit siç ishte në kohën e parë.
Përsa u përket atyre që thonë se xhemati janë sahabët në veçanti, ata kanë pasur për qëllim të thonë se xhemati kanë qenë sahabët në kohen e tyre dhe çdokush që ecën në të njëjtën rrugë pas tyre. Kjo për shkak të shumë haditheve ku Profeti alejhi selam nxit për pasimin e tyre, si në hadithin: “Ndiqeni praktikën time dhe praktikën e halifëve të drejtë pas meje.” Apo edhe vet hadithi i përçarjes, i cili sipas një versioni tjetër thuhet se Profeti alejhi selam ka thënë për grupin e shpëtuar: “Ata që janë në rrugën time dhe të shokëve të mi.” E transmeton Tirmidhiu.
Përsa u përket atyre që thonë se xhemat është bashkësia e gjithë myslimanëve kur bien dakord për një çështje, ndoshta ata që e kanë thënë kanë pasur për qëllim hadithin e Profetit alejhi selam ku thotë: “Allahu e ka ruajtur ymetin tim të bashkohet në humbje.” E transmeton Ibën ebi Asim dhe e saktëson sheih Albani. Ky hadith merret si argument shpeshherë se ixhmaja e ymetit është hak dhe kjo gjë është e vërtetë, mirëpo shpjegimi i xhematit në hadithin e përçarjes me ixhmanë e ymetit nuk shkon. Kjo ngase kur themi përçarje nuk bëhet më fjalë për ixhma.
Ndërsa përsa u përket atyre që thonë se xhemati është grupi i myslimanëve kur bashkohen pas një prijësi, kjo gjë është e vërtetë por me kusht që prijësi të jetë sipas librit të Allahut dhe synetit të profetit të Tij. Xhemati i cili nuk është sipas synetit të Profetit është jashtë kuptimit të xhematit i cili përmendet në hadithe, si p.sh. xhemati i hauarixhëve etj.

Bazuar në atë që përmendëm dhe duke marrë parasysh sqarimet dhe përkufizimet, mund të themi se; xhemati janë ata myslimanë të cilët janë pasues të synetit të profetit -alejhi selam- dhe të rrugës së shokëve të tij. Nëse kanë një imam sipas këtij menhexhi ata janë xhemati, dhe mund të formojnë shumicë nëse Allahu derdh mbi ta mirësi si në kohën e brezave të parë. E nëse nuk kanë imam sipas këtij menhexhi dhe nuk formojnë shumicë, atëherë janë grupi i dijetarëve dhe njerëzve më të shquar të ymetit të cilët ruajnë rrugën e të parëve.

A duhet të merremi me përcaktimin e grupeve të humbura?

Imam Shatibiu -Allahu e mëshiroftë- në librin e tij “El Itisam” mendon se nuk duhet të merremi me përcaktimin e tyre, dhe kjo për dy arsye:
E para: Sheriati sipas asaj që kemi kuptuar prej tij tregon për cilësitë e tyre për të paralajmëruar për ta pa i emërtuar, dhe mbetet përcaktimi i tyre për tu futur në hadithin e përçarjes i mundshëm (jo i prerë). Prandaj dhe përcaktimi i tyre nuk ka ardhur veçse rrallë si për hauarixhët.
E dyta: Mospërcaktimi i tyre është veprimi që duhet të ndiqet që të jetë mbulesë për ymetin, siç u janë mbuluar edhe të këqijat e tyre dhe në përgjithësi nuk janë demaskuar në dynja.
Pas këtyre arsyeve, imam Shatibiu bën dy përjashtime se kur njeriut i lejohet të emërtojë apo përcaktojë.
Rasti i parë: Ato grupe të cilat sheriati ka dhënë shenja në përcaktimin e tyre si hauarixhët, sepse me studim është parë se është e mundshme futja e tyre te hadithi i përçarjes. Profeti alejhi selam ka thënë për ta: “Lexojnë Kuranin dhe ai nuk i kalon grykat e tyre, vrasin pasuesit e islamit dhe lënë pasuesit e idhujve.” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Gjithashtu janë përmendur edhe kaderitë me murxhitë, dhe hadithet e tyre i saktësojnë disa prej dijetarëve (e thashë këtë gjë sepse imam Shatibiu nuk i saktëson këto hadithe). Përsa u përket kaderive, Ibn Omeri radiallahu anhu tregon se Profeti alejhi selam ka thënë: “Kaderitë janë mexhusët e këtij ymeti. Nëse sëmurën mos i vizitoni, dhe kur të vdesin mos prezantoni në xhenazet e tyre.” E transmeton Imam Ahmedi dhe Ebu Daudi, dhe e saktëson sheih Albani.
Kurse murxhitë janë cekur në një hadith bashkë me kaderitë, ku Profeti alejhi selam thotë: “Dy lloje nga ymeti im nuk kanë për të ardhur te pusi im dhe as për të hyrë në Xhenet: kaderitë dhe murxhitë.” E transmeton Taberani dhe e saktëson sheih Albani.
Rasti i dytë: Kur grupi fton në humbjen e tij dhe e zbukuron atë në zemrat e njerëzve të thjeshtë. Dëmi i tyre për myslimanët është si dëmi i iblisit dhe ata janë shejtanët e njerëzve. Patjetër duhet qartësuar se ata janë prej pasuesve të bidatit dhe humbjes, si dhe futjen e tyre te grupet (e përçarjes) kur ka dëshmitarë se janë prej tyre si p.sh. Amr bin Ubejd e të tjerë. Njerëz si këta patjetër duhen përmendur dhe duhen larguar, sepse sherri që u vjen myslimanëve prej tyre është më i madh kur ata lihen sesa kur përmenden.

 

Shkroi: Dr. Abdullah Nabolli