Përçmimi i lakmisë për pasuri dhe famë

December 1, 2022

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve! Paqja dhe nderimet e Tij qofshin mbi të dërguarin e Tij Muhamedin, familjen dhe shokët e tij deri në ditën e gjykimit!

Shejhu, imami dhe dijetari i shquar shejhul islami, ruajtësi i trashëgimisë së selefëve të nderuar, Zejnudin Ebul Feraxh Abdur-Rahman, i biri i shejhut dhe imamit Shihabudin Ahmed, i biri i shejhut dhe imam Ibën Rexheb el Bagdadi el Hanbeli, rahimehullahu Teala, ka thënë:

Imam Ahmedi,[1] Nesaiu,[2] Tirmidhiu[3] dhe Ibën Hibani në “Sahihun”[4] e tij përcjellin hadithin e Keab Ibën Malik el Ensariut nga Profeti, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, se ka thënë: “Dy ujqër të uritur e të lëshuar në mesin e deleve nuk janë më të dëmshëm (për kopenë) sesa dëmi që i shkakton fesë së njeriut lakmia dhe dëshira e paepur për pasuri dhe famë.”

Tirmidhiu ka thënë: Hadithi është hasen dhe sahih.

Ky hadith është transmetuar nga Profeti, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, në një formë tjetër në hadithin që përcjellin; Ibën Umeri, Ibën Abasi, Ebu Hurejra, Usame Ibën Zjedi, Xhabiri, Ebu Seid el Hudriu dhe Asim Ibën Adij el Ensariu, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë.

Shejh Zejnudin Ebul Ferexh Abdurrahman Ibën Ahmed Ibën Rexheb ka thënë: Të gjitha transmetimet e këtij hadithi dhe gjykimet për to i kemi përmendur në librin “Sherh et Tirmidhi”.

Në hadithin që përcjell Xhabiri, radiAllahu anhu, thuhet: “Dy ujqër grabitqarë që e kalojnë natën mes deleve në një kohë që bariu i tyre mungon, nuk do të shkaktonin më shumë dëm (për kopenë) sesa dëmi që i shkaktohet fesë së njeriut nga lakmia për famë dhe pasuri.”

Në hadithin e Ibën Abasit, radiAllahu anhuma, përmendet dashuria për pasurinë në vend të lakmisë.

Ky është një shembull shumë i madh të cilin Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e sjell për të treguar sesi feja e muslimanit prishet nga lakmia e tij për pasuri dhe famë. Gjithashtu, na tregon se dëmi që kjo lakmi i shkakton fesë së besimtarit nuk është më i vogël se dëmi i shkaktuar nga dy ujqër të uritur dhe grabitqarë të cilët e kalojnë natën mes deleve ndërkohë që bariu mungon, dhe kështu ushqehen me to dhe shkaktojnë dëm të madh.

Është mëse e qartë se një numër shumë i vogël i këtyre deleve do të mund t’i shpëtonte kërdisë së shkaktuar nga këta ujqër të uritur. Prandaj Profeti, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, na lajmëroi se lakmia e një njeriu për pasuri dhe famë nuk shkakton më pak dëm për fenë e tij sesa këta dy ujqër të uritur mes deleve. Dëmi në këtë rast ose do të jetë i njëllojtë ose më i keq.

Përmes këtij shembulli ai na tregon se nuk shpëton prej dëmtimit të fesë së muslimanit (që lakmon pasurinë dhe famën) veçse një pjesë e vogël, njësoj siç është vështirë të shpëtojë ndonjë dele nga kërdia e ujqërve të uritur.

Ky shembull përmban një paralajmërim të ashpër kundrejt lakmisë për pasuri dhe famë në këtë botë.

 

Shkroi: El Hafidh Ibën Rexheb el Hanbeli (795 H).

 Përktheu: Fatjon Isufi

———————————————

[1] E përcjell në “Musned” 3/ 506, 460.

[2] Në “Sunen el Kubra” siç thuhet në “Tuhfetu el Eshraf” 8/11136.

[3] Në “El Xhami” me nr. 2376.

[4] Siç përmendet në “El Ihsan” me nr. 3228.

Dosje: ,

Loading...