Përzierja e fesë së Isait me idhujtari

December 24, 2021

Në kohën e Isait -alejhi selam- i gjithë pellgu i Mesdheut në të cilin bën pjesë edhe Shami, vendi ku ai jetoi, sundohej nga idhujtarët romakë. Për këtë shkak të gjithë popujt e këtij rajoni ishin idhujtarë, me përjashtim të Beni Israilëve në Sham të cilët kishin trashëgimi adhurimin e Allahut Një. Ftesa e këtyre popujve në fenë e drejtë nuk ka qenë detyrë e Isait -alejhi selam-, sepse ai ishte i dërguari i Allahut për Beni Israilët siç u tha më lart. Shembulli i tij është si shembulli i profetëve të tjerë para tij sepse ata të gjithë janë dërguar te popuj të veçantë, me përjashtim të profetit tonë Muhamedit -alejhi selam- i cili u dërgua për të gjithë njerëzit. Dalja e hauarijunëve te popujt e tjerë përreth duhet të ketë ardhur për shkak të përndjekjes së hebrenjve, dhe ata për t’iu larguar përndjekjes së tyre u shpërndanë dhe jetuan mes popujve paganë romakë e grekë, çfarë bëri që atje të përhapej feja e tij. Përhapja e fesë së tij në ato vende shumë shpejt do të binte preh e zakoneve pagane që trashëgonin këta popuj.

Shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- thotë: Romakët, grekët, e popuj të tjerë paganë adhuronin objekte qiellore dhe puta tokësore. Mesihu -alejhi selam- dërgoi të dërguarit e tij për t’i ftuar në fenë e Allahut, ku disa prej tyre shkuan gjatë jetës së tij në tokë dhe disa të tjerë pas ngritjes së tij në qiell. Të dërguarit e tij i ftuan ata në fenë e Allahut dhe hyri kush hyri prej tyre në këtë fe. Ata qëndruan kështu një farë kohe, pastaj Shejtani ua zbukuroi ndryshimin e fesë së Mesihut dhe shpikën një fe të përzier: pak nga feja e Allahut dhe e profetëve të Tij e cila është dhe feja e Mesihut -alejhi selam-, dhe pak nga feja e paganëve. [1]

Në historinë  e krishtërimit njihet një njeri me emrin Pali, i cili qarkullonte fjalë se Isai -alejhi selam- është i biri i Zotit. Ai pati shumë ndikim sidomos në zonat e banuara nga greko-romakët, Azia e Vogël dhe Greqia, sepse ato vende ishin vende të pambrojtura me njësimin e Allahut. Qarkullimi i këtyre ideve në mesin e të krishterëve shkaktoi përçarje të madhe mes pasuesve të Isait -alejhi selam-.

Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë dukuri thotë:

Kur Allahu i Madhëruar e ngriti Mesihun, Isain -alejhi selam- për në qiell, ndjekësit e tij u përçanë.

Disa prej tyre e besuan ashtu siç e kishte dërguar Allahu, si rob i Allahut, i dërguar i Tij dhe biri i robëreshës së Tij.

Disa prej tyre e tepruan në lidhje me të dhe e besuan për birin e Allahut.

Disa prej tyre thanë: Ai ishte Allahu vetë.

Ndërsa disa të tjerë thanë: Ai ishte i treti i të treve.

Allahu i Madhëruar i ka përmendur thëniet e tyre në Kuran dhe i ka hedhur poshtë ato (me përjashtim të së parës).[2]

Me gjithë këtë përçarje që ndodhi mes pasuesve të Mesihut -alejhi selam-, pasuesit e tij të drejtë kanë vazhduar të jenë të shumtë deri në kohën kur sunduesit romakë kaluan në krishtërim në kohën e Kostandinit, themeluesit të Kostandinopojës. Kostandini përqafoi versionin e devijuar të fesë së Isait -alejhi selam- dhe me kalimin e tij në krishtërim raporti i besimtarëve të drejtë kundrejt besimtarëve të devijuar ndryshoi. Ibn Kethiri -Allahu e mëshiroftë- në lidhje me këtë ngjarje thotë:

Afërsisht treqind vjet pas Mesihut -alejhi selam- Kostandini, njëri prej mbretërve të Greqisë (romakëve të Greqisë) përqafoi krishtërimin. Ai më përpara ishte filozof (në fenë e filozofëve paganë të Greqisë) dhe thuhet se e përqafoi këtë fe për syfaqësi apo si hile për t’a prishur atë. Priftërinjtë i vendosën atij rregulla, ligje dhe bidate të shpikura, ndërsa ai u ndërtoi atyre kisha, faltore, manastire të mëdha e të vogla. Në kohën e tij u përhap krishtërimi dhe u njoh nga njerëzit me gjithë devijimet, ndryshimet dhe sajesat në kundërshtim të fesë së Mesihut. Nuk mbeti më në fenë e drejtë të Mesihut veçse një numër i vogël murgjërish, të cilët ndërtuan manastire në zona të shkreta dhe të pabanuara për t’u strehuar. Atëherë të krishterët zaptuan Shamin, ultësirën e Mesopotamisë dhe vendet romake.”[3]

Në lidhje me devijimet e futura në fenë e Isait -alejhi selam- shejhu i Islamit Ibn Tejmije -Allahu e mëshiroftë- thotë:“Ndryshimet e fesë së Mesihut si; bërja hallall e mishit të derrit të cilin Allahu e ka bërë haram dhe Mesihu nuk e ka lejuar, anulimi i synetllëkut, falja në drejtim të Lindjes, shtimi i ditëve të agjërimit dhe zhvendosja e tij nga një kohë në një tjetër, varja e ikonave nëpër kisha, madhërimi i kryqit, ndjekja e murgjërisë etj. Të gjitha këto rregulla nuk i ka vendosur asnjë profet prej profetëve të Allahut, as Mesihu dhe as tjetërkush. Ata me to kundërshtojnë rregullat e Allahut me të cilat i ka dërguar profetët, gjithashtu janë të paligjësuara nga Allahu nëpërmjet gojës së ndonjë profeti.”[4]

Kështu u fut idhujtaria e paganizmi në fenë e Isait -alejhi selam- nëpërmjet romakëve, dhe nuk mbeti feja e drejtë e tij veçse te një pakicë njerëzish të shpërndarë në Sham dhe jashtë tij.

———————————————

[1] Shih librin e autorit me titull ‘El-Xheuab Es-Sahih’: 1/344.

[2] Shih tefsirin e Ibn Kethirit të sures Ali Imran: 2/48.

[3] Shih tefsirin e Ibn Kethirit të sures Junus: 4/295.

[4] Shih librin e autorit me titull “El-Xheuab Es-Sahih”: 3/18.

Loading...