Pesë lloje njerëzish mos i shoqëro kurrë

August 6, 2019

Pesë lloje njerëzish mos i shoqëro kurrë!

Ebu Xhaferi Muhamed ibën Aliu thotë:
“Më këshilloi babai im dhe më tha:“Pesë lloje njerëzish kurrë mos i shoqëro, mos fol me ta e mos i shoqëro gjatë udhëtimit.

Ebu Xhaferi thotë: I thashë: U bëfsha flijim për ty o babai im, kush janë ata?

Më tha: Mos e shoqëro mëkatarin (fasikun) ngase ai të shet ty qoftë edhe për një kafshatë goje, e ndoshta edhe më pak se ajo.

I thashë: O babai im, çfarë ke për qëllim me fjalën ‘e ndoshta edhe më pak se ajo’?

Më tha: Shpreson në diçka dhe nuk e arrin atë.

Ebu Xhaferi thotë: I thashë: O babai im, e kush është i dyti?

Më tha: Koprracin kurrë mos e shoqëro ngase ai të privon prej ndihmës nga pasuria e tij atëherë kur ke nevojë më së shumti për të!

I thashë: O babai im, e kush është i treti?

Më tha: Gënjeshtarin kurrë mos e shoqëro ngase çështja e tij është si pozita e shpresave dhe iluzioneve, të largon të afërmin dhe të afron të largëtin.

I thashë: O babai im, e kush është i katërti? Më tha: Budallain kurrë mos e shoqëro ngase duke dashur të të bëjë dobi ai të dëmton.

Pastaj i thashë: O babai im, kush është i pesti? Më tha: Mos e shoqëro atë që shkëput lidhjet farefisnore, ngase e kam gjetur se ai është i mallkuar në tri vende në Kuran.

 

Shuajb Rexha

Loading...