Peshorja e saktë e gjynaheve dhe adhurimeve

Peshorja e saktë e gjynaheve dhe adhurimeve.

Kur njeriu e shikon gjynahun si të vogël ky është një gjynah (tjetër), ashtu si edhe kur i duken të shumta adhurimet e tij është përsëri gjynah. Njohësi i vërtetë është ai që i shikon të vogla adhurimet e tij dhe të mëdha gjynahet e tij. Sa më të vogla të të duken të mirat që bën aq më të mëdha janë ato tek Allahu, dhe sa më të mëdha të të duken në zemër aq më të vogla dhe të pakta janë ato tek Allahu. Ndërsa gjynahet anasjelltas.

Kush e njeh Allahun, të drejtën e Tij dhe atë që i takon Madhështisë së Tij prej adhurimit, treten adhurimet e tij dhe i duken shumë të vogla. Ai e di se ato nuk janë të atilla që mund t’a shpëtojnë prej dënimit të Tij, dhe se ajo që i ka hije Madhështisë së Tij dhe që meriton prej adhurimeve është diçka tjetër përtej kësaj (mbi atë). Sa më shumë shton prej të mirave i duken të vogla, sepse sa herë që ai shton prej tyre i hapen dyer të tjera të njohjes së Allahut dhe afërsisë me të. Kështu, zemra e tij shikon Madhështinë e Tij të patëmetë, dhe Lartësinë e Tij, gjë që e bën t’i duken të vogla të gjitha veprat e mira edhe nëse bëhen bashkë veprat e të gjitha krijesave.

E nëse në sytë e tij duken të shumta dhe të mëdha, kjo tregon se ai është penguar prej Allahut dhe nuk e njeh Atë dhe çka i takon Atij. Në varësi të kësaj njohurie dhe të njohjes së vetes së tij i duken të shumta gjynahet dhe të mëdha në sytë e tij*, duke pasur parasysh të Vërtetin dhe atë që i takon Atij, mangësinë në kryerjen e detyrimeve ndaj Tij dhe realizimit të saj në formën që i takon, në atë formë që e do Allahu dhe kënaqet me të.

“Medarixhus salikin” (193).

——————————————-

*(Sh.p.: Kujto hadithin e ndërmjetësimit në Ditën e Gjykimit se si Profetët më të mëdhenj kujtojnë ‘fajet’ që kanë bërë: Ademi ngrënien nga pema e ndaluar, Nuhu duanë për djalin, Ibrahimi tri ‘gënjeshtrat’. Prandaj ata nuk guxuan të shkonin para Allahut sepse njihnin Madhështinë e Tij dhe i frikësoheshin zemërimit të asaj dite të madhe, e u tërhoqën në vetet e tyre të frikësuar…)