Porosi për Ramazanin – Shejh Uthejmini

April 28, 2021

Kemi hyrë në 10 ditëshin e mesit të Ramazanit. E lus Allahun të na i përmirësojë ditën e parë dhe të fundit!

Në këtë natë dua të përkujtoj veten dhe juve për shfrytëzimin e kohës përpara se ajo të shkojë, sepse me të vërtetë ditët ikin me shpejtësi, sidomos në kohën tonë.

Ikën një xhuma, dhe sa shpejt e sheh njeriu veten te xhumaja tjetër! Sikur të mos kishte mes tyre veçse një ditë të vetme. Ky është kuptimi i fjalës së Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem: “Nuk do të bëhet Kijameti derisa të afrohet koha.” Koha është shumë e afërt, shumë e ngushtë… Shikoje vet se si Ramazani i vitit të shkuar është sikur të mos kishte mes tij dhe këtij në të cilin jemi muaj tjetër veç Shabanit. Ky është perceptimi im. Mua kështu më duket, dhe nuk e di a e ndani edhe ju të njëjtin perceptim. A e ndieni edhe ju?

Sikur ky Ramazan të mos ketë hyrë veçse para një nate, ndërsa tani është plotësuar një e treta dhe një e treta është shumë. I lutemi Allahut të na falë çka ka kaluar dhe të na ndihmojë për vepra të mira në ato që kanë mbetur.

Dhjetëshja e dytë është më e mirë se ajo e para, dhe dhjetëshja e fundit është më e mirë se ajo e mesit. Zakonisht kështu është puna me veprat e mira; fundi i tyre është më i mirë se fillimi i tyre.
Ditën e xhuma koha pas ikindisë është më e mirë se fillimi i saj, ditën e Arafatit koha pas ikindisë është më e mirë se paraditja e saj. Dhe urtësia e kësaj – Allahu e di më së miri – është se shpirtrat kur fillojnë një punë velen dhe u bëhet monotone, prandaj sa më shumë u afrohet fundi aq më shumë bëhen të vlefshme, me qëllim që njerëzit të bëhen më aktivë në pjesën e fundit dhe të bëjnë vepra të mira.

Muhammed ibn Salih el Uthejmin – Allahu e mëshiroftë!

Sh.p.: Në këtë kuptim vjen edhe fjala e Profetit – sal lall llahu alejhi ue sel lem: “Punët janë sipas përfundimeve të tyre”.

Allahu na dhëntë sukses!

 

 

Loading...